Borchardt: Nga zgjedhjet do gjykohet për afrimin tuaj me BE
Zgjedhjet e 28 qershorit janë guri kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe të BE-së. Ndërkombëtarët, pasi kanë vërejtur më vëmendje të madhe realizimin e procesit ditën e zgjedhjeve po ashtu edhe pas saj duket se nuk do ta lënë me kaq. Ambasadori gjerman, Bernd Borchard, i akredituar në vendin tonë, ka deklaruar dje se Bashkimi Europian do t‘i vlerësojë zgjedhjet e 28 qershorit vetëm pasi të ketë përfunduar totalisht ky proces. Për ambasadorin gjerman, analiza e zgjedhjeve dhe e financimit të fushatës nuk ka mbaruar ende, pasi pritet raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it dhe kjo pikë do të ketë një zë të veçantë në këtë raport. Sipas ambasadorit gjerman, kërkesa e Shqipërisë për të qenë vend kandidat i BE-së do të merret në shqyrtim pasi të jetë mbyllur procesi i vlerësimit për zgjedhjet e 28 qershorit dhe kjo, sipas tij, duke marrë në analizë situatën në vend ku ende zyrtarisht nuk është dhënë rezultati i zgjedhjeve, i cili sipas KQZ-së, do të jepet më 1 gusht, atëherë shqyrtimi i kërkesës për vend kandidat pritet të bëhet në vjeshtë të këtij viti. Kjo deklaratë e ambasadorit gjerman, Borchardt, është bërë gjatë një aktiviteti ku ambasada gjermane i ka dhuruar repartit RENEA pajisje të ndryshme që kapin vlerën e 54 mijë eurove. Gjatë takimit pati edhe demonstrime të operacioneve që kryejnë efektivat e RENEA-s. Sipas ambasadorit gjerman, lufta ndaj kriminalitetit është një ndër kushtet e vëna nga ndërkombëtarët për liberalizmin e vizave ndaj dhe shteti gjerman ka vendosur të ndihmojë në këtë fushë. Nuk është hera e parë që ndërkombëtarët, nëpërmjet ambasadorëve të tyre të akredituar në Tiranë, por dhe të drejtuesve të tjerë kanë kërkuar nga Shqipëria plotësimin e kushteve të kërkuara për ta pasur më të lehtë rrugën drejt BE-së. Realizmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ishte kushti themelor për të hedhur këtë hap të rëndësishëm, por deri më tani procesi ende nuk ka përfunduar zyrtarisht për ta pasur më të qartë panoramën edhe vetë ndërkombëtarët nëse politika shqiptare mundi t‘i realizojë zgjedhjet sipas standardeve apo jo. Por kjo dilemë do të zgjidhet përfundimisht pas disa javësh kur OSBE-ODIHR-i të bëjë publik raportin përfundimtar të zgjedhjeve. Paraprakisht zgjedhjet janë vlerësuar pozitive, sidomos dita e votimit, por ka lënë për të dëshiruar procesi i numërimit të votave, sidomos në disa qarqe të vendit ku janë shënuar edhe incidente, gjithashtu në raportin paraprak vëzhguesit bënë të ditur se janë hasur probleme edhe me kartat e identitetit ku mjaft persona nuk kanë mundur të votojnë, pasi të tjerë kishin votuar në emër të tyre. Para zgjedhjeve, qeveria shqiptare e drejtuar nga Kryeministri Berisha aplikoi si vend kandidat për në BE, megjithëse deklaratat e drejtuesve të BE-së thoshin se nuk ishte kjo koha më e përshtatshme.