E Diel, 1 Nëntor 2026

Borchardt:Presionet dhe numerimi i votave demtuan rende proçesin zgjedhorNga Deutsche WelleKryeministri, Sali Berisha, gjatë vizitës së tij dy ditë më parë në Dhërmi, deklaroi me të madhe se turizmi do të jetë prioriteti kryesor i qeverisë së drejtua

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Borchardt:Presionet dhe numerimi i votave demtuan rende proçesin zgjedhorNga Deutsche Welle

Kryeministri, Sali Berisha, gjatë vizitës së tij dy ditë më parë në Dhërmi, deklaroi me të madhe se turizmi do të jetë prioriteti kryesor i qeverisë së drejtuar nga ai. Por vendimet e miratuara nga vetë Berisha tregojnë të kundërtën. Vetëm në mbledhjen e fundit të KRRTRSH, kryeministri miratoi një sërë studimesh pjesore për periferinë e Tiranës, duke shkatërruar rreth 75 hektarë zonë të gjelbër pranë Liqenit të Farkës, periferinë e Vorës, Gjirin e Lalzit, ish-Kampin e Pionierëve në Durrës etj. Po ashtu, Berisha më pak se një muaj më parë miratoi ndërtimin e parkut energjitik në Porto Romano, ndërtimin e katër fabrikave të çimentos, të cilave, po t’u shtosh edhe katër fabrika të tjera që janë në ndërtim apo edhe termocentralin e Petroliferës në Vlorë, tregojnë qartë që turizmi, jo vetëm që nuk është prioritet i Berishës, por po goditet rëndë nga ky i fundit.

Kontradiktat

“Jemi në agun e një shpërthimi të fuqishëm turistik, e shndërrimit të Shqipërisë në një nga drejtimet turistike më të rëndësishme në Evropë”, - deklaroi kryeministri Berisha dy ditë më parë. Me resurset dhe natyrën që ka vendi ynë, natyrisht që një gjë e tillë mund të ndodhë. Veçse Berisha ndryshe thotë dhe ndryshe vepron, duke qenë kontradiktor me veten e vet. Kështu, edhe pse e konsideron turizmin si prioritetin kryesor të qeverisë së vet, me vendimet e marra ka bërë të kundërtën. Mjafton këtu të përmendim mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, kur vetë kryeministri firmosi ndërtimin e katër fabrikave të çimentos. Kështu, Berisha firmosi ndërtimin e një fabrike çimentoje në Lezhë (Balldren). Fabrika, me shesh ndërtimi 130.000 m2, ndërtohet vetëm 1 km nga qyteza e Balldrenit dhe vetëm 3.5 km nga Plazhi i Shëngjinit. Erërat e veriut, sipas ekspertëve, do e shpien tymin dhe pluhurin e çimentos në Lezhë, e cila ndodhet 5 kilometra më në jug. Fabrika tjetër në Bushat, me shesh ndërtimi 167.000 m2, do ndërtohet vetëm 400 metra nga qendra e banuar, Mali i Jushit, dhe 5.5 kilometra në vijë ajrore nga Plazhi i Velipojës. Këshilli i Ministrave në maj ka hequr tokën këtu nga fondi pyjor për t’i hapur rrugë investimit. Një fabrikë tjetër do të ndërtohet në Fushë-Krujë, ku janë ndërtuar edhe disa fabrika të tjera çimentoje. Fabrika, me shesh ndërtimi 432.000 m2, gjendet vetëm 1.5 km nga qendra arkeologjike e Albanopolisit (Zgërdhesh). Karriera e argjilës (dizastër mjedisor) është një ndër vendet më piktoreske, pikërisht ndërmjet dhe në kontakt me dy rezervuarët: të Bajcungës dhe të Verjonit në Fushë-Krujë. Përveç kësaj, në një nga të paktat zona të mbetura të lira në Plazhin e Durrësit, ish-Kampi i Pionierëve, i ruajtur deri para pak kohësh nga forcat shumëkombëshe, Berisha miratoi një studim që parashikon pallate deri në 8 kate në plazh. Bëhet fjalë për 85 hektarë ndërtime. Por, sipas Berishës, “vizioni ynë është kombi me sytë drejt detit. Shekuj e shekuj i kemi mbajtur drejt maleve dhe e vërteta është se kemi siguruar ekzistencën dhe mbijetesën, por nuk kemi siguruar dot prosperitetin dhe zhvillimin që na kanë munguar. Ndaj, tani do të kthehemi drejt një pasurie të pafundme, siç është deti. E tërë infrastruktura jonë do të ketë dy qëllime themelore: tregun dhe detin”. Vendimet e Berishës në fakt tregojnë se ai është i pasinqertë në këto deklarata, pasi vetëm gjatë këtij muaji ai i ka dhënë një goditje të rëndë turizmit shqiptar, duke ngritur fabrika çimentosh dhe duke betonizuar bregdetin. Sipas vetë Berishës, “mbrojtja e bregut nga betoni duhet të jetë një nga qëllimet më kryesore, sepse ne duhet të ndërtojmë një turizëm ndryshe. Ne vërtet jemi të vonuar, por kemi shansin më të madh të ndërtojmë një turizëm krejtësisht tjetër nga turizmi i betonit

dhe betonimeve”.

