Dëmshpërblim për 300 ish të përndjekur
Festat e fundvitit sollën dje dëmshpërblim financiar për rreth 300 ish të përndjekur politikë, të ndarë sipas kategorive të ndryshme. Kështu, qeveria miratoi dje propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për dëmshpërblimin e 287 personave të dënuar përgjatë diktaturës me burg, 19 familjeve të personave, të cilët janë dënuar me vdekje. Po dje, qeveria ka miratuar edhe listën e personave, të cilët nuk përfitojnë më dëmshpërblim financiar nisur nga statusi i tyre si ish të përndjekur politikë. Sipas vendimit të djeshëm, shuma për 290 personat, të cilët përfitojnë dëmshpërblim për vitet e burgut është 1,177,614,783 lekë. Ndërsa 19 familjet, të cilat përfitojnë si pasojë e dënimit kapital të të afërmve të tyre, arrijnë të përfitojnë në total 80.718.877 lekë. Në tabelën që shoqëron vendimin bëhet edhe zbritja e të ardhurave që këta ish të përndjekur kanë përfituar nga dëmshpërblimet e mëparshme të Ministrisë së Financave, ose institucioneve të tjera si Enti i Banesave. Në listë janë edhe 19 familje të tjera, të cilat e kanë përfituar më parë të gjithë dëmshpërblimin e tyre dhe tashmë shteti shqiptar nuk ka më asnjë detyrim karshi tyre.
F.M.