E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bordi vendos për komedinë e Kames

Teatri Kombëtar hyn në prodhim për komedinë "Toc toc" të francezit Laurent Baffie-së. Kame pas katër vjetësh në skenë


U bënë disa vjet që regjisori Gëzim Kame nuk po sjell në skenë një vepër si "Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër" e cila do të mbahet mend për energjinë e fortë dramatike në lojën e dyshes së aktorëve Ndriçim Xhepa dhe Yllka Mujo. Pse i referohemi asaj? Sepse pikërisht pas saj Kame u ndal o në komedi të lehta (Kali i karrocës) o në drama që nuk kanë lënë gjurmë (Pjata prej druri).


Projekti i tij më i fundit që u miratua më 19 mars nga bordi i Teatrit Kombëtar është prapë një komedi. Bordi i përbërë nga Kristaq Skrami, kryetar, (drejtori i TK-së), Agim Zajmi, Adriatik Kallulli, Petrit Malaj, Artan Minarolli, Altin Basha dhe Genc Sharku ka vendosur që kalendari i pranverës të vazhdojë me komedinë e artistit francez Laurent Baffie e cila deri në momentin që do t'i gjendet një titull i përshtatur në shqipe, do të mbajë origjinalin, "Toc toc". Është përkthyer nga Nonda Varfi.


Drejtori i Teatrit Kombëtar pohoi dje se trupa e Kames nis sot punën. Regjisori ka thirrur aktorët
Roland Trebicka, Rajmonda Bulku, Fatos Sela, Olta Dako, Ermela Teli, me disa prej të cilëve ai ka bashkëpunuar për "Pjatën prej druri". Vepra është shkruar më 2005, ndërsa autori i saj njihej tashmë në botën radio-televizive si prezantues dhe improvizues i suksesshëm, i angazhuar prej mëse 20 vjetësh në gjininë e humorit. Baffie ka provuar si aktor dhe skenarist në kinema. Profili i tij ka zënë vend në audiencën e emisioneve si "Ç'është ky bordell" në Europe 2 apo në radio me një emision titulli i të cilit ndërron çdo javë (Koloskopi, Nesër është e martë, Ishte më mirë e diela e shkuar, Papi bën rezistencë, Mirëseerdhët në RTL). Është angazhuar në emisionin "Double Jeu" në France 2 apo në ekranin e Canal+.
"Toc toc", historia e një neuropsikiatri me famë ndërkombëtare që nuk e sheh një pacient dy herë, u vu në skenë për herë të parë me aktorët Daniel Russo, Marilou Berry, Sophie Mounicot, Yvon Martin dhe pati shumë sukses, e cilësuar si një komedi e lehtë dhe dinamike, me dialogë të skalituar.


Vepra me regjisor Gëzim Kamen vjen në skenë në fund të prillit.
Bordi i Teatrit Kombëtar ka miratuar ndërkohë projektin për vënien në skenë të veprës së famshme të Edëard Albee-t "Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf" (Ëho's Afraid of Virginia Ëoolf?). Drejtori Skrami tha se regjisori shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi, ka bërë zjedhjen e trupës dhe të bashkëpunëtorëve. Skenografja kroate Ljerka Hribar ka mbyllur punën përgatitore për disa ditë në Teatrin Kombëtar. Ndërsa aktorë do të jenë Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Helidon Fino, Eftjola Laçka. Tre të parët i kemi parë bashkë në disa vepra në skenë dhe ekran. Drama e Albeet njihet sidomos për përshtatjen për kinema më 1966 me regji të Mike Nichols dhe sepse aty do të interpretonin aktorët e njohur Elizabeth Taylor dhe Richard Burton.
Titulli i dramës i cili aludon për shkrimtaren Virxhinia Ulf, por drama vetë nuk ka të bëjë me autoren e "Një dhomë me vete", "Zonja Dollëeuj" apo "Orlando" paçka se si ajo si Albee në kohë epoka të ndryshme rrokin temën e emancipimit të gruas dhe të marrëdhënies së gjinive. E thënë ndryshe, pyetja që shtron Albee me këtë dramë është: kush ka frikë që jetën ta jetojë pa iluzione kallpe. Jeta bashkëshortore, jeta familjare, dyshimet që ngrihen mbi të janë dyshime që Albee, ky autor që ndërton karaktere në situate ekzistenciale, po i hidhte mbi "ëndrrën amerikane". Në kohën kur është shkruar dhe është vënë në skenë "Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf" brezi i ri i dakadës së 60-70-s ishte për një tjetër "lojë" bashkëshortore, që të ishte e ndryshme nga e prindërve të tyre. "E vërteta dhe iluzioni: ku qëndron ndryshimi?", pyet Xhorxhi një nga katër personazhet, që ka të ngjarë ta luajë Xhepa.
Premiera do të jetë në shtator, siç thotë Skrami. Është e dyta vepër e këtij autori që prodhohet nga Teatri Kombëtar, pas dramës "Një ngjarje në zoo" me regji të Kastriot Çipit.
Bordi ka shqyrtuar edhe dy autorë shqiptarë, Stefan Çapalikun dhe Ruzhdi Pulahën, "të cilat nuk u hodhën poshtë si vepra, por i rikthyem për t'u riparë dhe për t'i sjellë edhe një herë".
Po dje Teatri Kombëtar shpalli të hapura aplikimet për "Festivalin e të Rinjve 2009". Më 20 maj mbyllet afati i dorëzimit të projekteve, deri më 10 qershor kur do të bëhet vlerësimi i tyre dhe nga kjo datë deri më 20 shtator duhet të bëhet zbatimi i projekteve dhe të realizohet dhënia e shfaqjeve. Në tetor organizohet java e Festivalit të regjisorëve të rinj. Këtë vit do të mbështeten financiarisht 6-7 projekte me fondin publik që MTKRS ka akorduar në vlerën 5.500.000 lekë. Për produksionet e të rinjve thuhet se përveç konkurrimit njëjavor do të kenë mundësinë e një turi nëpër teatrot bashkiake.


Po gjatë kësaj kohë, nga nesër deri në fund të prillit në premierën e ardhshme, me çfarë do të mbahet teatri? "Do të vazhdojmë me Filumenën", thotë Skrami. "Në datën 20 prill do të kemi përsëri "Trojanet" dhe "Filumena Marturanon" sepse vjen sekretari i përgjithshëm i Unionit Teatror Evropian për të parë dy shfaqje dhe në më 20 maj do të jemi në Drezden të Gjermanisë për të nënëshkruar futjen e Teatrit Kombëtar në Unionin Evropian Teatror. Kjo është ngjarje."

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›