Gjashtë yjet e flamurit
24 të rinj të komuniteteve të ndryshme të Kosovës po i vazhdojnë aktivitetet në kuadër të punëtorisë “Follow the Stars”. Nga perspektiva e artit dhe kulturës ata do të shfaqin shqetësimet e tyre rreth identitetit nacional në Kosovë.
Projekti synon të inkuadrojë të rinjtë adoleshentë, pjesëtar të të gjashtë komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për të shfaqur identitetin e tyre në katër kategori të artit, gjegjësisht, nëpërmjet fotografisë, pikturës, muzikës dhe video-dokumentarit.
grupi i të rinjve është ndarë në këto fusha të artit, respektivisht në katër grupe me nga 6 persona. Ata tashmë ndodhen në fazën e parë të projektit, ndërkohë që vazhdojnë të bëjnë hulumtime me qëllim të shfaqjes së një identiteti, natyrisht, secili nga perspektiva e vet artistike.
Sipas, menaxheres së projektit, Nita Zeqirit, ideja e projektit ka të bëjë me shqyrtimin e flamurit të Kosovës, i cili i ka gjashtë yje, një aludim ky në gjashtë kombësitë e ndryshme që jetojnë në Kosovë – shqiptarët, serbët, turqit, goranët, boshnjakët dhe romët.
“Nëpërmjet këtij projekti kemi dashur që të hulumtojmë dhe të arrijmë deri tek rezultati se si ndjehen komunitetet në Kosovë. Pra, a ndjehen ata si kosovarë, apo ndoshta ndjehen vetëm si kombësi të tjera. Ne këtë hulumtim po e bëjmë nëpërmjet fushës së artit, ku të rinjtë i shprehin ndjenjat e tyre, por edhe e shfaqin atë se si e shohin ata veten brenda Kosovës”, sqaron Zeqiri.
Ndryshe, projekti “Follow the Stars” ka filluar të realizohet më datën 1 shkurt, ndërkaq pritet se do të përfundojë në fund të muajit maj. Gjatë gjithë kësaj periudhe do të ketë aktivitete dhe vizita të ndryshme në institucionet që, në një mënyrë apo tjetër, e përfaqësojnë shtetin ku jetojnë pjesëmarrësit e projektit.
Zeqiri thotë se, në fillim të muajit qershor do të organizohet një ekspozitë në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE’së (The EU Information Cultural Center), në të cilën do të prezantohen gjashtë fotografi, gjashtë piktura, një performancë muzikore dhe një video dokumentarë, të punuara nga 24 pjesëmarrësit.
Gjithsesi se pjesa më inspiruese e punës së këtyre të rinjve mbeten hulumtimet dhe vizitat nëpër qendrat e ndryshme kulturore.
“E veçanta e këtyre vizitave ishte se shumica e pjesëmarrësve nuk kanë pasur rastin që më herët t’i vizitonin këto qendra të artit dhe të trashëgimisë kulturore”, thekson Zeqiri.
E, pjesëmarrësit kanë vizituar Muzeun Etnologjik, Galerinë e Arteve, dhe Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Siç është paraparë, takimi i tyre i radhës do të jetë më 12 mars, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, ndërkohë që një prej vizitave tjera të mundshme do të jetë edhe ajo në Kuvendin e Kosovës.
Zeqiri shprehet e kënaqur me fazën e parë të punës. Ajo thekson se interesimi për këtë fazë ishte i mirë, dhe se të rinjtë e të gjashtë komuniteteve kanë pasur një komunikim të mire mes vete, gjë që për organizatorët është tejet e rëndësishme.
Ky projekt përkrahet edhe nga UNICEF Innovations Lab Kosovo, një organizatë kjo që është njëra nga punëtoritë e DardaMedia’s.