Borë në veri të vendit, vështirësot qarkullimi
Rikthimi i borës në zonën veriore dhe verilindore të vendit ka shkaktuar problemet e para në qarkullimin e automjeteve. Vështirësi ka pasur sot në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor që lidh Tiranën me Kukësin dhe me doganën e Morinit.
Probleme janë shënuar edhe në rrugët që lidhin Kukësin me Peshkopinë dhe Shishtavecin, ndërkohë që trashësia e borës në shumë zona i ka kaluar 10 centimetër.
"Reshjete dëborës që nisën në mëngjes në gjithë rajonin verilindor, kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën, në afërsi të Qafë-Shllakut” - ka bërë me dije drejtori i Drejtorisë rajonale të mirëmbajtjes së rrugëve, Rushit Gashi.
Sipas tij për të lehtësuar qarkullimin është nisur ne vend një borëpastruese, pasi trashësia e borës ka kaluar nga 10 centimetrat dhe situata ka qenë problematike.
Bashkë me reshjet e borës në shumë zona janë regjistruar reshje të dendura shiu dhe për pasojë ka pasur bllokim të akseve që lidhin mes tyre komunat e thella në zonën veriore të vendit.
Komunat e Arrnit, Grykë Cajës, Zapodit e Kalisit kanë mbetur të izoluara nga pjesa tjetër e vendit, pasi rrugët ka qenë e pamundur të kalohen.
Ndërkohë, zyra e emergjencave në Kukës ka nisur marrjen e masave për t’i bërë ballë situatës. Sipas drejtorit, Azem Tema, ëhstë duke u punuar për të mbajtur të hapura e për pasojë të kalueshme akset që kanë lëvizje më të madhe, si janë ato Morin-Kukës-Qafë Shllak.
Në një mot të tillë, kujdes po tregohet për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe të gurëve, që janë një tjetër problem për banorët e këtyre zonave.