Interesat

Kryeministri, Sali Berisha, në mbledhjen e parë të Këshillit të Rregullimit të Territorit, i hapi dritën jeshile kthimit në park energjitik dhe industrial të zonës së Porto Romanos, veprim ky që rrëzon pretendimin e tij se turizmi është prioritet i qeverisë. Kjo, duke qenë se ndërtimi i këtij parku energjitik, sipas ekspertëve, do të dëmtojë rëndë zonën, rrjedhimisht edhe turizmin. Sipas ekspertëve, TEC-i me qymyr 1600 MW, që parashikohet të ndërtohet në Porto Romano, parashikohet të lëshojë në ajër më tepër dyoksid karboni se sa lëshojnë të gjitha burimet ndotëse të derisotme anembanë Shqipërisë. Këta të fundit thonë se shqetësues është fakti që asnjë studim serioz mjedisor, asnjë informim transparence për publikun lidhur me normat e ndotjeve, respektimin e distancave, numrin e banorëve, nuk është bërë deri më tani nga qeveria.

Por miratimi i ndërtimit të këtij parku, bazuar edhe në faktet e publikuara nga gazeta “TemA”, bëhet për shkak se aty ndodhen pronat e vajzës së kryeministrit, Argita Malltezit dhe sekserit të familjes kryeministrore, Damir Fazlliç. Ky i fundit madje e ka pranuar se ka blerë tokat e fshatarëve me çmime qesharake, për t’i shitur më pas ato me çmime shumë të kripura. Gjithçka ai e ka bërë në koordinim me vajzën e kryeministrit, e cila mendohet të jetë realisht dora që qëndron pas këtyre aferave. Madje, gazeta “TemA” botoi një letërkëmbim mes Malltezit dhe një biznesmeni nga Lindja e Mesme, që kërkonte të investonte në burime energjitike. Malltezi i garantonte atij tokën, por dhe marrjen e së drejtës për të nisur punimet, me kusht që ajo të merrte tre për qind të vlerës. Duke përllogaritur se bëhet fjalë për investime prej qindra miliona dollarësh, fitimi i Malltezit do ishte disa milionë dollarë. Dëmi që Berisha i ka bërë turizmit shqiptar është padyshim edhe parku energjitik i Petroliferës në Vlorë, i kundërshtuar fort nga ambientalistët dhe qytetarët e Vlorës. Projekt ky që në fakt ishte kundërshtuar edhe nga vetë Berisha në kohën që ishte në opozitë dhe kryeministër ishte Fatos Nano. Çuditërisht, me të ardhur në pushtet Berisha ndryshoi qëndrim, duke miratuar projektin e iniciuar nga Nano.

Miqësia

Gjatë vizitës së tij në Dhërmi, kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim miqësor edhe me kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i dënuar vetëm pak kohë më parë nga drejtësia jonë me 6 muaj burg dhe i njohur si antishqiptari më i madh. “Në përfundim të takimeve me banorë dhe të disa inaugurimeve të rëndësishme në zonën e Bregut, kryeministri Berisha zhvilloi një takim miqësor me kreun e Bashkisë së Himarës Vasil Bollano, i cili, duke e falënderuar kryeministrin Berisha për këtë vizitë, i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e angazhimet e qeverisë në lidhje me zhvillimin e turizmit bashkëkohor dhe kulturor”, - bënte të ditur Kryeministria në një komunikatë për shtyp. Berisha nuk e ka fshehur asnjëherë miqësinë e tij me Vasil Bollanon, ndaj të cilit urrejtja e shqiptarëve është e madhe, madje edhe kur ky i fundit u dënua për shpërdorim detyre pak muaj më parë. “Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”, - tha zyra e kryeministrit Berisha vetëm pak pas dënimit të Bollanos. Megjithatë, duke parë që Berisha është shoqëruar me njerëz si Millosheviçi, Tadiç, Gjukanoviç, për të mos harruar mikun e familjes së tij, sekserin Damir Fazlliç, të cilët njihen dhe si njerëzit më antishqiptarë, miqësia e tij me Bollanon mund të duket si diçka normale, pasi nacionalizmi dhe patriotizmi nuk janë në karakter të kryeministrit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›