SHBA: Dëshmitarët e parregullsive të denoncojnë problemet
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgëzoi popullin e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të para të përgjithshme pas shpalljes së pavarësisë. Ambasada e SHBA-ve vlerëson se zgjedhjet ishin shprehje e demokracisë dhe ndihen të ngazëllyer që panë aq shumë kosovarë që treguan përkushtimin e tyre me daljen në votime anekënd vendit. Në një komunikatë të lëshuar për media të hënën, nga ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, thuhet se Kosova tani ka përpara saj një test gjersa numërohen votat, kurse institucionet e Kosovës duhet t’i tregojnë opinionit publik, se ato janë të gatshme për të mbrojtur integritetin e së drejtës për të votuar.
“Vëzhguesit amerikanë ishin të pranishëm, nëpër qendrat e votimit kudo nëpër Kosovë më 12 dhjetor dhe ata vëzhguan një proces, që me disa përjashtime serioze, ishte kryesisht efikas. Ambasadori Dell vëzhgoi zgjedhjet në 17 vendvotime në 12 qendra votimi, në komunat e Gllogocit, Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës dhe Skenderajt. Ambasadori po ashtu vëzhgoi numërimin e votave në shkollën e mesme “Hamëz Jashari” në Skënderaj (vendvotimi 2101x/02R). Aty pati parregullsi gjatë numërimit, të cilin ambasadori e vëzhgoi, kundërshtoi dhe e raportoi. Fletëvotimet në kuti tejkalonin numrin e të nënshkruarve në regjistrin e votuesve. Ne kemi kuptuar se ka pasur edhe raste tjera të parregullsive që kanë ndodhur në Skenderaj dhe në Gllogoc. Ne nxisim të gjithë vëzhguesit që kanë qenë dëshmitarë të parregullsive më 12 dhjetor, të shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë që mbrojnë integritetin e zgjedhjeve në Kosovë dhe integritetin e demokracisë së Kosovës.