Vendimi, qeveria legalizon 7 mijë banesa
Në vigjilje të festave të fundvitit, Këshilli i Ministrave miratoi të drejtën e pronësisë për 7000 familje në 10 qarqe të vendit, në kuadër të procesit të legalizimit të pronave informale. Sipas qeverisë, vendimi ka për qëllim kalimin e pronësisë së disa parcelave ndërtimore te poseduesi i ndërtimit informal, për trojet e zëna të regjistruara si pronë shtetërore pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Vendimi i djeshëm legalizon 5433 parcela objektesh informale, të vendosura në qarqet Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Berat, Fier, Dibër, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë. Vendimi që mori dje vulën e Këshillit të Ministrave përveç të legalizimit të ndërtesave, trajton edhe një kontingjent tjetër pasurish, që janë shtesat anësore informale në ndërtime me leje. Sipas vendimit të djeshëm,
në Qarkun e Tiranës janë 3551 parcela ndërtimore që marrin të drejtën e legalizimit me një sipërfaqe të përgjithshme trualli 126,130,532 metra katrorë. Ndërsa sipas vendimit, Qarkun e Durrësit, 511 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 17,564,162 metra katrorë. Nga ana tjetër në Qarkun e Shkodrës legalizohen 86 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1,607,692 metra katrorë, ndërsa në Qarkun e Lezhës, 234 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 55,460 metra katrorë. Nga ana tjetër, në Qarkun e Beratit janë 118 parcela ndërtimore që u legalizuan, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 2,433,246 metra katrorë dhe në Qarkun e Fierit, 51 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1,493,480 metra katrorë. Nga procesi i legalizimit u përfituan në Qarkun e Dibrës, 77 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 2,326,490 metra katrorë. Në Qarkun e Elbasanit u legalizuan 272 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8,196,210 metra katrorë. Po kështu, në Qarkun e Gjirokastrës janë legalizuar 36 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1,417,280 metra katrorë. Në listën e familjeve të legalizuara kanë përfituar nga vendimi edhe Qarku i Vlorës, ku janë legalizuar 497 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 17,105,795 metra katrorë. Vendimi i djeshëm ngarkon Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale, nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje. Në mënyrë të herëpashershme qeveria ka shpërndarë tapitë për legalizimet, për të plotësuar edhe një premtim të katër viteve më parë, i cili konsiston në legalizimin e plotë të gjithë ndërtesave ilegale, të cilat kanë nisur ndërtimin pas vitit 1990 dhe kanë vijuar deri pak vite më parë. Ky proces pritet të marrë fund edhe vitin e ardhshëm, me plotësimin e legalizimit të ndërtesave, të cilat gjenden në të 12 qarqet e vendit.