E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapja e 85 kg drogë, policia doli huq dy herë më parë

Hetimet Elert Latifi dhe Rigers Kaja ktheheshin nga rruga, pasi kishin frikë të vinin në Tiranë

Antidroga e Tiranës kishte tentuar të ndërhynte edhe dy herë të tjera për kapjen e dy personave me 85 kg hashash, të cilët u arrestuan dy ditë më parë, por kishte dështuar. Dështimi për kapjen e tyre kishte ardhur për shkak se ata kishin frikë të vinin në Tiranë, ndërkohë që edhe në momentin e ndërhyrjes, ata kanë tentuar të shtypin me makinë punonjësit e policisë.

Bëhet fjalë për të arrestuarit Elert Latifi dhe Rigers Kaja, të cilët u kapën gjatë operacionit “Vora II”, ku u sekuestruan 85 kg hashash që vinte nga Lazarati. Sipas të dhënave, që pas realizimit të operacionit të parë “Vora”, që u realizua në muajin prill, kishte nisur puna për kapjen e këtyre dy personave. Madje, një herë në muaj është tentuar që të kryhet kapja e tyre, por ata niseshin për të sjellë mallin dhe ndërronin mendje rrugës, pasi kishin dyshime për policinë. Kështu ka ndodhur dy herë rresht, ndërkohë që ditën e martë ishte rasti i tretë. Madje, edhe këtë radhë ata nuk kanë dashur të bien në duart e policisë dhe kanë tentuar të arratisen. Kur policia ka tentuar t’i ndalojë, ata kanë dashur t’i godasin me makinë dhe të arratisen. Në këtë kohë, policia ka organizuar shërbimet dhe i ka vënë në pranga.

Në lidhje me këtë operacion, në deklaratën para mediave, drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj, deklaroi se nga seksioni kundër narkotikëve, në bashkëpunim me sektorin e forcave të posaçme, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u arrit sekuestrimi i një sasie prej 85 kg lëndë narkotike, e dyshuar marijuanë. “Falë organizimit të këtij operacioni, u arrit të kapen dhe arrestohen në flagrancë shtetasit Elert Novruz Latifi, 20 vjeç, lindur e banues në Shijak Durrës dhe Rigels Agron Kaja, 22 vjeç, lindur e banues në Durrës.

Këta persona u kapën në kryqëzimin e Vorës, rrugës që të sjell për në Tiranë, pas një hetimi përreth 3 muaj, i organizuar mbi investigimin e seksionit të antidrogës, me metoda speciale të hetimit”, deklaroi Vocaj. Më tej, ai shpjegoi se gjatë operacionit për kapjen e tyre, shtetasit kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë, duke tentuar të largohen me shpejtësi, me automjetin tip “Mercedes Benz”, me targa të huaja. Pas një ndjekje përreth 15 minuta, forcat e sektorit të operacioneve speciale bënë të mundur bllokimin e automjetit, si dhe sekuestrimin e sasisë rreth 85 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Nga hetimet e kryera deri më tani, lënda narkotike vinte nga fshati i Lazaratit, me destinacion qytetet e Durrësit dhe të Tiranës, e cila më pas do të përdorej për t’u shpërndarë gjatë sezonit turistik veror.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›