"Braktisen" universitetet ne rrethe, dyndje Tirana
Tiranë- Partia Socialiste ka bërë përgjegjëse qeverinë për problemin e madh me të cilin po përballet arsimi i lartë dhe universitet publike, duke e akuzuar atë për stimulim të braktisjes së qyteteve të mëdha dhe mbipopullim të Tiranës.
Sekretarja e komisionit për edukim në PS, Ledi Shamku ka deklaruar sot përmes një kominukimi me mediat se kështu po veprohet edhe me fakultetet e qyteteve tona tradicionale, për të cilat Ministria e Arsimit sapo shpalli se do t'i financojë mbi bazë matematike, pra sipas numrit të të regjistruarve.
“Ministria e Arsimit zyrtarizoi një praktikë që ka mbi tre vjet që e ushtron, e që po ka si efekt rrënimin financiar dhe mbylljen e qendrave universitare më të rëndësishme të vendit siç po ndodh me universitetet e Gjirokastrës, Elbasanit apo të Shkodrës”- tha ajo.
Sipas saj, vendi sot drejtohet nga çeta Adhamudhësh që shërimin e kanë kuptuar si eliminim të të sëmurit.
Pasojat e këtij vendimi, sipas Shamkut do të jenë mbipopullimi i skajmë i Tiranës dhe braktisja e qyteteve tona kryesore nga rinia. Të parat që largohen janë elitat, e më pas afërmendsh qytetet do të braktisen masivisht edhe nga banorët e tjerë, ngaqë shumëkush do ta ketë të pamundur të punojë e të jetojë në qytete pa të ardhme, në të cilat, edhe kështu siç janë katandisur sot, niveli i jetesës është krejt i padurueshëm.
Ajo e ka quajtur këtë një "goditje mbas koke" që qeveria e moshës së internetit po u jep qyteteve tona tradicionale, në momentin që të gjithë prisnin strategji decentralizuese dhe rijetëzuese për skajet e atdheut.
Përkundër kësaj situate ajo ka garantuar se politika socialiste synon rijetëzimin e shpejtë të këtyre qendrave të kahershme të dijes.