E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg dhe gjobë për Bollanon, "zhvishet" edhe nga funksionet

Gjykata e Vlorës dënoi dje me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë kryetarin e Bashkisë së Himarës, i cili u shpall fajtor për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në përfundim të hetimit gjyqësor, në seancën e djeshme, që u zhvillua në mjediset e Gjykatës së Shkallës së Parë, pa praninë e të akuzuarit, gjyqtari, Shkëlzen Selimi e deklaroi Vasillaq Bollanon fajtor, sepse "nga shqyrtimi i çështjes në tërësi dhe nga vlerësimi i provave, rezulton se ka shpërdoruar detyrën e tij publike, duke urdhëruar heqjen dhe çmontimin e sinjalistikës rrugore, në segmentin Llogora-Qeparo, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë".

Kreu i trupit gjykues nënvizoi se, nga dy urdhra të lëshuar prej kryebashkiakut të Himarës janë dëmtuar interesat shtetërore, shoqëruar kjo me një dëm financiar prej rreth 1.8 milionë lekësh. Gjyqtari Shkëlzen Selimi, në arsyetimin e vendimit, përcaktoi se, në çështjen në ngarkim të tij, kryetari i Bashkisë së Himarës, është marrë në cilësinë e të pandehurit si përfaqësues publik dhe jo i ndonjë organizate. Ai rrëzoi pretendimet e të pandehurit, të paraqitura në seancë, përmes avokatit të tij, sipas të cilit, fakti për të cilin akuzohet Bollano, nuk përbën vepër penale, por urdhrat e dhënë janë në përputhje me atributet e parashikuara në ligjin "Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore". Selimi saktësoi se, "rrugët kombëtare janë nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe jo të njësive të qeverisjes vendore". Në këto kushte dhe, duke vlerësuar provat e paraqitura nga organi i akuzës, gjyqtari Shkëlzen Selimi e deklaroi Bollanon fajtor, pasi ka konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Përveç dënimit me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë, Bollanos i hiqet edhe e drejta e ushtrimit të funksioneve publike, për një periudhë trevjeçare. Në vendimin e dhënë dje nga Gjykata e Shkallës së Parë përcaktohet gjithashtu se, dënimi me heqje lirie do të kryhet në një burg të sigurisë së ulët, ndërkohë që, shlyerja e detyrimit financiar do të realizohet brenda një periudhe njëvjeçare, nga momenti që vendimi do të marrë formën e prerë.

Në seancën e kaluar, të zhvilluar më datën 7 prill, avokati mbrojtës, Petraq Curri, kërkoi pafajësi për kryetarin e Bashkisë së Himarës, duke u shprehur se, akuza ndaj tij nuk përbën fakt penal. Kjo, sipas avokatit, është pjesë e atributeve dhe kompetencave të kreut të njësisë së qeverisjes vendore, të cilat ai i ushtron duke u bazuar në ligjin "Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore", ndërkohë që, për vendosjen e tabelave të sinjalistikës rrugore, në kuadrin e një projekti të financuar nga Banka Botërore, në bazë të marrëveshjes, duhej të kishte një leje ndërtimi nga KRRT-ja e Bashkisë Himarë. Gjithashtu, avokati mbrojtës akuzoi prokurorinë për politizim të çështjes në ngarkim të klientit të tij. Por, ky pretendim, u kundërshtua ashpër në seancë, nga përfaqësuesi i organit të akuzës, prokurori Sokol Malaj, i cili argumentoi të kundërtën. Në seancën e datës 10 mars, Prokuroria e Vlorës kërkoi 1 vit burg dhe 500 mijë lekë gjobë, për Bollanon.

Seanca e djeshme ishte e 16-a, në çështjen gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut himarjot, që ka nisur në muajin korrik të vitit të kaluar. Shkak për këtë çështje janë bërë dy urdhra të lëshuara prej tij, për policinë bashkiake, në muajt tetor dhe dhjetor të vitit 2007, për heqjen e tabelave të sinjalistikës kulturore-turistike në aksin rrugor Qeparo-Llogora.

Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për Zhvillimin e Integruar të Bregdetit të Jugut, financuar nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve dhe Ministrinë e Turizmit.

Përmes këtyre tabelave evidentoheshin objektet me vlerë historike, arkeologjike e turistike të zonës, mes të cilave, plazhi i Dhërmiut, kalaja e Himarës, kalaja e Porto Palermos etj.

Gjatë fazës së hetimit, Bollano ka pranuar se ka urdhëruar heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, por ai ka pretenduar se, për vendosjen e tyre nuk ishte marrë leje nga bashkia.

Vasillaq Bollano është zgjedhur në krye të Bashkisë së Himarës, për dy mandate radhazi në vitet 2003 dhe 2007, si përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Që nga viti 2008, ai është edhe kryetar i organizatës "Omonia", që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri.

