Zanati tejet modern i Hipokritit
Ka një tregim Azis Nesini, ky shkrimtar i njohur për publikun shqiptar më tepër si "komik". Është një histori që zhvillohet në një kontekst social interesant për sa u përket disa fenomeneve që po ngjasin gjithnjë e më shumë në botën e sotme, e sidomos në Shqipërinë e Re Demokratike, që e mpirë siç është para fushatës televizive elektorale të vazhdueshme që prej 19 vjetësh (e keni vënë re që ka 19 vjet që s‘pushon fushata elektorale, me mitingjet, përurimet, mashtrimet, skandalet, spektaklin?), ka ulur deri në fund të këmbëve çdo barrierë kulturore që do të mundësonte ruajtjen e ca vlerave pozitive. Terapia e shock-ut, shkatërrimi i institucioneve kulturore dhe edukative, inflacionimi i medias, si dhe injektimi i një doze akademike (ose spontane) nihilizmi postmodern e kanë lënë Shqipërinë të zhveshur mes erërave të acarta të kulturës së konsumit.
Po më mirë të kthehem tek Azis Nesini sesa të flas për mendimin mediokër, për postmodernizmin, për hiçin që niset nga hiçi. Në tregimin të cilit i referohem, ngjarja me pak fjalë është kjo:
Një baba biznesmen, pronar i një firme që merret me kultivimin dhe shitjen e foragjereve, kthehet në shtëpi dhe menjëherë përballet me kërkesën e gruas për para, pasi nevojitet të blihen disa produkte urgjentisht. Ndër to dhe këpucë për fëmijët e tyre. Kryefamiljari stepet, dhe i kujton të shoqes se si në të ri të tij këpucë blinte një herë në tre vjet, si paska mundësi që këta fëmijët e sotëm i ndryshojnë këpucët çdo dy muaj? Gruaja i kthehet duke i treguar këpucët e grisura të fëmijëve dhe të dy dalin në përfundimin që nuk bëhen më ato këpucët e atëhershme, që zgjasnin aq shumë e ta mbanin këmbën rehat... Bën ç‘bën burri niset të psonisë, dhe rrugës kalon te dyqani i këpucëve. Blen këpucë për fëmijët dhe ndërkohë i kërkon llogari dyqanxhiut: "Or po si ka mundësi që grisen kaq shpejt? Edhe kushtojnë gjithnjë e më shtrenjtë...". Dyqanxhiu i thotë: "Nuk je i pari që më ankohesh, nuk di ç‘të them, po unë këto i blej në fabrikë, dhe ata i rrisin çmimet e ndërkohë cilësinë e kanë ulur... nuk bëjnë më këpucë nga të qëmotit. Pastaj dhe unë duhet të fitoj diçka, se jeta është shtrenjtuar...". Me të mbyllur dyqanin dyqanxhiu shkon drejt e në fabrikën ku merrte këpucët dhe i thotë përgjegjësit: "Shiko, e keni bërë bozë. S‘di sa klientë më vijnë e ankohen për këpucët tuaja, nuk rrojnë hiç. E çmimet i keni të kripura. Nëse vazhdon kështu, do të shkatërroni biznesin tuaj, e biznesin tim!". Përgjigjet shefi i fabrikës: "Të kuptoj o dyqanxhi, ta di hallin. Po dhe ti përpiqu të më kuptosh, shihi lëkurët që na vijnë, janë gjithnjë e më të holla, gjithnjë e më pak cilësore, këta që na i shesin janë duke na e hedhur. Nuk prodhojmë dot më mall cilësor. Po ndërkohë që duhet të paguajmë punëtorët, na rritet dhe çmimi. S‘punojnë më për 1000 lira si dikur...". Dyqanxhiu shkon në punë të tij pa marrë përgjigje, ndërkohë që shefi i fabrikës ngre telefonin dhe merr furnitorin e lëkurëve: "Alo, i nderuar, kemi ankesa për