E Diel, 1 Nëntor 2026

Të martën Fieri zbret në Kolegj, të mërkurën Berati

Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë ditën e martë kërkesën e parë ankimore, duke nisur me Qarkun e Fierit e duke vijuar një ditë më vonë, të mërkurën, me Qarkun e Beratit. Pas mbërritjes së kërkesave të para ankimore nga tre subjekte politike, Kolegji Zgjedhor përcaktoi datat konkrete të shqyrtimit të tyre.

Kështu, më datën 21 korrik me Qarkun e Fierit dhe më 22 korrik me kërkesën ankimore të PS-së për Qarkun e Beratit. Demokratët ankimojnë vendimin e KQZ-së për të shpallur të pavlefshme tre qendra votimi, ndërsa në një tjetër kërkesë të mbështetur edhe nga PDI, kundërshtohet vendimi për rezultatin e Qarkut të Fierit.

Kërkesat e këtyre dy partive janë bashkuar dhe relator është caktuar gjyqtarja Entela Prifti, dhe pritet që ky proces të fillojë të martën, më datë 21 korrik, në orën 10 paradite.

Ndërsa socialistët ankimojnë kutinë 3052 të KZAZ-së të këtij qarku, duke kërkuar shpalljen të pavlefshme të saj, pasi 439 fletë u gjetën gjatë numërimit me një vulë të vetme, ndërsa ligji parashikon të jenë dy të tilla. PS ka ankimuar vendimin e KQZ-së për rezultatin e Beratit, si dhe pritet që gjatë ditës së sotme të dorëzojnë ankimimin për Qarkun e Tiranës. Ankimimi për Shkodrën pritet të dorëzohet ditën e hënë, për shkak se ka ende edhe disa ditë afat ligjor. Sakaq, për të tretën herë radhazi, procesi zgjedhor i Qarkut të Fierit shqyrtohet nga tryeza e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lajmëroi fundin e shqyrtimit të ankimimeve, në këtë institucion mbërriti një kërkesë ankimore nga Partia Drejtësi dhe Integrim, e cila kërkon pavlefshmërinë e rezultateve të votimit në katër qendra votimit të KZAZ-së numër 18 dhe 20 në Qarkun e Fierit. Përmes debatesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi kërkesën, ndërsa shorti përcaktoi kreun e KQZ-së, Arben Ristani, si relator për çështjen. KQZ vendosi ta shqyrtojë ditën e hënë këtë kërkesë ankimore. Para marrjes së vendimit për të pranuar kërkesën, përfaqësuesi juridik i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deklaroi se bëhet fjalë për një kërkesë e cila nuk mund të shqyrtohet për shkak të tejkalimit të afateve. Ai iu referua vendimit të anëtarëve të dy KZAZ-ve për rezultatin e tyre, duke deklaruar se kërkesa tejkalon atë çfarë parashikon ligji. Kodi Zgjedhor parashikon që ankimimi bëhet brenda tri ditësh nga data e marrjes së vendimit prej Komisionit Qendror. Ndërsa përfaqësuesi juridik i PDI-së vlerësoi se "bëhet fjalë për ankimimin e vendimit të marrë nga KQZ në datën 13 korrik, ndaj kërkesa ankimore është brenda afatit të duhur". Sakaq, pretendimeve të PS në Komision, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, iu përgjigj duke deklaruar se kërkesa është brenda afateve ligjore, "pasi tabela përfundimtare e rezultateve për Fierin është miratuar në datën 13 korrik pas numërimit të tetë kutive dhe përfshirjes në tabelë të rezultateve të dy kutive të tjera". Kjo parti kërkon shpalljen si të pavlefshëm të rezultatit të kutisë 3185, 3188, 3196, 3006. Qendra e Votimit 3185, 3188, dhe 3006 janë tre kuti që ankimoi edhe Partia Demokratike për shkak të parregullsive të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›