E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet i kërkuari, e denoncoi gruaja se i doli para me thikë

Tiranë Me një vendim të muajit maj, gjykata e ka dënuar të arrestuarin Viktor Xhani me 6 muaj burg

Konsumimi i alkoolit e ka ndarë nga gruaja, por i ka kushtuar edhe gjashtë muaj burg një 52-vjeçari të arrestuar dje nga Policia e Tiranës. Bëhet fjalë për Viktor Xhanin, i cili ishte shpallur person në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar për prodhim dhe mbajtje të armëve”. E gjitha ka nisur nga telefonata e bashkëshortes së tij në polici, që kishte kërkuar ndihmën e uniformave një natë kur ai i kishte dalë përpara duke e ofenduar dhe të shoqen e kishte zënë frika. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2 u realizua kapja e shtetasit në kërkim Viktor Milo Xhani, 52 vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 21 maj 2010, e ka dënuar këtë person me 6 muaj burgim. Sipas dosjes penale, Viktor Xhani banon në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Ky person ka qenë i martuar me Orjola Xhanin, që prej vitit 1997. Pas martesës, i pandehuri bashkëjetonte me këtë shtetase te banesa e babait të saj. Për shkak se ai konsumonte alkool dhe e keqtrajtonte, në fillim të vitit 2009 Orjola Xhani ka ndërprerë bashkëjetesën me të pandehurin. Për pasojë, 52-vjeçari është larguar nga banesa. Fillimisht ai ka jetuar në Vorë, më pas në Kombinat dhe në fund është rikthyer në një banesë te “Muhamet Gjollesha”. Më datë 11 korrik 2009, rreth orës 21.00 Orjola Xhani, pasi ka përfunduar punën në një dyqan në zonën e ish-Bllokut, ka marrë rrugën për t’u kthyer në banesë. Kur ka qenë në afërsi të pallatit, ajo ka parë bashkëshortin e saj, i cili i ka dalë përpara, duke i ndërprerë rrugën. Madje, ai ka filluar ta shajë dhe ofendojë Orjola Xhanin. Nga frika, ajo ka telefonuar menjëherë numrin 129 të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Pak minuta pas telefonatës, në vendngjarje ka mbërritur patrulla e Policisë së Komisariatit Nr. 2, Tiranë. Orjola u ka dhënë shpjegime për ngjarjen dhe punonjësit e policisë kanë kontaktuar Viktor Xhanin. Gjatë kontrollit personal të ushtruar nga punonjësit e policisë, atij i është gjetur një thikë, me bisht të zi dhe teh të bardhë, e dhëmbëzuar nga njëra anë. Në këto kushte, punonjësit e policisë kanë bërë edhe kapjen në flagrancë të Viktor Xhanit, ndërsa thika i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe është dërguar më pas për ekspertim teknik. Gjykata e la në gjendje të lirë hetimin e tij, derisa e dënoi me gjashtë muaj burg, por që prej muajit maj, ai arrinte t’i fshihej policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›