Konfirmohet
Rreth 24 orë pas mbylljes së vendvotimeve, Komisioni Qendror Zgjedhor ka arritur të dalë më rezultate preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
Rezultatet që janë prezantuar nga ky institucion nuk ka ndryshuar shumë nga ato që janë publikuar pas mbylljes së vendvotimeve nga koalicioni i OJQ’ve Demokracia në Veprim.
Sipas KQZ’së, e cila ka numëruar rreth 99 për qind të votave, fituese e zgjedhjeve është Partia Demokratike e Kosovës me 33.5 për qind, e dyta është LDK’ja me 23.6 për qind, Lëvizja Vetëvendosje me 12.2 për qind është renditur e treta, pasuar nga AAK’ja me 10.8 për qind, AKR’ja me 7.1 për qind, LDD’ja me 3.3 për qind dhe FER’i me 2.2 për qind.
Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se rezultatet e 23 vendvotimeve nuk janë të futur në rezultatin përfundimtar. Dhjetë janë nga Prishtina, ndërsa 13 nëpër komunat e tjera. 28 mijë vota janë me kusht dhe nuk janë numëruar ende. KQZ’ja ka bërë të ditur se në rezultatin preliminar janë futur edhe ato nga Skenderaj dhe Drenasi.
Daka nuk ka folur për ankesat që shumica e partive i kanë bërë gjatë ditës së hënë, duke thënë se KQZ’ja nuk është përgjegjëse për to.
Sido që të jetë, denoncimet e shumta të partive politike për parregullsitë në procesin zgjedhor i kanë nxjerrë mjaft punë Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Deri të hënën në orën 19, PZAP’i ka pranuar 171 ankesa nga subjektet politike. Kryetari i PZAP’it, Shukri Sylejmani, ka deklaruar se gjatë ditës së diel janë paraqitur 40 ankesa, kurse të hënën edhe 131 të tjera. Ai nuk ka pranuar të bëjë publike natyrën e ankesave, ndërsa ka pohuar se Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur më së shumti. PZAP’i do të duhet të japë përgjigje brenda 72 orëve për të gjitha ankesat e paraqitura.
Përveç Partisë Demokratike të Kosovës, e cila tashmë ka shpallur dhe kremtuar fitoren e saj, partitë e tjera thonë se në zgjedhjet e së dielës janë shënuar shumë parregullsi, të cilat, sipas tyre, e kanë dëmtuar gjithë procesin.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kontestuar rezultatet e zgjedhjeve në rajonin e Drenicës, të cilat, sipas kësaj partie, ndikojnë në rezultatin total të zgjedhjeve.
Sekretari i LDK’së, Ismet Beqiri, ka deklaruar të hënën se partia e tij do të dalë me qëndrime përfundimtare, vetëm pasi që KQZ’ja t’i publikojë rezultatet.
Ai e përjashtoi çdo mundësi që LDK’ja edhe për një mandat të ardhshëm të qeverisë si partnere e PDK’së.
“Ne nuk pranojmë që të jemi në koalicion - edhe po të dalë fituese PDK’ja - me një subjekt që apriori shihet se ka manipuluar me vota. Sido që të jetë rezultati, ne në asnjë variant nuk do të bëjmë koalicion me PDK’në. Ne besojmë se rezultati dhe përfundimi nuk do të jenë çfarë ka dëshirë PDK’ja dhe dikush tjetër”, tha Beqiri.
Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin larg përmbushjes së standardeve të parapara edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
Aktivistë të Vetëvendosjes gjatë një konference për shtyp dëshmuan për rrahjet dhe kërcënimet që u janë bërë gjatë zgjedhjeve në Malishevë dhe Deçan, ndërsa pohuan se i kanë evidentuar gjithsej 118 raste të ushtrimit të dhunës zgjedhore.
Xhelal Sfeçla nga shtabi zgjedhor i Vetëvendosjes tha se pas shqyrtimit të detajuar që kjo lëvizje i ka bërë procesit të mbajtur të dielën, ka marrë edhe vendim që të mos i pranojë rezultatet e zgjedhjeve në qytetin e Deçanit, Malishevës, Skenderajt dhe Drenasit.
