Schultz takon Metën: Respektojmë vendimin tuaj për koalicionin
Lëvizja Socialiste për Integrim njoftoi dje përmes zyrës së shtypit, se kryetari Ilir Meta u takua në Alsdorf të Gjermanisë me zotin Martin Schultz, presidenti i grupit socialist në Parlamentin Europian. Zgjedhjet e 28 qershorit dhe vendimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike, ishin në qendër të bisedës midis tyre. Meta e njohu drejtuesin e lartë të socialistëve europianë me zhvillimet politike në Shqipëri dhe veçanërisht për shkaqet që çuan në rezultatin zgjedhor. Ai gjithashtu parashtroi arsyet në themel të vendimit për koalicionin e ri qeverisës midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. "Ne e respektojmë plotësisht vendimin e LSI-së për koalicionin", u shpreh Schultz në takimin me kryetarin e LSI-së, Meta. "Do të bashkëpunojmë me qeverinë e re, ku jemi të bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim do të japë një kontribut të veçantë në realizimin e reformave dhe në integrimin europian të Shqipërisë", nënvizoi ai. Në këtë funksion, vijoi ai, ne do të forcojmë bashkëpunimin me LSI-në dhe do ta mbështesim në realizimin e objektivave të saj politike. Sipas njoftimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Schultz e ftoi kryetarin e LSI-së, Meta, për një vizitë në Bruksel në muajin shtator për t‘u takuar me autoritetet e larta të Bashkimit Europian dhe me përfaqësuesit më të lartë të së majtës europiane. Këto deklarata duket sikur baraspeshojnë qëndrimet e Partisë Socialiste Europiane, që menjëherë pas zgjedhjeve kërkuan krijimin e një koalicioni midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Drejtuesit e Partisë Socialiste, në shumë raste konstatuan se koalicioni midis LSI-së dhe PD-së është shkelje e parimeve morale. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh madje se Ilir Meta kishte trafikuar mbi 80 mijë zemra të majta drejt së djathtës.