Shesin pajisjet
Pajisjet e konfiskuara të antenave të operatorëve ilegalë nuk do të mbeten vetëm nën administrim të autoriteteve kosovare. Pritet që këto pajisje të shiten sipas procedurave të caktuara ligjore. Mjetet që do dalin nga shitja e tyre do të derdhen në buxhetin e Kosovës. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se është mjaft e arsyeshme shitja e tyre dhe gjenerimi i të hyrave nga këto pajisje. Gjatë këtij viti ky autoritet ka ndërmarrë dy aksione për largimin e operatorëve ilegalë të telefonisë mobile.
Ekrem Hoxha, drejtor i bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit(ART), thotë se të gjitha pajisjet e konfiskuara të këtyre antenave janë nën administrim të sigurisë së lartë të këtij institucioni.
“Të gjitha pajisjet telekomunikuese të sekuestruara nga ART gjatë dy fazave të aksionit për neutralizimin dhe bllokimin e operimit të operatorëve të paautorizuar, përfshirë ndalimin, heqjen e radio-sistemeve dhe pajisjeve përcjellëse telekomunikuese si antenat transmetuese, stacionet bazë, linçet mikrovalore të operatorëve të palicencuar, janë dhe do mbeten në administrim të sigurisë së lartë nga ana e ART-së”, thotë Hoxha.
Ai thekson se të gjitha këto pajisje në procedura ligjore edhe do të dalin në shitje.
“Deri në marrjen e vendimeve përkatëse nga autoriteti ligjor i ART-se, këto do të mbeten nën administrim të këtij autoriteti, përfshirë këtu edhe konsideratën për shitjen e tyre në procedura të përgjithshme të përcaktuara me akte normative për pajisjet e konfiskuara dhe procedurat e kushtet specifike të imponuara nga autoriteti ligjor - Bordi i ART-së”, tha Hoxha.
Eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, thotë se pasuria e konfiskuar është pronë e autoriteteve përgjegjëse të Kosovës. “Çdo pasuri e konfiskuar i takon autoriteteve vendore, të cilat rregullojnë sektorin e dhënë ekonomik. Duke pasur parasysh këtë, vendimi përfundimtar u takon atyre rreth destinacionit final të mjeteve dhe mallrave të konfiskuara”, thotë Abdixhiku. Shitja e mallrave të konfiskuara, sipas tij, është një praktikë e zakonshme në vendet moderne. “Prandaj edhe për vendin tonë kjo duhet të bëhet praktikë. Dhe nuk shoh ndonjë arsye ekonomike e logjike të shkatërrimit të tyre, prandaj me duket mjaft e arsyeshme shitja e tyre dhe gjenerimi i të hyrave”, tha Abdixhiku.
Rudina Heroi nga Instituti për Studime të Avancuara(GAP), tha për “Express”, se në bazë të Ligjit për Administrimin e Pasurisë së konfiskuar, mjetet nga shitja e pasurisë së konfiskuar derdhen në buxhet. “Ligji për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar ose të Konfiskuar themelon agjencinë për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas Nenit 5 të Ligjit, Agjencia në bashkëpunim me gjykatën, prokurorinë dhe organet e tjera kompetente ushtron të drejtë për ekzekutimin e vendimit për sekuestrimin apo konfiskimin e pasurisë”, thotë Heroi. Në këtë rast, ajo thotë se konfiskimi i pasurisë së
operatorit ilegal ka bazë ligjore, ashtu si edhe shitja e saj nëse gjykata kompetente vendos për shitjen e kësaj pasurie pas propozimit nga agjencia, prokurori apo ART-ja.
“Vlera e pasurisë bëhet nga ekspertët e angazhuar nga agjencia, ndërsa të hyrat e fituara deponohen në xhirollogarisë bankare të Agjencisë në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Për më tepër, mjete nga shitja e pasurisë së konfiskuar, pas vendimit përfundimtar të gjykatës, derdhen në buxhetin e Kosovës”, tha Heroi.
Sipas këtij ligji, organi kompetent, i cili zhvillon konfiskimin e pasurisë informon agjencinë brenda 10 ditëve, ndërsa vendimi i gjykatës për konfiskimin e pasurisë ekzekutohet brenda 15 ditëve dhe pasuria i dorëzohet agjencisë për administrimin e pasurisë së sekuestruar apo konfiskuar.