Ndërkaq, vëzhguesi i Vetëvendosjes, Hazir Krasniqi ka thënë se është rrahur në Bajë të Malishevës nga Vesel Krasniqi dhe Behlul Limaj, kushëri i nënkryetarit të PDK’së, Fatmir Limaj, i cili, sipas dëshmisë, ia ka drejtuar revolen atij.
“Në mbrëmje jemi rrahur nga Naser Krasniqi dhe një grup njerëzish simpatizantë të PDK’së, ku brenda 5 minutave ka arritur edhe banda e Fatmir Limajt me armë të lehta, njëri ndër ta është edhe Behlul Limaj, i cili na ka kërcënuar me armë dhe ka drejtuar armën drejt meje, por me intervenimin e policisë paksa të vonuar është arritur të neutralizohet kjo pikërisht në fshatin e ish-ministrit dhe ata thoshin se këtu jeni në Bajë, ku vendosin ata”, ka thënë Krasniqi.
Edhe në fshatin Irzniq të Deçanit, vëzhguesit dhe komisionerët e Vetëvendosjes thonë se janë kërcënuar pas orës 17.00, kur personat e AAK’së, Naser Mazreku dhe Fisnik Lokaj, i kanë mbajtur të bllokuar në një klasë, ndërsa në klasën tjetër të shkollës kanë hyrë persona të maskuar dhe i kanë mbushur kutitë.
Edhe AAK’ja ka folur të hënën për parregullsi në procesin zgjedhor.
Shefi i shtabit zgjedhor të AAK’së, Blerim Kuqi, gjatë një konference për media tha se rastet e Drenasit dhe Skenderajt janë elemente vetëm sa për të tërhequr vëmendjen, sepse manipulime me vota ka pasur edhe në shumë komuna të tjera.
“Për fat të keq, shqetësimet tona të mëhershme ishin të sakta që këto zgjedhje do të jenë larg standardeve të parapara dhe për fat të keq edhe një herë tash në përfundim të këtyre zgjedhjeve jemi të obliguar të themi se sistemi zgjedhor në Kosovë është dëmtuar rëndë. Po ashtu, është dëmtuar edhe demokracia në Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Kuqit, është e papranueshme që KQZ’ja nuk e ka kryer si duhet punën e saj, ndërsa ka dhënë kritika edhe për organizatën “Demokracia në Veprim”, kurse ka paralajmëruar se mund edhe mos të pranohen rezultatet.
Për parregullsi në procesin zgjedhor ka reaguar edhe Partia FER.
Drejtuesit e FER’it kanë raportuar për një sërë parregullsish, si votime të shumëfishta, shantazhe, dhe manipulime të shumta që kanë ndodhur në ditën e procesit zgjedhor në vend.
Ky subjekt politik i bënë thirrje “Demokracisë në Veprim” që të dalë me të gjitha incizimet që vërtetojnë për manipulimet gjatë procesit zgjedhor nga të gjitha komunat e Kosovës.
Njëri nga drejtuesit të FER’it, Shpend Ahmeti thotë se kanë raporte të dokumentuara për keqpërdorime që kanë ndodhur, gjatë procesit zgjedhor dhe se në ditët në vijim do t’i dokumentojnë dhe publikojnë ato.
Ahmeti ka paralajmëruar se keqpërdorimet që kanë ndodhur mund ta rrezikojnë tërë procesin zgjedhor që ka ndodhur në vend. Sipas tij, të gjithë duhet ta ngrenë zërin për të gjitha rastet e vjedhjes dhe manipulimit të votave.
Ndërkaq, pas shpalljes së rezultateve preliminare të KQZ’së, FER’i, nëpërmjet një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, është shprehur se nuk i pranon këto rezultate, “sepse nuk beson në legjitimitetin e institucioneve të përfshira në këtë proces zgjedhor”. Po ashtu, FER’i ka thënë se kundërshton ashpër manipulimet, vjedhjen, hajninë dhe rrenën që po e përjetojnë qytetarët e Kosovës, duke iu cenuar e drejta e zgjedhjes së drejtë dhe demokratike.
Parregullsi të shumta për të dielën kanë denoncuar edhe AKR’ja e LDD’ja.