Fadil Daja, si mbijetoi i kthyeri nga UDB dhe i dënuari me vdekje nga komunizmiNga E kuptuam se çfarë tmerri na priste, kur dritat e makinës shfaqën piramidat kufitare në Hanin e Hotit në Shkodër dhe e kuptuam se oficerët e shërbimit sekret jugosll
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Fadil Daja, si mbijetoi i kthyeri nga UDB dhe i dënuari me vdekje nga komunizmiNgaE kuptuam se çfarë tmerri na priste, kur dritat e makinës shfaqën piramidat kufitare në Hanin e Hotit në Shkodër dhe e kuptuam se oficerët e shërbimit sekret jugosllav, UDB, në marrëveshje me Sigurimin e Shtetit shqiptar po na kthenin në Shqipëri pas 6 muajsh qëndrim në Slloveni. Tre djem 20-vjeçarë që kishin lënë repartin ushtarak dhe ishin arratisur në Jugosllavi me idenë për të shkuar në Kanada. Po nisnin në këtë mënyrë një jetë të re në terrorin e burgjeve të regjimit komunist. Njëri prej tyre, Fadil Daja, në një intervistë për gazetën “TemA”, sjell detaje tronditëse të hetuesisë, gjyqit, birucave dhe burgut, derisa ai u lirua në prill 1992. Kur ata shkuan në burg, e gjetën atë plot, e kështu ai kishte qenë që prej ardhjes në pushtet të komunistëve. Vuajtjet kishin bartur veten nga viti në vit, nga një i burgosur te tjetri dhe nga një vdekje te tjetra.
Arratisja dhe kampi i refugjatëve në Slloveni nga ku i ktheu UDB
Në një natë kur shërbimin e rojeve të kufirit e kryente Fadili me dy shokët e tij, ata vendosin të kalojnë kufirin e të shkojnë në kërkim të një bote tjetër. “Ishim vetëm 20 vjeç”, - thotë Fadili, i cili sot, ndonëse 54 vjeç, duket energjik dhe emocional si atëherë. Vendosëm të iknim, jo sepse ishim antikomunistë, por sepse mendonim se matanë kufirit kishte një jetë më të mirë. Tre ushtarët me armët në krah kalojnë kufirin dhe pas dy ditësh mbërrijnë në Titograd (Podgoricë) dhe paraqiten në një postë policie. Fadil Daja thotë se aty e kuptuan menjëherë se bëhej fjalë për një botë tjetër vërtet, pasi trajtimi nga policia ishte mjaft i mirë, ushqimi dhe sjellja e tyre po ashtu. Pasi u pyetën nga policia, qëndruan aty për 15 ditë dhe më pas autoritetet i dërguan në një kamp refugjatësh në Ljubljanë të Sllovenisë. Tre 20-vjeçarët besuan tashmë se gjithçka kaloi, rrinin në një hotel të mirë, kishin liri të dilnin në qytet dhe madje, po të donin, ata mund ta braktisnin kampin dhe mund të merrnin trenin e të shkon në Austri apo kund tjetër. Vërtet që fati për ta kishte një tjetër pamje dhe ata nuk mund të mos provonin tmerrin e burgjeve komuniste dhe nuk mund të mos përballeshin me disa nga njerëzit më gjakatarë të organeve gjyqësore dhe të hetuesisë. Fadili tregon se ata kërkuan të shkojnë në Kanada. Kanadaja, SHBA dhe Australia merrnin refugjatë një herë në vit, ndërsa vendet e Evropës një herë në gjashtë muaj. Në pritje për të ikur në Kanada, UDB në një marrëveshje shkëmbimi me Sigurimin e Shtetit dërgon në Shqipëri pas 6 muajsh 3 ushtarët shqiptarë. “Në kamp, - thotë Fadili, - kishte edhe shumë shqiptarë të tjerë, por regjimi komunist kërkoi nga UDB me çdo kusht ushtarët.”
Hetuesia dhe dënimi me vdekje
Pas goditjes që iu dha tre të rinjve nga pamja e piramidës në Han të Hotit, rrugëtimi i vërtetë në burgjet e diktaturës nisi me mbërritjen po atë natë në Tiranë, ku, “sapo u futëm në oborrin e 313-ës, ushtarë, roje e oficerë filluan të na rrahin si të marrë”, - tregon Fadil Daja. Filloi një hetim i ashpër dhe i dhunshëm psikologjikisht që zgjati dy vjet. “Unë vendosa të mos pranoja asgjë veç arratisjes, - thotë Fadili, - pasi mbi mua u ngritën 6 akuza.” “Vendosmëria ishte e pazakontë, - thotë ai, - në asnjë rast nuk kam ofsharë për asgjë e asnjëherë nuk kam menduar të jepem, pavarësisht vuajtjes pafund. Mendoja se Zoti do të bënte diçka dhe vetëm tek ai shpresoja. Ajo që duhet të them, - thotë Fadili, - është se urrejtja për komunizmin tashmë u bë e thellë dhe në fakt aty e kuptova se ç’regjim gjakatar ishte. Më herët kisha patur iluzione dhe nuk mendoja se ishte një regjim i tillë. Kjo ma shtoi edhe më shumë forcën. Gjyqi ishte një tmerr më vete dhe zgjati disa muaj. Nuk prisja asgjë veç dënimit me vdekje, pasi mua prokurori, Ylli Minga, më cilësoi në akuzë si kryetar të grupit agjenturor. Isha i pagatitur të vdisja dhe vetëm besoja te Zoti. Në fakt, ky besim nuk m’u lëkund asnjë ditë”, - thotë Fadil Daja, sot rreth 35 vjet më pas. “Kështu, kur gjyqtari Fehmi Abdiu lexoi vendimin që më dënonte me vdekje, nuk pësova ndonjë tronditje të veçantë. Kur më çuan në qeli, për të herë të vetme në burg më rrëshqitën dy lot. Isha dënuar me pushkatim dhe po prisja ditën.” Fadilin e lidhin me zinxhirë në këmbë dhe duar dhe kokën ia mbulojnë me helmetë deri ditën që do të pushkatohej. “Kam kaluar 45 ditë, - thotë ai, - i lidhur dhe i mbuluar me hekura në pritje të pushkatimit. Një bindje e brendshme më bënte të besoja. Pas 45 ditësh komisari i burgut jep urdhër të më zgjidhin. Ai më thotë tekstualisht se, Partia si një nënë e dhembshur më kishte falur jetën. Ai më kërkoi se ç’mendim kisha për faljen e jetës nga Partia. Pa asnjë lëkundje, - tregon Fadil Daja, - i thashë se mua jetën ma ka falur Zoti dhe jo Partia. Ai u tërbua, u shokua dhe nuk po e besonte se pas gjithë atyre ditëve në pritje të pushkatimit unë nuk falënderoja partinë për jetën, por Zotin. Vendosmëria ime në mosnënshtrim tashmë ishte e hekurt, - thotë ai.”
