Dibër, dhjetëra studentë dhe nxënës mbeten rrugëve
Dhjetëra studentë dhe nxënës, që vazhdojnë studimet në Tiranë e gjetkë, kanë mbetur të bllokuar në qytetet e Peshkopisë dhe Bulqizës, si dhe në pika të caktuara të rrugës nacionale Peshkopi-Tiranë, për mungesë komunikacioni të rregullt. Kjo ka ndodhur edhe me banorë të tjerë, që kanë shkuar për të kaluar festat e fundvitit pranë familjeve të tyre, në Dibër dhe dje kanë kërkuar të kthehen në vendbanimet e tyre. Makinat e pakta që kanë lëvizur dje nuk kanë mundur të marrin të gjithë pasagjerët që kërkonin të udhëtonin. "Ndjehemi keq, kur shohim nxënës e studentë të shumtë rrugës dhe sidomos nëna me fëmijë të vegjël, por nuk kemi mundësi t‘u shërbejmë, thotë një nga shoferët e paktë që ka lëvizur dje drejt Tiranës. Një pjesë e mirë e udhëtarëve kanë ardhur nga zona të thella malore në këmbë në qytetet e Peshkopisë dhe Bulqizës, me shpresën se do mund të siguronin ndonjë furgon për lëvizje. E vetmja shpresë, thonë udhëtarët e grumbulluar në qytetin e Bulqizës, mbetet ardhja e autobusit nga Tirana, por kjo është e vështirë, pasi rruga edhe në segmentin Milot-Bulqizë është e bllokuar nga bora. Në rast se kjo nuk do të realizohet, atëherë një pjesë e këtyre udhëtarëve, përfshirë edhe nxënës e studentë, do t‘u duhet të kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa një pjesë tjetër, që janë nga fshatra të largët, do të kalojnë natën pranë njerëzve të tyre ose në hotelin e vetëm të qytetit të Bulqizës.