E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët demokratë kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nuk ka lënë pa prekur mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Debatet e shumta janë zhvilluar midis përfaqësuesve demokratë dhe atyre socialistë në këtë strukturë. Këshilltari i Partisë Demokratike, Ferdinand Poni, deklaroi se zgjedhjet parlamentare kanë plotësuar standardet, ndërsa, sipas tij, koalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është koalicion i Europës. Poni hodhi akuza edhe ndaj kryebashkiakut Edi Rama, për atë çka ai e cilësoi përdorim të aseteve të bashkisë, duke nënvizuar se kryesocialisti duhet të japë dorëheqjen nga bashkia dhe nga kryesimi i Partisë Socialiste. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak, Besnik Baraj, përsëriti se qeveria e re është mundësuar përmes "patericave", duke përmendur disa nga problemet kryesore që shoqëruan procesin zgjedhor të 28 qershorit. Problemet në pajisjen me kartat e identitetit, abuzimet me listat, sipas Barajt të deformuara, dhe përdorimi i administratës për efekt fushate, kanë qenë disa nga çështjet kryesore të përmendura nga përfaqësuesi i PS-së. Këtij debati për rezultatin e zgjedhjeve i janë bashkuar edhe këshilltarë të tjerë të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›