Patozi: Mandatet e PS në dorë të institucioneve
Janë institucionet e shtetit ato që do të vendosin se çfarë do të ndodhë në rast se deputetët e opozitës nuk paraqiten për të bërë betimin në Kuvend deri në muajin mars të 2010-s. Ky është qëndrimi që mbajti dje kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, njëkohësisht nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, për çështjen e djegies së mandatave të deputetëve të Partisë Socialiste, nëse ata nuk bëjnë betimin si deputetë në sallën e Kuvendit deri në muajin mars. Patozi theksoi në "Ora News" se në lidhje me këtë çështje, ashtu si edhe me kërkesat e tjera të cilat vijnë nga radhët e opozitës, mazhorananca është e vendosur për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Duke folur për situatën politike në vend, si pasojë e bojkotit të Parlamentit nga ana e opozitës, Patozi nuk pranoi se bëhet fjalë për një krizë. Sipas kreut të grupit parlamentar të demokratëve, kriza e vetme është në mesin e Partisë Socialiste, si pasojë e lidershipit të saj. "Kriza është tek integriteti dhe përfaqësimi që është ulur këmbëkryq në PS. Madje, kjo krizë është për mbajtjen gjallë dhe të ndezur të konfliktit artificial në vend", deklaroi dje Patozi. Ai gjeti rastin t‘u bënte thirrje edhe një herë përfaqësuesve të opozitës në Parlament që të ndalin bojkotin e Kuvendit dhe t‘i ktheheshin jetës normale parlamentare, që është e nevojshme në një vend demokratik siç është Shqipëria. Përgjatë të gjithë kohës që PS ka vendosur të bojkotojë Parlamentin, mazhoranca ka bërë thirrje për dialog dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët për të ndërprerë bojkotin parlamentar. Ndërsa nga ana tjetër, opozita ka theksuar se i vetmi dhe i panegociueshmi kusht i saj për hyrjen në Kuvend, është hapja e kutive të votimit në disa zona të caktuara të vendit. PD e ka cilësuar gjithashtu këtë kusht si të panegociueshëm, nisur edhe nga fakti se sipas përfaqësuesve të saj, hapja e kutive të votimit është nuk është kompetencë e Parlamentit, por e institucioneve të drejtësisë, siç janë edhe gjykatat. Po kështu, përfaqësuesit e mazhorancës, theksojnë se faktori ndërkombëtar i ka konsideruar zgjedhjet si të lira dhe të ndershme dhe si më të mirat të zhvilluara ndonjëherë më parë në vendin tonë.
F.M.