Rekordet poshtëruese të BerishësNga Lavdosh Ferruni“Theva rekordin tim të një viti më parë duke notuar 123 minuta”, - njoftoi Berisha sot mediet. Lajmi zuri vend mirë në media, ashtu siç zuri edhe rekordi i Berishës në ngjitjen e numrit më të madh të
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rekordet poshtëruese të BerishësNga Lavdosh Ferruni“Theva rekordin tim të një viti më parë duke notuar 123 minuta”, - njoftoi Berisha sot mediet. Lajmi zuri vend mirë në media, ashtu siç zuri edhe rekordi i Berishës në ngjitjen e numrit më të madh të shkallëve në Murin e Madh Kinez. Nuk mund të mos përgëzohet kryeministri ynë për kësisoj rekordesh që i hipën krahëve dhe këmbëve të veta. Ka disa rekorde të tjera që Berisha po përpiqet t’i thyejë, por ndryshe nga të mësipërmet, duke ia hipur Shqipërisë. A nuk është drejt një rekordi Berisha duke prerë pyjet e sheshuar kodrat nga Fushë-Kruja në Balldren të Lezhës për të ushqyer 8 fabrika çimentoje që nuk i duhen Shqipërisë? A nuk është drejt një rekordi Berisha duke lejuar super-TEC-in ndotës me qymyr të importuar nga Afrika e Jugut me destinacion energji të pastër në Itali? A nuk është drejt një rekordi Berisha me faljen e 500 ha bregdet turistik në perlën e Mesdheut në Gjirin e Vlorës për ndërtimin e portit më të madh të kontejnerëve në Mesdhe?
Le të ndalemi pak te ky rekordi (nuk vendoset në thonjëza, se është vërtet rekord i paparë), më i fundit i Berishës me Vlorën. Themi më i fundit, se Berisha ka thyer shumë rekorde duke përdorur Vlorën, që me piramidat e ‘97 e deri sot me rekordin me TEC-in e Vlorës, një vepër 120 milionëshe në mes të plazhit të Triportit, që do mbetet si muze, nëse nuk do bëhen abuzime të mëtejshme me paratë publike duke blerë naftë D1 për ta djegur aty, në vend të çmimit më të ulët të energjisë në tregun ndërkombëtar.
Arritja e rekordit me zonën e lirë të Vlorës, duke qenë një super-rekord, nuk mund të mos shoqërohet me një sërë taktikash prej Berishës, teksa ai e di mirë se vetëm me forcën e tij dhe të ekipit të tij nuk mund të arrij objektivin. Ai ka pa dyshim frikë dhe nga vërshëllimat e publikut vlonjat, të cilin e ka zhgënjyer disa herë. Nuk është e rastësishme që tani në ditët e para të gushtit, në kulmin e pushimeve verore për shqiptarët, falë dhe mbushjes së familjeve me motrat e vëllezërit emigrantë, qeveria, edhe pse në ditët e fundit të mandatit të saj, vendosi të bëjë një hap të rëndësishëm drejt nënshkrimit të kontratës për kalimin edhe 500 hektarë të tjera të bregdetit të Vlorës (pas 18 hektarëve dhënë Petroliferës), kompanive të huaja. Ajo vendosi dje si autoritet kontraktues Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe miratoi bonusin prej 8% të pikëve në procedurën përzgjedhëse konkurruese të propozimit të pakërkuar për një shoqëri të huaj që quhet “Zumax AG”, një shoqëri tërësisht e dyshimtë. Hapi tjetër taktik i Berishës duket se është që ta kalojë në Kuvend ligjin për shndërrimin e territorit turistik të Vlorës në territor industrial në dobi të kompanive të huaja, pikërisht në ndonjë situatë të amullt të provokuar prej tij në fillimet e Kuvendit të ri. Pjesë e taktikave të Berishës ishte dhe glorifikimi i turizmit në bregdetin jonian në ditët e fundit, duke shmangur plotësisht ndonjë koment atje për zhvillimin e industrisë në zonën e lirë, por të nesërmen (pra dje), firmosi vendimin e qeverisë për shndërrimin e Vlorës në qytet industrial. Taktika që Berisha po përdor është të shmangë ballafaqimin e zonës industriale me zonën turistike në Vlorë. Kur flet për turizëm, nuk thotë asnjë fjalë për industrinë, kur flet për industrinë, nuk flet asnjë fjalë për turizmin. Dje që foli për industrinë, u përpoq të degdisë publikun dhe mediet te rekordi i tij i notit. Është e pabesueshme se si kryeministri i një vendi demokratik ndërmerr iniciativa vendimmarrëse për super-vepra duke mos respektuar, jo vetëm qytetarët e vet, por dhe ligjin që kërkon për kësisoj veprash, jo vetëm informim të publikut, por dhe pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje. Ajo që Berisha i ka thënë publikut, është se porti i madh i Vlorës është më i madhi në Mesdhe dhe kaq, absolutisht asgjë më tepër. Ndërsa për shndërrimin e 500 hektarëve të bregdetit turistik në zonë të lirë industriale ka thënë (më shqip, ka gënjyer), se do të punësohen 50 mijë vetë. Historia në mbarë botën ka vërtetuar katërcipërisht se tek është një port kontejnerësh, aq më tepër i një madhësie si ky i Vlorës (që do jetë 200 herë më i madh se porti i Durrësit dhe 2 herë më i madh se Porti i Pireut), nuk mund të flitet për turizëm. Çudia e madhe është se portet në botë janë porte të konceptuara e ndërtuara 100 vjet më parë, kur turizmi bregdetar nuk ekzistonte si sektor ekonomik, kurse Berisha po do të ndërtojë port mallrash (përfshi aty dhe platforma nafte) në një zonë dhe në një qytet që ka të paktën 20 vjet që ka një eksplozion të sektorit të turizmit. Me gjithë përpjekjet e tij pak të ngjarë ka që Berisha të fusë portin e Vlorës në rekordet e tij. Berisha ia kërkoi vlonjatëve votën duke i premtuar atyre ndërtimin e portit të madh dhe 50000 të punësuar. Vlonjatët nuk ia dhanë votën. Berisha duhet të heqë dorë nga ky rekord poshtërues, nëse nuk do të jetë vetë i poshtëruari.