Turi, Rama përsëri në Tropojën e "ndaluar"
Kreu i PS-së ka zhvilluar dje një vizitë në qytetin e Bajram Currit. Ai ka shëtitur qytetin dhe ka zhvilluar një takim me të rinjtë e rrjetit të vullnetarëve
Vizita e kryesocialistit në Tropojë, është e dyta brenda një harku kohor njëvjeçar. Rama ishte në Tropojë dhe vjet
As opinioni ndër vite, i atyre që kanë pasur frikë ta vizitojnë, e as temperaturat nën zero e rrugët e bllokuara nga bora, nuk kanë penguar Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që të vizitojë për të dytën herë, brenda një harku kohorë prej një viti, Tropojën.
Qyteti i pashkelur për vite me radhë nga liderët e tjerë politikë, përfshi këtu edhe Kryeministrin Sali Berisha, ka mirëpritur dje kreun e socialistëve, Edi Rama, në një takim në kuadër të turit me vullnetarët e ndryshimit.
Vizita
Kur pritej që Tropojën ta vizitonin krerë të forcave të tjera politike, atje ka mbërritur lideri i opozitës, Edi Rama.
Për shkaqe organizative, por edhe të sigurisë, vizita në qytetin problematik të Bajram Currit, është zhvilluar përtej vëmendjes së medias. Kështu, kreu i PS-së, në vijim të turit të tij të takimeve me rrjetin e vullnetarëve, në mes borës dhe të ftohtit, i shoqëruar nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, ai i programit, Andis Harasani dhe kreu i "Fondacionit Qemal Stafa", Sajmir Tahiri, ka mbërritur dje në mesditë në qytetin verior. Fillimisht ai ka zhvilluar një shëtitje në qytet, ku dhe është takuar dhe përshëndetur me banorët e rastit.
Më pas, gjatë pasdites, ai ka marrë pjesë në takimin që është zhvilluar në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti me të rinjtë e këtij rrjeti. Burime të pranishme në këtë vizitë, kanë bërë të ditur se takimi i kreut socialist është zhvilluar i qetë dhe pa asnjë incident, ndërsa banorët dhe të rinjtë e kësaj rrethine nuk kanë nguruar të bashkëbisedojnë me të për problemet dhe nevojat që shoqërojnë jetën e tyre.
Gjatë fjalës së tij të rastit, shefi i selisë rozë ka vënë edhe një herë theksin tek nevoja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve përtej kufijve partiakë, si mundësia e vetme për të sjellë ndryshimin edhe në zona të largëta, siç është edhe Tropoja. Ashtu si edhe një vit më parë, banorët e Tropojës e kanë mirëpritur vizitën e Ramës, teksa kanë thyer barrierat ndarëse të vendosura nga politika gjatë gjithë këtyre viteve.
Historiku
Rama është edhe politikani i fundit i lartë që ka vizituar Tropojën, më 25 prill të vitit të shkuar.
Ndërkohë që, të gjithë drejtuesit e lartë shtetërorë dhe partiakë, nga të dy krahët, nuk kanë guxuar që të shkelin në të prej shumë vitesh. Shembulli më konkret është Kryeministri Sali Berisha, i cili e ka vizituar vetëm tre herë vendlindjen e tij në vitet 1992, 1993 dhe 1997. Sot, 12 vite më pas, ai nuk ka gjetur ende kurajën për të shkuar në vendlindjen e tij, pasi i druhet një grupi njerëzish që janë betuar se do marrin hak ndaj tij, për gjakderdhjen që ka shoqëruar këtë qytet për më shumë se një dekadë me radhë.
Përveç Kryeministrit Berisha, edhe Fatos Nano e ka pasur "të ndaluar" ta vizitojë Tropojën dhe, gjatë ushtrimit të postit të Kryeministrit, por edhe të Kryetarit të PS-së, nuk ka guxuar asnjëherë të shkelë në këtë qytet.
I vetmi që guxoi të thyejë këtë tabu ka qenë ish-Kryeministri Ilir Meta, në vitin 2000, por duke gabuar, pasi mitingu që u zhvillua prej tij në Bajram Curri, u shoqërua me jo pak incidente. Këto incidente duket se e kanë detyruar atë që të anulojë dhe një vizitë të programuar prej tij gjatë javës së shkuar.