Borusia e Dortmunditkampione mes rekordeve në Gjermani
GJERMANI- Borusia e Dortmundit është shpallur kampione e Gjermanisë për herë të shtatë në historinë e saj. Sezoni 2010-2011 ka përfunduar me triumfin e verdhezinjve të Jurgen Klop, pas një dominimi absolut që nga starti. Duke përjashtuar Bajer Leverkusen, që është dorëzuar vetëm sot, favoritet e tjera për fitimin e titullit kanë dalë nga lufta shumë keq. Bajerni i Mynihut rrezikon të mos luajë në Champions League sezonin e ardhshëm, ndërkohë që Shalke ka shkëlqyer vetëm në kupa. Ndërkohë, Volfsburgu dhe Verderi nuk janë ende të sigurta nëse do të qëndrojnë në Bundesligë apo jo. Për të fituar trofeun dy javë para kohe, Borusia e Dortmundit kishte nevojë për vetëm 2 pikë për të lënë pas Leverkusen. E ndërsa kjo e fundit humbiste 2-0 në fushën e Këlnit, 80 mijë të pranishmit në “Vestfalenstadion” ishin duke duartrokitur triumfin 2-0 të ekipit të tyre ndaj Nurembergut. Golat e Barrios dhe të Levandovskit në pjesën e parë kanë mbyllur llogaritë me sfidën e sotme, ndërkohë që pas fishkëllimës finale të arbitrit, në stadium ka nisur një festë sa gjigande, aq edhe origjinale. Për Borusian ishte titulli i parë pas 9 vjetësh dhe i arritur pas një ecurie të frikshme. Ajo mori kryesimin e vetme në javën e 10-të, kur mundi të lërë pas Mainzin, zbulimin e pjesës së parë të këtij sezoni. Që nga ai moment, verdhezinjtë nuk e kanë lëshuar më kreun. Suksesi i dyfishtë me Bajernin e Mynihut dhe fitorja 3-1 në transfertë ndaj Bajer Leverkusen, kanë qenë momentet kryesore të kësaj skuadre.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)