Vriten dy policë për shkak të detyrës, Nishani: Ngjarja për sherre banale
Policia ka arrestuar dje të dyshuarin për vrasjen e dy oficerëve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. I arrestuari është 34-vjeçari Afrim Hasani, lindur e banues në fshatin Shënmëri të Kukësit. Ky i fundit është prangosur pak kilometra larg vendit të ngjarjes, ndërkohë që mësohet se nuk ka bërë rezistencë gjatë momentit të arrestimit. Policia bëri me dije se motivi i ekzekutimit të dy oficerëve të policisë ka qenë një denoncim i këtyre të fundit ndaj 34-vjeçarit Hasani. Vetëm pak orë nga prangosja e të dyshuarit, policia kishte ofruar 50 mijë euro për çdo informacion në lidhje me gjetjen e vendndodhjes së tij. Sakaq, pasditen e djeshme, qindra banorë kanë përcjellë për në banesën e fundit dy punonjësit e policisë, të cilët u ekzekutuan mbrëmjen e së hënës, teksa prisnin që të merrnin shërbimin.
Arrestimi
Pas kërkimeve intensive nga ana e forcave të policisë së Kukësit, Hasit, Shkodrës dhe forcave RENEA, mesditën e djeshme është bërë i mundur arrestimi i të dyshuarit për ekzekutimin e dy punonjësve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila.
“I dyshuari Afrim Hasani, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Shënmëri të Kukësit, u arrestua përgjatë një operacioni që u zhvillua në zonën përreth fshatit ku banon, pak kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja”, - bëri të ditur gjatë një komunikate për shtyp Policia e Shtetit.
Afrim Hasani, i identifikuar nga policia si ekzekutori i dy oficerëve të policisë, është ndaluar në fshatin Petkaj, ku dhe banonte. Policia tha se ai është kapur gjatë operacionit të kërkimit, në afërsi të banesës së tij, në brigjet e liqenit të Fierzës. Hasani është arrestuar në një banesë të braktisur, teksa ka qenë duke fjetur. Sipas burimeve të policisë, i dyshuari gjatë momentit të arrestimit nuk ka bërë rezistencë. Sakaq, në momentin e prangosjes, 34-vjeçarit i është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se ka ekzekutuar dy punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. Operacioni për prangosjen e të dyshuarit është drejtuar nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, si dhe zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri.
Nga hetimet e kryera nga policia, këta të fundit kanë arritur në përfundimin se 34-vjeçari Hasani ka qenë pikërisht ekzekutori i viktimave. “Nga tërësia e veprimeve të para rezultoi se autori i kësaj ngjarjeje ishte Afrim Avdi Hasani, 34 vjeç, lindur dhe banues në Shënmëri, i cili ka qëlluar me armë zjarri automatike, që e mbante pa leje”, - bëri të ditur policia.
Në lidhje me motivin e ekzekutimit të dy oficerëve të policisë policia bëri me dije se ka qenë një denoncim i këtyre të fundit ndaj të dyshuarit si autor. Vetëm pak para prangosjes së të dyshuarve, Policia e Shtetit premtoi 50 mijë euro për çdo person që do të jepte të dhëna në lidhje me vendndodhjen e të dyshuarit si ekzekutor të Shkëlzen Dobrushit dhe Ramdan Hilës. I dyshuari Afrim Hasani, sipas policisë, ka qenë edhe më parë i proceduar penalisht. Tashmë, policia është duke kryer ekspertizën e armës së gjetur 34-vjeçarit për të vërtetuar nëse ajo është arma, me të cilën u ekzekutuan dy oficerët e policisë. Ndërkohë, Hasani do të procedohet penalisht për veprën e “Vrasjes me paramendim” dhe tashmë rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Ekzekutimi
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22.00 të mbrëmjes së të hënës. Sipas policisë, dy oficerët e policisë, Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila, ndodheshin në një prej lokaleve buzë rrugës në fshatin Shënmëri të Kukësit. Ata ishin në pritje të marrjes së shërbimit, ndërsa pronari i lokalit ishte duke bërë pastrimet e fundit, përpara se ta mbyllte. Përveç tyre, në lokal nuk ndodhej asnjë person tjetër. “Afrim Hasani ka hyrë në lokal në momentin që dy policët po hynin brenda. Ai i tha pronarit që të hapej, sepse nuk kishte punë me të dhe nisi që të qëllonte me automatik në drejtim të dy policëve”, - bëri të ditur policia për ngjarjen e rëndë. Si pasojë e plumbave, të dy policët kanë mbetur të vdekur në vend, ndërsa pronari i lokalit nuk ka marrë asnjë dëmtim. Pas kësaj, autori është larguar në drejtim të malit për t'i shpëtuar policisë.
Motivi
Motivi për ekzekutimin e dy punonjësve të policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, zë fill më datën 17 shkurt të këtij viti, kur 34-vjeçari Afrim Hasani ka shkaktuar konflikte me disa qytetarë në njërin prej lokaleve të zonës së Shënmërisë, shumë pranë rrugës nacionale që lidh Kukësin me Fushë-Arrësin. I ndodhur në gjendje të pirë, Hasani ka goditur klientët e këtij lokali, ndërkohë që pronari tij ka kërkuar ndihmën e policisë. Pas kësaj, në lokal kanë mbërritur dy policët e postës së Shënmërisë, konkretisht policët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. Këta të fundit, pasi kanë inspektuar vendin e ngjarjes dhe në përmbushje të detyrës së tyre, kanë hartuar raportin përkatës, ku implikohej Afrim Hasani. Por kjo duket se nuk është kapërdirë gjatë nga i akuzuari për këtë ngjarje, i cili një natë më parë, pasi ka konstatuar se dy policët që ishin në krye të detyrës po pinin kafe pikërisht në lokalin e konfliktit, pa hezituar ka derdhur breshëri të shumta “Kallashnikovi”, duke realizuar krimin makabër ndaj dy policëve Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. Mësohet se autori i këtij krimi ishte njeri problematik në zonë, ndërkohë që disa herë kishte shkuar në emigracion në Greqi, por nuk kishte pasur shumë fat për t’u stabilizuar. Dy policët kanë ushtruar dhe një kontroll në banesën e Hasanit, ccka duket se ka shtuar dhe më tej zemërimin e tij duke sjellë dhe tragjedinë.
Hila dhe Dobrushi janë ndarë në këtë mënyrë nga familjet e tyre, ndërsa qindra qytetarë kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore.
Të dy punonin prej disa kohësh në polici, ndërsa ajo çka është për t’u theksuar është varfëria në të cilën jetonin të dy punonjësit e policisë.
Nishani në TV “Klan”: Ngjarja për motive banale, pas një sherri
Zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar kanë shprehur ngushëllime ndaj familjeve dhe të afërmve të dy policëve të vrarë në Kukës mbrëmjen e së hënës.
Ndërkohë, të hënën, ishte ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, që kumtoi lajmin në TV “Klan”, ku ishte i pranishëm në emisionin “Opinion”. Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik kërkonte sqarime. Në momentet e para, kur asgjë nuk ishte e qartë, të gjithë prisnin informacione nga ministri i Brendshëm, ndërsa ky i fundit deklaroi se ngjarja kishte ndodhur për motive të dobëta dhe u përpoq ta vishte këtë tragjedi me petkun e motiveve banale.
Gjithçka u përgënjeshtrua të nesërmen nga vetë policia, që pranoi se ngjarja kishte ndodhur për shkak të detyrës.