lëndën e parë që na sillni. Duhet të zgjidhet ky problem, ato lëkurë nuk bëjnë për të prodhuar këpucë, çojini tjetërkund...". I kthehet lëkurëtari: "Dëgjo, nëse do kërko për tjetër furnitor, po unë po të them që tregu ka vetëm këtë lloj lëkure. Gjedhët që theren nuk janë më të qëmotit, rriten në stalla, kanë një lloj lëkure depresive, nuk i mbajnë mirë, janë delenxhinj këta blegtorët... Pale po dhe çmimet i kanë çuar në qiell...". Me të mbaruar kjo bisedë aspak e këndshme mes dy biznesmenëve, lëkurëtari fle, e të nesërmen që pa gdhirë çohet e i shkon drejt e te stalla njërit prej blegtorëve që i shiste lëkurët e i thotë: "Dëgjo o blegtor, pse më shet lëkurë të këqija? Kam ankesa për to, klientët e mi duan cilësinë e dikurshme. Si është kjo punë?". Blegtori përgjigjen e kishte në majë të gjuhës: "Lëkurëtar, unë nuk të bëj hile, po të rrisësh gjedhë sot kushton... Nuk ia dal po të blej foragjerin më të mirë, është i shtrenjtë ushqimi, përkujdesja... Prandaj ka rënë cilësia, se i kam rënë lapsit. Se dhe unë do fitoj diçka nga ky biznes, nuk do punoj për lopët". Pasi i dhanë të dy të drejtë me keqardhje njëri-tjetrit, blegtori ngrihet e shkon te dyqani i foragjereve, e i revoltuar i thotë pronarit: "Dëgjo or zotëri i thotë, brenda një kohe shumë të shkurtër ke trefishuar çmimin e foragjerit, nuk po ia dal dot, do më bësh ta mbyll stallën, e do mbetesh pa klientë...". Qetë-qetë i zoti i dyqanit i përgjigjet: "Miku im i mirë, ti e di që unë i respektoj klientët. Këtë biznes e kam trashëguar nga im atë, siç ke ti stallën nga babai yt ndjesë pastë. Edhe ata punonin me njëri-tjetrin si ne. Nuk i kam rritur unë çmimet, po jeta është bërë shumë e shtrenjtë. Imagjino, edhe këpucët që dikur zgjasnin tre vjet, sot rrojnë vetëm dy muaj. Dje sapo u bleva fëmijëve këpucë të reja, a e kupton se çfarë çmendurie? Këpucë të reja çdo dy muaj, Allahu na ruajttë...". Mirëkuptohen dy burrat, e secili kthehet me meditim e me shqetësim të platitur në hallin e vet.
Kjo ishte me pak fjalë, dhe e zhveshur prej bukurisë së rrëfimtarit, situata në tregimin e Azis Nesinit, një situatë që zhvillohej në një qytet të vogël turk, dikur rreth viteve ‘70. Bëhet fjalë për një histori njerëzish që punojnë, prodhojnë, konsumojnë, fitojnë gjithnjë më shumë se më parë, e në të njëjtën kohë varfërohen... në mënyrë paradoksale. Pse ndodh kjo? Në të gjithë ciklin e vogël të tregimit, që në fund fare mbyllet, shfaqen një sërë njerëzish që bëjnë punët e tyre pa asnjë pasion, që gjenden fare rastësisht në një pozicion apo në një profesion, dhe punojnë me të vetmin qëllim fitimin, fitimin dhe vetëm fitimin. Një sërë njerëzish që nuk e duan atë që bëjnë, që nuk e dashurojnë aktivitetin e tyre të përditshëm, madje që e urrejnë atë. Pikërisht kjo i bën hipokritë, ata dhe produktin e tyre (që në thelb është pjesë e qenies së tyre), dhe kjo bën kaq mjerane një jetë që e humbet sensin, e më pas kthehet në vegjetim të mërzitshëm, hedonizëm të pakulmuar. Kjo më kujton situatën e shumë shqiptarëve që janë për shembull