Borxhet e ARMO-s shqetëson FMN-në
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverisë shqiptare të nisë veprimet ligjore ndaj ARMO-s për të mbledhur borxhet që kjo kompani ka ndaj “Albpetrolit”. Në dokumentet zyrtare të publikuara pas përfundimit të misionit në Tiranë, FMN-ja shprehet shumë e shqetësuar në lidhje me detyrimet e prapambetura që ARMO i ka kompanisë shtetërore “Albpetrol”. “Detyrimet e prapambetura në rritje të kompanisë ARMO kërcënojnë privatizimin e “Albpetrolit” dhe për rrjedhojë edhe përfundimin e programit të privatizimeve strategjike të Shqipërisë”, thotë FMN-ja në dokumentin zyrtar.
Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shifër zyrtare të borxhit që ARMO i ka “Albpetrolit”, por jo zyrtarisht është folur për dhjetëra milionë euro. Në të njëjtën kohë vetë “Albeptroli” prej disa muajsh nuk ka shlyer pagat e punonjësve, çka shkaktoi një debat të fortë në Parlament pak javë më parë, ku opozita akuzoi qeverinë se po favorizon në mënyrë korruptive kompaninë ARMO. Por ARMO nuk është privatizimi i vetëm i kryer nga qeveria këto vitet e fundit, që ka nxjerr në pah probleme. Ekspertët e FMN-së shohin me shqetësim edhe konfliktet mes OSSH-së dhe Entit Rregullator të Energjisë. “FMN-ja rekomandon zgjidhjen e shpejtë të çështjeve rregullatore në lidhje me privatizimin e OSSH-së, pasi kjo mund të shkaktojë ekzekutimin e garancisë së Bankës Botërore, çka do të kishte efekte negative në reputacionin e Shqipërisë”, përfundon rekomandimi zyrtar i FMN-së.
#