E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora paralizon komunikimin me Kosovën

Në Qarkun e Kukësit ka vazhduar moti i ftohtë me ngrica, duke mbajtur në izolim pjesën dërmuese të zonave rurale. Si pasojë, nga 14 komuna të rrethit, 9 prej tyre janë të bllokuara nga bora, ku prej disa ditësh i vetmi komunikim rrugor ka qenë me këmbë, si dhe me kafshë. Por në një takim të Shtabit të Emergjencës në Prefekturën e Kukësit gjendja, edhe pse u vlerësua e rënduar, nuk u përkufizua si emergjente. Drejtori i bujqësisë, Shefqet Elezi, tha se të gjitha fshatrat kishin siguruar me kohë bazën e nevojshme ushqimore, por edhe zahiretë për bagëtitë. "Në të gjitha fshatrat e Kukësit, Tropojës dhe Hasit ka një furnizim që mund të sigurojë nevojat deri në muajin mars", u shpreh drejtori Elezi, duke nënvizuar edhe faktin që një pjesë e fshatrave edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të furnizohen nga Kosova nëpërmjet pikave të kalimit të kufirit me mjete dhe me kafshë.

Nxënësit konviktorë

Një numër nxënësish konviktorë të Shkollës së Mesme Pedagogjike të Kukësit, të cilët duhet të vinin nga fshatrat e thellë, kanë përjetuar vështirësi në lëvizje. Më të rrezikuar ishin nxënësit e Komunës Grykë e Çajës, 40 km larg qytetit, të cilët kanë mbërritur dje pasdite vonë në konvikt, vetëm me ndihmën e policisë lokale. "U nisëm në këmbë, pasi nuk bëhet fjalë për furgonë, ku trashësia e borës arrin në 1.5 metra, por mbetëm në mes të rrugës dhe atëherë njoftuam shtëpinë dhe pastaj ata kishin thirrur policinë e cila na shpëtoi", tregon një konviktor nga fshati Fshat i kësaj komune. Ai tregon se grupi përbëhej prej 13 nxënësish që, pasi kishin udhëtuar 18 km ishin lodhur, ndërsa policia i kishte arritur me fuoristradë të prirë nga një fadromë. Këto ditë, zonat rurale të Kukësit nuk bëjnë mësim, por nxënësit duhej të kapnin mësimin në shkollën e mesme të qytetit.

Autobusë nga Kosova

Për herë të parë pas katër ditësh ndërprerje, dje paradite kanë udhëtuar nëpër terrenin e frikshëm të borës edhe një numër autobusësh nga Kosova. Shoferët e kontaktuar thanë se edhe në Kosovë kishte pasur vështirësi nga bora, por i janë frikësuar së tepërmi Qafës së Malit. Ata pohuan se pjesët më të vështira për t‘u përshkuar janë në afërsi të Kukësit, ku siç duket edhe vëmendja ka qenë më e vogël. Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka përqendruar gati të gjitha potencialet në aksin Kukës-Tiranë në segmentet Kalimash, Shëmri dhe Qafë Shllak, duke dërguar katër nga shtatë mjetet borëpastruese që ka, si dhe tre kamionë me kripë. "Po përpiqemi të mbajmë të kalueshëm segmentet e rrezikshme, ku kemi hedhur deri tani 40 tonë kripë dhe mund hedhim ende", tha një drejtues i këtij enti. Rezervat e kripës janë në sasinë e mbi 170 tonëve, të mjaftueshme të paktën për janarin nëse reshjet vazhdojnë.

Disa fshatra pa drita

Komuna Arrën, si dhe disa fshatra të veçantë në Kukës dhe Has, vazhdojnë të mbeten pa energji për shkak të defekteve të linjave të dyta. Hajdin Elezi, drejtor i filialit elektrik, thotë se në Arrën, dëbora me stuhi ka rrëzuar disa shtylla dhe ende nuk mund të ndërhyhet, pasi trashësia e saj është rreth 1.6 metra. Po ashtu, fshati Çam në Komunën e Shëmrisë mbetet pa drita, për shkak të djegies së një transformatori. Ndërsa në Has, ka pasur avari në linjën që furnizon fshatin Bregu i Krumës por, Elezi shprehet se atje po punohet për riparimin e linjës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›