ekonomistë, po nuk e duan ekonominë, nuk lexojnë, nuk mendojnë për alternativa zhvillimi. Shumë të tjerë janë marangozë, po nuk e duan këtë punë, përdorin materiale të dyshimta, përpiqen të mbarojnë sa më shpejt, e shpeshherë raftet e bibliotekës duhet t‘i riparosh nëse do që librat të mos të të zënë poshtë. Shumë janë bukëpjekës që ditë pas dite ulin gramaturat, apo shtojnë diçka në miell. Shumë janë pedagogë që nuk kanë haber nga praktika, e nga teoria njohin vetëm atë që u kanë treguar shkolluesit e tyre respektivë. Shumë janë policë që mbyllin një sy, ose dhe të dy, në shkëmbim të një pesëmijëlekëshi. Shumë janë IT që bashkë me programin të instalojnë dhe virusin, që t‘u blesh antivirusin. Shumë janë gra të martuara me burra të pasur, të shëndetshëm, por aspak tërheqës, gra që dhe seksin e kryejnë në mënyrë automatike duke pritur të mbarojë sa më shpejt. Shumë janë juristë që nuk besojnë te drejtësia, shumë janë shkrimtarë që shkruajnë për të shitur, shumë janë gazetarë që para se të kërkojnë të vërtetën kërkojnë komisionimin dhe parapagimin, shumë janë bujq që do të donin të ishin biznesmenë, shumë i thonë vetes politikanë duke qenë përbrenda satrapë etj. etj. etj.
Shumë prodhojnë, shumë konsumojnë, por akoma më shumë varfërohen nga gjithë ky treg produktesh mediokre, jocilësore, që rrezatojnë hipokrizi dhe që mbartin në thelb një lloj boshllëku depresiv. Hipokrizia, mungesa e lidhjes organike të njeriut me punën (që është kaq e natyrshme), është një fenomen i kohës, që prek gjithë "Perëndimin", por në Shqipëri pandemia ka lënë shumë pak pa prekur (kjo dhe për shkak të atyre barrierave kulturore të ulura, që kujtuam në fillim).
Të jetë ky mediokritet social, kjo hipokrizi vokacionale shkak i këtij depresioni që përjetojmë? Unë mendoj se po. Natyrisht që situata do të qe më mirë nëse të gjithë do të bënin me pasion atë që duan të bëjnë, produkti do të qe më cilësor, sistemi do të qe më dinamik, dhe zhvillimi më i shpejtë. Shpresa do të kthehej. Natyrisht që pjesa më e madhe lexuesve, ata që nuk duan të lexojnë (kushërinj të parë me shkronjësit që nuk urrejnë të shkruarit), mund ta akuzojnë këtë arsyetim për naiv. Por kam bindjen që një pjesë e vogël, njerëzit e dedikuar ndaj vetes së tyre, ndaj punës së tyre, ndaj komunitetit, do ta kuptojnë mesazhin. Janë ata që meritojnë respektin më të madh sot, janë mësuesit që me një rrogë minimale vijojnë t‘i përkushtohen vocave, janë ata pak policët që me kokë në trastë shkojnë e arrestojnë kriminelët, janë ata pak mjekë të rinj që nuk marrin ryshfet për të bërë punën e tyre fisnike, janë ata artizanë pleq që e dashurojnë zanatin e tyre që nuk sjell aq shumë pare, po sjell kënaqësi e krenari... Janë ata të rinj që lexojnë, ata të rinj që ëndërrojnë, ata që pavarësisht përvojës së tyre profesionale, akademike apo jetësore përpiqen të zhvillojnë një vizion (sa e pamundur duket), për vendin e për popullin e tyre. Janë shumë pak, por për mua janë mjaftueshëm që të mbajnë gjallë shpresën. Dhe në fakt, shpresa është!