Borxh për një javë
Vetëm edhe një javë do të ketë ngrohje. Kaq garanton Termokos, të cilit iu desh të hyjë në borxh edhe për 385 mijë euro, që garanton ngrohje vetëm edhe për një javë.
Në komunikatë për media këtë vendim menaxhmenti i Termokosit e arsyeton me gjendjen e vështirë financiare të kësaj ndërmarrjeje.
“Në këtë kuadër,“Termokos” është futur sërish në borxhe, duke siguruar me ndihmën e kontraktorit të mazutit edhe 700 tonë mazut për furnizim me ngrohje përgjatë javës në vazhdim”, thuhet në komunikatën e Termokosit.
Por, kjo shumë e mjeteve prej 385 mijë euro e ka thelluar edhe më shumë borxhin e ndërmarrjes ndaj kontraktorit të mazutit. Përjashto këtë shumë, borxhi për sezonin ngrohës 2010-11, është 261,158.90 euro, si dhe borxhi i sezonit të kaluar në vlerë 953,220.25 euro.
“700 tonë mazut do të shpenzohen në periudhën prej 13 -19 dhjetor 2010 dhe bazuar në temperaturat e ulëta të ajrit të javës në vazhdim, do të punohet me kapacitet të plotë (prej 5 h deri në 22 h)”, vazhdon komunikata.
Sipas analizës së Departamentit të Prodhimit, deri në përfundim të sezonit ngrohës 2010-11, “Termokosit” i duhen edhe rreth 12 mijë tonë mazut ose 5milionë e 400 mijë euro. Ndërkaq, në ditë të ftohta, bazuar në Diagramin Rrëshqitës mesdhetar, thuhet se “Termokosit” i nevojiten rreth 120 tonë mazut për 24 orë për furnizim stabil me ngrohje.
Ndryshe, situatën e rëndë financiare duket se nuk e ka përmirësuar as ndihma prej 153 mijë eurove nga Qeveria e Kosovës. Me rastin e shfrytëzimit të kësaj ndihme të nënshkruar nga ministri Ahmet Shala, prioritet i është dhenë ngrohjes së QKU-së.
Ndryshe, Termokosi vazhdon të ketë probleme të rënda financiare, pasi po rrezikohet ngrohja e qytetit, e veçanërisht e institucioneve me rëndësi të veçantë, si është QKUK`ja apo objektet shkollore. Duke u arsyetuar me shkurtimet buxhetore, kësaj kompanie nuk i ka ofruar ndihmë as Kuvendi Komunal i Prishtinës, ndonëse për këtë ai ka përgjegjësi ligjore.