Trupat paqeruajtëse që do nisen drejt Afganistanit, me uniforma të sajuaraNga Edhe pse tashmë Shqipëria është anëtare me të drejta të plotë në NATO, kushtet e ushtrisë sonë vazhdojnë të jenë skandaloze. Kështu, ndërsa 108 ushtarë pritet që këto dit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Trupat paqeruajtëse që do nisen drejt Afganistanit, me uniforma të sajuaraNgaEdhe pse tashmë Shqipëria është anëtare me të drejta të plotë në NATO, kushtet e ushtrisë sonë vazhdojnë të jenë skandaloze. Kështu, ndërsa 108 ushtarë pritet që këto ditë të nisen me mision paqeruajtës në Afganistan, disa prej ushtarëve, të cilët nuk duan të identifikohen, thonë se po shkojnë me uniforma të sajuara, duke filluar që nga këpucët, rrobat, kokorja, por edhe armët. Kushtet skandaloze, me të cilat ushtarët shqiptarë do të nisen drejt Afganistanit, tregojnë se sa joserioze është qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes.
Skandali
E ndërsa ushtritë e vendeve anëtare të Aleancës së NATO-s, në të cilën prej disa muajsh bën pjesë edhe Shqipëria, kanë standarde të larta, si nga ana e përgatitjes, ashtu edhe nga ana materiale, niveli i ushtrisë sonë është mediokër. Ky fakt duket më së miri që në uniformën e ushtarëve tanë që do të nisen si paqeruajtës në Afganistan. Sipas disa prej tyre, të cilët nuk identifikohen për shkak të frikës së ndonjë hakmarrjeje nga ana e eprorëve të tyre, thonë se do të shkojnë në mision me uniforma të sajuara. Ata shprehen se uniforma e tyre është prej mushamaje, ndryshe nga kolegët e tyre që i kanë prej rrobe ato, që në temperaturat e larta të Afganistanit është një problem më vete për ta, pasi përveç vapës, atyre iu duhet të përballin edhe nxehtësinë që iu shkakton uniforma. Kjo e fundit, thonë ata, është e sajuar si mos më keq, teksa ngjyra e saj është jeshile, ndërsa jelekët, të cilët janë të gjithë të përdorur, janë ngjyrë e bardhë, duke krijuar kështu një uniformë qesharake. Ndërkohë, e njëjta gjë mund të thuhet për kokoret dhe këpucët, të cilat, përveçse të përdorura, janë të mëdha, dyfishi i atyre që iu duhen ushtarëve. Sipas ushtarëve, kokoret u mbulojnë sytë, pasi është e madhe sa për të nxënë dy koka, ndërsa këpucët i kanë dy numra më të mëdha. Kushtet skandaloze të uniformës së ushtarëve që do të nisen me mision në Afganistan tregojnë seriozitetin e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat nuk plotësojnë kushtet më minimale. Sakaq, burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat po ashtu nuk duan të identifikohen, për shkak të frikës së hakmarrjes nga eprorët e tyre, thonë se ka pasur fonde për blerjen dhe pajisjen e ushtarëve me uniformë dhe pajisje, por deri më tani kjo gjë nuk ka ndodhur. Për pasojë, ushtarët vazhdojnë që të vishen dhe të përdorin uniforma të vjetra dhe të papërshtatshme, madje dhe nëpër misione ndërkombëtare, duke bërë kështu një figurë të keqe në sytë e homologëve të tyre. “Na vjen turp para kolegëve tanë, para të cilëve paraqitemi me këpucë dy numra më të mëdha, të cilat i tërheqim zvarrë dhe kokore dy herë më të madhe se koka jonë, e cila na bie mbi sy”, - thotë një prej ushtarëve që ka qenë në një prej misioneve paqeruajtës në Afganistan. Ndërkohë, këta të fundit shprehen të pakënaqur edhe me pagesat që do t’iu bëhen gjatë këtij misioni, pasi, sipas tyre, “edhe pse po vëmë kokën në rrezik, shteti na paguan vetëm 60 dollarë dita”. Përveç kësaj, ata shprehen të pakënaqur edhe në lidhje me rrogat e tyre, të cilat janë shumë larg vendeve të tjera anëtare të NATO-s, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria. “Është qesharake që një ushtar profesionist i një ushtrie që bën pjesë në Aleancën e NATO-s, të marrë vetëm 25 mijë lekë në muaj, ndërkohë që ushtritë e vendeve të tjera i kanë shumë herë më të larta. Edhe pse shteti na premtoi se do na i rriste rrogat, kjo gjë deri më tani nuk ka ndodhur”, - shprehet një prej ushtarëve që nuk do të identifikohet. Megjithatë, pavarësisht mungesave dhe pakënaqësive, ata presin që gjatë këtyre tri ditëve të nisen drejt Afganistanit, ku do të qëndrojnë gjashtë muaj, me shpresën se gjërat do të rregullohen shumë shpejt.
Trafikimi i një fëmije 8-vjeçar në Francë, pranga 32-vjeçares
Ka përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit një 32-vjeçare, e cila ka tentuar që të kalojë në mënyrë ilegale një fëmijë 8-vjeçar drejt Francës, të cilin dyshohet se ka pasur si qëllim ta trafikojë. Sipas burimeve të policisë, e prangosura është Miranda Gomes, banuese në Tiranë, me kombësi shqiptare dhe shtetësi franceze. Kjo e fundit është arrestuar në zonën e transitit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe tashmë do të procedohet penalisht për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Burimet e policisë thanë se e dyshuara ka tentuar që të kalojë fëmijën 8-vjeçar me pasaportën e djalit të vet, duke qenë se ngjashmëria e këtyre të fundit ka qenë e madhe. “Miranda Gomes dyshohet se duke qenë rezidente në Francë e pajisur me pasaportë franceze, ka ndihmuar të kalojë një fëmijë 8-vjeçar, duke e përdorur për këtë qëllim pasaportën e djalit të saj, pasi dy fëmijët kishin shumë ngjashmëri, i cili ishte i pajisur me pasaportë franceze”, - bëri të ditur policia e kryeqytetit. Sipas burimeve të policisë, dyshohet që 32-vjeçarja të ketë pasur qëllime trafikimi për fëmijën 8-vjeçar, ndërsa bëri me dije se është duke hetuar për këtë rast. Kjo, duke qenë se dyshohet që në këtë trafik të jenë përfshirë edhe persona të tjerë, për të cilët po punohet për identifikimin dhe arrestimin e tyre.