E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Durrësit, pranga dy personave, ndihmuan autorin

Policia, ende në kërkim të autorit të ngjarjes, që dyshohet se është Shpëtim Mema

Arrestohen dy persona në Durrës, të cilët kanë lidhje me vrasjen e 53-vjeçarit Agim Seci. Pasditen e djeshme janë ndaluar Shefqet Spahiu dhe Fatjon Krasniqi, me akuzën për moskallëzim të krimit të ndodhur në zonën e plazhit të Durrësit. Mësohet se dy të ndaluarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar të vrasjes, Shpëtim Mema, të largohet nga vendi i ngjarjes. Policia bën me dije se të ndaluarit e djeshëm janë cilësuar si bashkëpunëtorë të autorit të dyshuar Shpëtim Mema. Fatjon Krasniqi, 18 vjeç, dhe Shefqet Spahiu, 31 vjeç, pas veprimeve hetimore mbi ngjarjen rezultojnë të jenë të implikuar, ndaj forcat policore kanë realizuar arrestimin në flagrancë të tyre. Ndërkohë, policia vazhdon të komunikojë se ka vënë në dispozicion një shumë prej 500 mijë lekësh të reja për gjetjen e autorit të vrasjes së pronarit të lokalit “Diaspora” në zonën e plazhit në Durrës. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës, pas një sherri banal për humbjen e një celulari, ku mendohet se autori i ngjarjes, i identifikuar si Shpëtim Mema, ka debatuar me 53-vjeçarin dhe në sherr e sipër e ka qëlluar këtë të fundit me armë në bark. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë në vendngjarje, personeli ka qenë duke mbyllur lokalin dhe kur po bisedohej për të shkuar e ngrënë diçka pas pune, një nga kamerierët i ka thënë pronarit të lokalit, Agimit, se po vinte një person i armatosur. Autori ishte parë që nga banaku kur po ngjiste shkallët me një arme tip “Shotgan” në dorë. Sipas personelit, Agimit i ishte rekomanduar që të futej në një prej anekseve dhe të hidhej nga dritarja që ishte aty afër, por ai nuk e mori në konsideratë sugjerimin dhe i doli përballë personit të armatosur. Sipas dëshmitarëve, Agimi iu drejtua autorit me fjalët: “Jam këtu!” Agresori nuk foli fare, por e shënjoi atë drejt e në mes duke hapur plagë të mëdha, ndërsa më pas i dha 3 goditje vdekjeprurëse në kokë. Vrasësi është larguar qetësisht drejt daljes dhe prej aty u largua nga vendi i ngjarjes. Menjëherë është njoftuar policia, e cila pas mbërritjes ka bërë edhe shoqërimin në komisariat të dëshmitarëve okularë, duke marrë ata në pyetje. Blutë madje identifikuan edhe autorin e ngjarjes. Sipas tyre, 32-vjeçari Shpëtim Mema, banor i fshatit Pjezgë të Shijakut, është ekzekutori i dyshuar i Secit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›