Përplasje brenda llojit për hetimin e tenderëve
U desh akti normativ që t’u jepte fund konflikteve mes Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Komisionit të Prokurimit Publik, lidhur me hetimin e tenderëve që konsiderohen me shkelje. Deri dje, me ligj, të dyja institucionet kishin të drejtë të nisnin shqyrtimin administrativ të dosjeve me ankesa të bizneseve në tenderë. Agjencia e Prokurimeve kishte autoritetin më të lartë për vendimet mbi hetimet, por në fund të vitit 2009, qeveria miraton krijimin e një strukture të re, Agjencia e Prokurimeve, që do të merrte në shqyrtim të gjitha ankesat. Pas miratimit, për shqyrtimin e ankesave të biznesit ishin dy institucione njëherësh, pasi me dhënien e atributit të komisionit, qeveria “harroi” të shfuqizonte nenet që i lejonin sërish APP të niste hetimet. Kaosi që u krijua ishte tepër i madh, ku edhe pse institucionet ishin brenda një mbikëqyrësi që i mbulonte të dyja (kryeministria), sërish nuk gjendej gjuha e përbashkët. Pas 6 muajsh konfliktesh, që dëmtonin vetëm biznesin, Kryeministria zgjedh Agjencinë e Prokurimeve, institucionin që kryen hetimet, kurse APP-së i lë vetëm rolin e monitoruesit. Duke qenë se Kuvendi i mbyll punimet në korrik, qeveria i solli ndryshimet në projektligj përmes aktit normativ, pra me një procedurë të përshpejtuar. Sakaq, Komisioni i Ekonomisë dhe ai i Ligjeve kanë miratuar këto ditë ndryshimet, duke i hapur rrugë zgjidhjes së problemit. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, u ve re se edhe anëtarët demokratë shprehën habinë me lëmshin e krijuar. “Duke parë ligjin, unë habitem pse i lamë nenet 65 dhe 66, kur nga ana tjetër po krijohej Agjencia e Prokurimit Publik. Duhej të ndahej që në fillim ankimimi nga Agjencia e Prokurimit, për shkak të konfliktit të interesit që kishte në rastet kur hetonte. Vërtet habitem, sepse këto janë kompetenca të mirëfillta hetimi”, thotë kryetari demokrat i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho.
Miran Kopani, drejtor i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, sqaron se ligji aktual nuk i ndante si duhet funksionet e dy institucioneve, ndërsa sa i takon vonesës 6-mujore për ta rregulluar, nuk u tha asgjë. “Të krijohet përshtypja sikur kompetenca hetimore e agjencisë është e ngjashme me të drejtën e shqyrtimit administrativ që ka Komisioni i Prokurimeve, me qëllim për t’u paraprirë situatave eventuale që mund të shfaqen në praktikë lidhur me çështjen se kush është kompetent. Tashmë me ndryshimet, APP-së i është lënë vetëm roli monitorues”, deklaron Kopani. Pas këtij vendimi, Agjencia e Prokurimeve nisi të njoftonte të gjitha bizneset që merren me tenderët e qeverisë, duke i drejtuar atë për ankesa për të Komisioni i Prokurimit.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë nuk ishin në gjendje të jepnin të dhëna ose të paraqisnin raste të konfliktit të interesit dhe përplasjeve mes dy institucioneve.
Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, anëtar në Komisionin e Ekonomisë, e lidhte problemin me funksionet në tërësi të Agjencisë së Prokurimeve. “Duke menduar që t’i ndani me thikë këto dy institucione, ju mund ta bëni pastaj më pak efikas procesin që kryen APP-ja. Megjithatë, ju vetë e pranoni se është luftë territoresh. Kam shqetësimin se ndonjëherë, në vend që t’i ndani kufijtë, do të krijoni ndonjë lumë në mes dhe gjithë pasojat do të shkojnë në zvarritje pa fund”, tha Malaj. Pas diskutimeve të ndryshme, komisioni voton ndarjen e re të kompetencave, duke ia kaluar për interpretim Komisionit të Ligjeve, i cili një ditë më pas jep aprovimin.