Reagimi

Kryebashkiaku i Himarës thotë se do të ankohet te ndërkombëtarët

Bollano: Dënimi im, me pasoja

për integrimin e Shqipërisë

Menjëherë pasi është njohur me vendimin e Gjykatës së Vlorës, që e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 6 muaj burg, kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, e ka quajtur këtë "një skenar të parapërgatitur, pas të cilit fshihen interesa ekonomike të lidhura ngushtë me klane të politikës në vend". Kryebashkiaku i Himarës, i cili pati dje një lidhje telefonike me një televizion të Tiranës, akuzoi direkt prokurorin e çështjes, Sokol Malaj, për ngjyrime nacionaliste në hetimin e çështjes. "Në vitin 2009 nuk mund të bëhen gjyqe komuniste. Janë klane të caktuara politike dhe ekonomike që nuk duan që Bollano të jetë kryetar bashkie i Himarës", u shpreh ai. Lidhur me masën e gjykatës që i heq atij të drejtën për të ushtruar funksionet publike në një afat trevjeçar, Bollano ka mohuar kategorikisht mundësinë e dorëheqjes nga posti i kryetarit të Bashkisë së Himarës. "Nuk më pengon asgjë të vazhdoj t‘i shërbej komunitetit të Himarës", tha ai. Kryetari i Bashkisë së Himarës bëri të qartë se përveç dërgimit të çështjes në gjykatat e shkallëve më të larta, do të apelojë pranë organizmave ndërkombëtare dhe sipas tij, një vendim i tillë do të jetë me pasoja për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Mbështetja

Edhe kreu i PBDNJ-së përmend integrimin dhe ndërkombëtarët

Dule del në mbrojtje: Zbatoi

vetëm ligjet e këtij vendi

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, bëri me dije dje se do të ankohet pranë organizmave ndërkombëtare për vendimin e Gjykatës së Vlorës për kryebashkiakun e Himarës, Vasillaq Bollano. Vetëm pak orë pas vendimit të gjykatës, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është hedhur në mbrojtje të njeriut që drejton Bashkinë e Himarës dhe organizatën "Omonia". "Ky është vendim që na kujton periudha të tjera obskurantiste, kur gjykatat nuk kishin të bënin aspak me nocionin e drejtësisë, por ishin tërësisht në shërbim të politikës dhe në këtë rast edhe të një nacionalizmi të verbër obskurantist", u shpreh Dule. Sipas tij, Bollano, si kryetar i Bashkisë së Himarës, ka zbatuar ligjet e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të shndërruara në pjesë të legjislacionit të vendit tonë. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e cilësoi vendimin e gjykatës me prapavijë politike. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut reagoi ashpër pas vendimit të Gjykatës së Rrethit të Vlorës për t‘i hequr të drejtën kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, në ushtrimin e detyrës për tre vitet e ardhshme. Vangjel Dule e cilësoi veprimin si një vendim obskurantist që bie ndesh me parimet që duhet të zbatojë sipas tij një vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për t‘u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Ish-deputeti i Omonias, Panajot Barka, padit për shpifje edhe Vangjel Dulen

Gjirokastër, tjetër gjyq për Bollanon

Ndërkohë që Gjykata e Vlorës ka thyer mitin e të paprekshmit për Vasillaq Bollanon, Gjykata e Gjirokastrës është duke përgatitur një proces gjyqësor ku kryetari i Omonias dhe i Bashkisë së Himarës do të gjykohet për akuzën e shpifjes. Bashkë me Bollanon, përballë kësaj akuze është vënë edhe kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Akuzues është një tjetër eksponent i minoritetit grek në Shqipëri, ish-deputeti i PBDNJ-së, Panajot Barka. Padia për Bollanon, Dulen dhe kryeredaktorin e gazetës "Zëri i Omonias" ("I foni tis Omonia") është depozituar në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër javën që shkoi. Panajot Barka sqaroi dje për gazetën "Shqip" se ka akuzuar krerët e Omonias dhe PBDNJ-së, si dhe kryeredaktorin e "Zërit të Omonias", Dhimitër Qiqi, pas një deklarate për shtyp që është formuluar nga Bollano e Dule dhe është botuar në këtë gazetë. Deklarata është publikuar në ditën e festës kombëtare të Greqisë, më 25 mars të këtij viti dhe Panajot Barka, i cili është aktualisht shef i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Greke në universitetin "Eqerem Çabej" të Gjirokastrës, është konsideruar tradhtar. "Omonia dhe PBDNJ nxorën një deklaratë shtypi, ku më akuzojnë për tradhti dhe qëndrime antigreke. Ata e konsiderojnë drejtimin e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Greke nga ana ime, si një mision të dhuruar dhe në funksion të politikës shqiptare", u shpreh Barka, i cili i konsideron akuzat të pabazuara dhe për këtë arsye ka bërë padi penale për shpifje. "Kjo akuzë nuk ka asnjë bazë. Unë mbroj interesat e Greqisë dhe minoritetit grek, por duke respektuar ligjet e shtetit shqiptar", u shpreh Barka. Përplasjet mes eksponentëve të minoritetit grek në Shqipëri janë bërë të shpeshta në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, jo vetëm për shkak të hartimit të listave, por edhe për shkak të këndvështrimeve të ndryshme mbi taktikat që duhen ndjekur për t‘iu përshtatur sistemit të ri zgjedhor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›