E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 4 të rinjve, u përplasën me armë për një femër

Tiranë Policia tha se dy prej tyre janë plagosur me pistoleta në këmbë

Të fortët kishin dalë për të festuar në një nga lokalet e natës në Tiranë, duke u shoqëruar me femra, por edhe të armatosur. Deri në orën 04.00 të mëngjesit kanë ndenjur duke festuar, por një prej tyre është dehur dhe i ka futur duart një femre. Kaq ka mjaftuar dhe ka plasur sherri me armë, ku kanë mbetur të plagosur dy persona. Për këtë ngjarje të rëndë janë arrestuar katër vetë, ndërkohë që policia ka mundur të sekuestrojë armët e tyre. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës së lartpërmendur janë njoftuar se ka pasur të plagosur në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 2, por edhe ato të seksionit kundër krimeve ndaj jetës. Nga dëshmitë e mbledhura, policia tha se protagonistët e kësaj ngjarje janë Artur Tresa, Roland Hoxha, Asrit Malaj dhe Emiliano Boçi. Të shoqëruar me femra, por edhe të pajisur me pistoleta, ata po festonin në të njëjtin ambient. Kur një prej tyre është dehur, ka ngacmuar shoqëruesen e të njohurit tjetër. Në këto kushte, të katërt kanë nxjerrë armët. Dy të parët, Tresa dhe Hoxha kanë qëlluar në këmbë Malajn dhe Boçin. Edhe këta të fundit kanë qëlluar, por plumbat nuk i kanë zënë dy “kundërshtarët”. Menjëherë ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, por për dy orë janë kapur të katërt. Policia tha se ata u arrestuan për vrasje të mbetur në tentativë. Sipas të dhënave, Malaj dhe Boçi ndodhen të shtruar në spital, për shkak të plagëve të marra dhe ruhen me policë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›