E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibra, ende nën "pushtetin" e dëborës

Dëbora e shoqëruar me temperatura të ulëta që shkojnë deri në minus 8 gradë Celsius, edhe pse ka pushuar së rëni, vazhdon të mbajë të mbërthyer nën "pushtetin" e saj Qarkun verilindor të Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat. Edhe dje, aksi rrugor nacional Peshkopi-Bulqizë-Burrel, paraqiti vështirësi për lëvizjen e automjeteve, ku mund të lëvizin vetëm autoveturat me zinxhirë dhe jo makinat e tonazhit të rëndë. Segmentet më problematikë mbeten Qafa e Qenokut, Disheza e Maranicës, Tri Çezmat e Zerqanit, Qafa e Buallit, Disheza e Ulzës, etj. Me probleme vazhdon të paraqitet gjendja edhe në Rrugën e Arbrit, Bulqizë-Ura e Çerenecit, 17 kilometra i gjatë, për shkak të punimeve të papërfunduara në të. Një tjetër vështirësi e kësaj rruge është edhe fakti se askush nuk merr përgjegjësinë për mirëmbajtjen e segmentit, ku firmat tenderuese dhe Ndërmarrja Rajonale e Rrugëve Dibër ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Rruga nacionale Peshkopi-Kukës, prej katër ditësh vazhdon të mbetet e bllokuar, si dhe Ura e Çerenecit-Klenjë. Çuditërisht, edhe pse dita e djeshme, pa reshje dhe me diell e favorizonte ndërhyrjen në rrugë për lirimin e plotë të tyre, asnjë borëpastruese nuk është parë në rrugë, përveçse në qytetin e Bulqizës. Në të gjithë segmentin njëkalimësh, Shupenzë-Bulqizë nuk vërehet asnjë gramë skorje dhe kripë. Prej katër ditësh, pothuajse të gjitha komunat e këtij qarku kanë mbetur të bllokuara, pasi rrugët që lidhin ato me qendrat përkatëse të rretheve janë të pakalueshme nga automjetet. Trashësia e borës së rënë që shkon nga 60 deri në mbi 80 centimetra në zona të thella malore, mbi 800 metra mbi nivelin e detit, kanë sjellë izolimin e plotë në rreth 29 komuna të këtij qarku. Ndërkohë, asnjë masë nuk është marrë nga këto komuna për zhbllokimin e situatës, edhe pse kryetarët flasin për masa të marra prej tyre. "Nuk kemi fonde nga qeveria për të ndërhyrë për lirimin e rrugëve, përsërisin ata në çdo rast që pyeten për këtë problem. Po kështu, mësohet se edhe Shtabi i Emergjencave pranë Prefekturës Dibër mblidhet vetëm për të evidentuar dhe jo për të zgjidhur. Rasteve emergjente të urgjencave në banorë, siç ishte ai në Komunën e Xibrit, në Rrethin e Matit, dhe në atë të Ostrenit, në Rrethin e Bulqizës, u është përgjigjur policia me mjetet e veta për dërgimin e tyre në spital. Aktualisht mësohet se në fshatrat e thellë malorë, njësitë tregtare i kanë marrë masat dhe janë të pajisura për momentin me ushqimet e nevojshme për banorët. Në këto fshatra ekziston po ashtu edhe baza e nevojshme ushqimore për bagëtitë dhe nuk bëhet fjalë për situatë emergjente. Por vështirësi ka në ofrimin e shërbimit shëndetësor, për mungesë të ilaçeve dhe kuadrit të nevojshëm mjekësor. Në shumë nga këto fshatra, moti me reshje shkaktoi avari në linjat e transmetimit të energjisë, duke ndërprerë rrymën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›