Lajthit Berisha: Prokuroria është parti
Dy ditë pasi dosja e plotë e hetimit të tragjedisë së Gërdecit, për të cilën akuzohet si përgjegjës dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mbërriti në Gjykatë, organi i akuzës ka rënë pre e një sulmi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Sali Berisha. I ulur në krah të Mediut, me të cilin ka nënshkruar dje dhe marrëveshjen e re të bashkëpunimit, shefi i qeverisë nuk ka nguruar të akuzojë hapu Prokurorinë si të kapur politikisht.
I pyetur nga gazetarët nëse marrëveshja e bashkëpunimit, e lidhur me PR-në, Kryetari i së cilës është nën akuzë për ngjarjen e rëndë të Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë, do të kishte një efekt negativ edhe për vetë të djathtën, Kryeministri Berisha i ka quajtur konkludimet e Prokurorisë si të falsifikuara dhe të montuara politikisht dhe, për rrjedhojë, s'do të kenë asnjë ndikim në zgjedhjet e ardhshme.
"Prokuroria, me akuzat false që ka formuluar në fillim, ka përdhosur të vdekurit. Mos harroni se ata janë vëllezërit e mi, vëllezërit e tu, nënat tona, motrat tona, njerëzit tanë.
Në mënyrën se si nisi Prokuroria, me urdhrat politikë, ka formuluar pseudo - akuza", - tha Berisha. Shefi i qeverisë, duke iu rikthyer zanatit të tij të hershëm kur ishte në opozitë, ka komentuar edhe akuzat konkrete të bëra nga Prokuroria për Mediun, i ka dalë atij në mbrojtje dhe duke hedhur poshtë si të pavërtetë akuzën për shmangie nga vendimmarrja, ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm.
"Ka qenë ky Kryeministër që ju ka thënë ju se duhet të zbardhet e vërteta dhe duhet të jeni të bindur se e kam bërë jo për të mbrojtur ndokënd mbi tokë, por vetëm për të mbrojtur hetimin që duhet të bëhej, pasi, nëse e akuzon tjetrin për atë që nuk qëndron, siç iu tha zotit Mediu, se ai ka shmangur dhe anashkaluar ushtarakët, kjo është si t'i thuash këtij populli se 'ti ha bar'.
Me formulat e vjetra dhe unë mund të të them ty ç'të duash dhe ti më beson, por aty ishin 32 dokumente, secili me nga 3 deri në 7 firma dhe nuk kishte asnjë shmangie. Por, ku ishte problemi? Problemi ishte se duhej devijuar një linjë e tërë, në mënyrë që dikush, diku, të dilte krejtësisht i larë", - tha më tej Berisha.
Ai ka sulmuar edhe mediat që kanë publikuar dosjen e plotë të Prokurorisë për Mediun, si bashkëpunëtore me ata persona që kërkojnë ta kthejnë këtë çështje në një sulm politik ndaj gjithë mazhorancës. "A e keni parë sot dosjen të publikuar në media? Kush e nxori dosjen? E nxori opozita?
Jo, nuk e ka nxjerrë opozita. Unë do doja të thosha se e ka nxjerrë opozita. E ka nxjerrë ai që do të shndërrojë Prokurorinë në parti politike. Dosja sot del nga të dobëtit, të keqpërdorur politikisht, që kanë frikë nga ligji dhe marrin e bëjnë mediatizim. Ky nuk është shteti ligjor", - u shpreh Kryeministri.
Dule: Akuzat ndaj Bollanos janë absurde
GJIROKASTËR- "Absurd dhe përçues të një imazh të keq për drejtësinë shqiptare". Kështu e ka cilësuar procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Himarës, njëkohësisht Kryetar i organizatës OMONIA, kreu i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, duke ju referuar kërkesës së Prokurorisë. "Ky proces është një absurditet që kërkon ta mbajë vendin tonë larg asaj që po ndodh në Europën moderne.
Dënimi i Vasil Bollanos kërkohet thjesht dhe vetëm se kërkoi që edhe në Shqipëri të zbatohet Konventa kuadër e Këshillit të Europës, për respektimin e të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve etnike, që është ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe është pjesë e legjislacionit të vendit.
Pra, me pak fjalë, është një absurditet, që do të ndikojë në krijimin e një imazhi të keq të drejtësisë në vend", - ka theksuar Dule. Deklarata është bërë në Gjirokastër, ku kryetari i PBDNJ-së u ndal për një takim me anëtarësinë e kësaj force politike, në kuadër të fushatës parazgjedhore.
Parashtrimi i platformës dhe ofrimi i risive kanë qenë qëllimet strategjike të këtij takimi. Sipas Dules, janë tre elemente që do të bëjnë të mundur realizimin e këtij qëllimi dhe, përkatësisht, ngritja e bërthamave zgjedhore për çdo qendër votimi, diskutimi i alternativës elektorale dhe kandidaturave të mundshme që do të çojnë në vendimmarrjen përfundimtare për çdo qark.
Dule ka pohuar gjithashtu se, në rast të mos arritjes së konsensusit me koalicionet, do të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare dhe se gjithçka do të vendoset në kongresin e kësaj partie, që pritet të mbahet së shpejti.