Boris Tadiç do të vizitojë Tiranën
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar dje se mirëpret vizitën në Tiranë të Presidentit serb, Boris Tadiç, dhe se qeveria po punon konkretisht për realizimin e kësaj vizite që përbën në fakt një eveniment historik, pasi asnjëherë një kryetar i shtetit të Serbisë nuk e ka vizituar Tiranën. Në 1996 zhvilloi një vizitë të shkurtër disaorëshe Kryeministri i asaj kohe i Jugosllavisë, Milan Paniç. Por asnjëherë Tirana dhe Beogradi nuk kanë shkëmbyer vizita të rangut të lartë. Kryeministri Berisha e ka dhënë deklaratën e tij dje, pas takimit me zv/kryetarin serb të Parlamentit të Kosovës, Sllobodan Petroviç, i cili është njëkohësisht dhe kreu i Partisë Liberale Serbe në Kosovë. Berisha është shprehur se takimet e tij me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, janë shumë të shpeshta gjatë aktiviteteve ndërkombëtare dhe ajo çka vlerësohet shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se "Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t‘ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti Tadiç e ka mirëpritur shumë ftesën për të vizituar Shqipërinë". Ndërkaq, kreu i qeverisë ka pasuar qëndrimin e shefit të diplomacisë, Ilir Meta, për financimin e ndërtimit të serbëve të Kosovës. Berisha madje ka bërë të ditur edhe shumën e ndihmës së qeverisë shqiptare, e cila arrin shifrën e 400 mijë eurove që do të përdoren në Komunën e Graçanicës, shifër të cilën Kryeministri shqiptar e ka cilësuar "modeste". Prej dy ditësh në Tiranë ndodhet një delegacion i gjerë deputetësh serbë të Kosovës, i cili drejtohet nga Petroviç, partia e të cilit është në koalicion qeveritar bashkë me PDK-në e Thaçit dhe LDK-në e Sejdiut. Duke e cilësuar historike vizitën në Shqipëri të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë, Kryeministri Berisha u shprehu vendosmërinë e tij për të dhënë të gjithë kontributin e mundshëm në interesin më të mirë të bashkëjetesës së qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga origjina e tyre etnike. Ndërkaq, zv/kreu i Parlamentit të Kosovës, dhe një nga përfaqësuesit kryesorë të pakicës serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç, ka vlerësuar ndihmën e qeverisë shqiptare, duke e cilësuar një gjest më shumë sesa simbolik, vetëm me faktin duke e ditur se edhe në vendin tuaj situata ekonomike nuk është më e mira dhe se ju në një situatë të tillë jeni të gatshëm t‘u vini në ndihmë edhe atyre që dëshiroj të besoj se shtetet në rajon do të marrin shembullin e qeverisë së Shqipërisë dhe jam i sigurt se miqtë tanë nga Brukseli dhe nga Uashingtoni do ta vlerësojnë shumë pozitivisht këtë projekt të përbashkët tonin".
Topalli
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila ka zhvilluar një takim me delegacionin serb të Kosovës, deklaroi se pjesëmarrja e këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale është një shenjë e maturisë dhe e vullnetit pozitiv që vendet dhe popujt e Ballkanit kanë për paqen e qëndrueshme, por edhe për përshpejtimin e proceseve integruese. Një delegacion i përbërë nga ministra të qeverisë së Kosovës dhe deputetë të komunitetit serb kanë zhvilluar një vizitë zyrtare treditore në Shqipëri me ftesë të institucioneve më të larta të shtetit shqiptar. Delegacioni u kryesua nga deputeti Slobodan Petroviç, njëherësh kryetar i liberalëve serbë të Kosovës, ministri për kthim Sasha Rashiç, ai për çështje sociale Nenad Rashiç, si dhe Bojan Stojanoviç. Kjo është vizita e parë zyrtare e një delegacioni të liderëve politikë serbë, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e tyre në të gjitha instancat e institucioneve të Kosovës. Sot pritet që delegacioni i serbëve të Kosovës të jetë prezent në një darkë të shtruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.