Në birucat e Spaçit për dy vjet
E dërgojnë në burgun e tmerrshëm kamp të Spaçit. Ai vendos të mos punojë asnjë ditë në minierë, ku rrëgjoheshin të burgosurit. Spaçi ishte një Gulag i tipit sovjetik, ku lëngonin të gjithë ata që regjimi komunist i quante armiq. Për Fadilin nis një jetë e re birucash. Refuzimi për të punuar në minierë e çon direkt në birucë. Nis një hetuesi e re. “Unë kisha vendosur të mos iu nënshtrohesha më atyre, - thotë ai. - Biruca ishte e tmerrshme. Shumë të burgosur politikë e kanë provuar atë ose thuajse e kanë provuar të gjithë. Shumë prej tyre kanë treguar për ato tmerre. Një qeli pa dritare, pak më shumë se 2 metra katrorë ishte biruca.” Më 12 të natës një gardian gjakatar i përmendur edhe nga shumë të burgosur të tjerë në libra e dëshmi, i jepte një batanije dhe ia merrte më 4 të mëngjesit, kur temperaturat jashtë shkonin në -20 gradë. Gjithçka ishte në kufijtë e mbijetesës. “Kjo nuk më bënte të ndryshoja qëndrim, - thotë Fadili, - dhe me vendim gjyqi më dërguan në burgun e Burrelit. Atje jeta ishte po ashtu e vështirë dhe të burgosurit ishin të ndarë në grupe: hrushovianët, titistët, klerikët, rebelët etj. Unë isha te rebelët, - thotë Fadili. - Në burg kam njohur disa prej njerëzve më të fortë dhe më të mirë të gjithë jetës time, - tregon ai. Klerikë të Kishës katolike, si At Zef Pllumi apo Frano Ilia, një klerik të mrekullueshëm të fesë myslimane, si Sabri Koçi, i cili rrezatonte qëndresë dhe urtësi të pazakontë. Në burg kam njohur gazetarë dhe djem të shkëlqyer si Fadil Kokomani, Vangjel Lezho apo Fatos Lubonja etj. Janë edhe shumë patriotë e njerëz të jashtëzakonshëm që kam njohur aje. Shpresa se një ditë do të liroheshim tek unë nuk vdiq asnjëherë. Besoja se Zoti një ditë do ta ndryshojë këtë regjim. Një muaj para se të pushkatohej, Fadil Kokomani më bëri që shpresa të merrte krahë. Ai më tha se Enver Hoxha është prishur me kinezët dhe se tani në Partinë e Punës do të fillonte një gjueti me vrasje mes njëri-tjetrit pa ndalur dhe se regjimi më pas do të binte. Këto fjalë më mbetën në mend, - thotë Fadil Daja, - dhe Kokomanin e doja shumë dhe e vlerësoja shumë.”
Lirimi, ikja direkt nga burgu në Greqi
Grupi i Fadil Dajës u lirua i fundit nga të burgosurit politikë. Kjo ndodhi në prill 1992. Fadil Daja nuk kishte askënd në shtëpi. S’kishte as shtëpi. Dy vëllezërit të mbushur me vrer nga regjimi komunist dhe nga vuajtjet që pasuan kishin ikur në Gjermani me ambasadat më 2 korrik të 1990. Prindërit e Fadilit kishin vdekur në një aksident, ku humbën jetën të gjithë pasagjerët e një autobusi që ra në Fushë-Arrëz në vitet ‘80. Prindërit e Fadilit po shkonin të viziton të birin në burg. Kështu, nga dera e burgut Fadil Daja menjëherë pa takuar askënd niset për në Kakavijë, pastaj mori malin në Greqi. Fadili ka vite që jeton atje tashmë dhe në Shqipëri vjen vetëm për pushime. Zhgënjimi i tij është i pafund dhe fajëson të gjithë klasën politike. E quan atë të tërën komuniste dhe as që ka fare shpresë. “Në burg kisha më shpresë sesa tani për këtë vend, - thotë ai. - Njerëz të lidhur me regjimin komunist, që kanë bërë krime, kanë dënuar njerëz, edhe mua, edhe shumë të tjerë, - thotë. – Shumë prej tyre janë në drejtim të vendit.