E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhet e kohës së komunizmit, Kina e Rusia ne krye te listes



Ervin Koçi

Një pjesë e tregtisë, zhvilluar kryesisht në fund të viteve 1990, mes qeverisë komuniste dhe vendeve të ndryshme, rezulton se nuk është e mbyllur plotësisht në aspektin e shlyerjes së detyrimeve. Aktualisht, Shqipëria ka një borxh që shkon deri në 500 miliardë lekë, ku një pjesë e saj janë "kontribut" i sistemit të atëhershëm, i cili kryente tregti me anë të ndërmarrjeve shtetërore të autorizuara për këtë qëllim dhe vendeve përtej kufirit. Për një pjesë të mallit, ose shërbimit të marrë nga kompanitë e huaja, rezulton se nuk është shlyer, por për ta pak rëndësi ka se kush është në qeveri, tani pas 17 vjetësh nga ndryshimi i sistemit. Për këtë qëllim, qeveria shqiptare ka vendosur si synim të saj shlyerjen e të gjitha borxheve të vjetra, duke i riskeduluar ato. Me kalimin e viteve, detyrimet e prapambetura kanë ardhur duke u rritur, si rrjedhojë e interesave, por edhe ndaj vendimeve të humbura nëpër gjykatat evropiane, siç është rasti konkret i Gjykatës së Londrës, ku gjashtë kompani zvicerane kanë kërkuar paratë e tyre për shërbimin që iu është ofruar, jo kësaj qeverie, e cila po i shlyen, por para 17-18 vjetëve, kur dhe gjendja e ekonomisë shqiptare ndodhej në ditët më të vështira.

Borxhet e vjetra

Për ta mbyllur kapitullin e borxheve të vjetra, qeveria ka sjellë në Parlament një projektligj, i cili detajon situatën ku ndodhet vendi në raport me gjashtë kompani. Ligji, i cili pritet të diskutohet së shpejti në Komisionin e Ekonomisë, konsiston në shumën prej rreth 6 milionë dollarësh dhe rreth 830 mijë frangash zvicerane (rreth 800 mijë dollarë), detyrim ndaj kompanive të huaja. Në fakt, qeveria duhet të paguante më tepër se kaq, por pas negociatave të vazhdueshme mes shoqërive të huaja dhe Komitetit Qeveritar të Bisedimit të Borxhit të Jashtëm, u ra dakord që të mos kërkohen detyrimet që rrjedhin nga interesat, nga çasti i krijimit të borxhit deri në çastin e fillimit të shlyerjes së saj. Nga shuma në fjalë, qeveria i detyrohet rreth 5 milionë dollarë vetëm një shoqërie, "Andre & Cie", e cila kishte fituar gjyqin në Gjykatën e Londrës për të përfituar interesat, ndërsa si dënim qeveria shqiptare mori një gjobë, duke e fryrë disi detyrimin. Sipas ligjit, i cili ka mbërritur tashmë në Kuvend, shuma e borxhit në total prej 6.7 milionë dollarësh, duhet të shlyhet me një këst të vetëm, duke filluar që prej korrikut të këtij viti. Në rast se nuk kryhet një gjë e tillë nga qeveria jonë, atëherë si penalizim për vonesat do të marrë një 3 për qind, e cila i shtohet çdo vit shumës totale.

Kujt i kemi më shumë

Në përbërjen e stokut të borxhit të jashtëm, sipas kreditorëve, nga kreditorët shumëpalësh vendin e parë e zë Banka Botërore, me total kredish prej 679.4 milion dollarësh dhe pas saj vjen “BEI” me 89.9 milion dollarë. Më pas vijnë “BERZH”-i, “IFAD”-i etj. Nga kreditorët dypalësh vendin e parë e zë Italia, pas saj Gjermania, Japonia, Kuvajti, Greqia, Britania por dhe SHBA-të. Por ndryshe nga vendet e rajonit, Shqipëria e ka borxhin e jashtëm tri herë më të ulët se borxhi i brendshëm. Kjo justifikohet më së shumti me pabesueshmërinë që ka paraqitur ambienti ekonomik dhe politik për t'u kredituar nga bankat e huaja. Gjithashtu, Shqipëria në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka nivelin më të ulët të borxhit në rajon me vetëm 54.9 për qind, ndërkohë që në vende të tjera, si p.sh. Kroacia, ky tregues është më shumë se 80 për qind e PBB-së. Aktualisht, stoku i borxhit të jashtëm ka arritur në 1 miliard e 300 milionë euro, ndërsa borxhi i brendshëm mbi 3.1 miliardë euro. Kështu, totali i borxhit, që çdo shqiptari i duhet të shlyejë nëpërmjet taksave, është 1220 euro për person. Pjesa më e madhe e huave që qeveria ka marrë janë detyrime ndaj bankave vendase. Borxhi i brendshëm në pjesën më të madhe të tij, më shumë se 34 për qind, mbahet nga Banka Raiffeisen. Sipas marrëveshjes me FMN-në dhe detyrimeve që kemi për anetarësim në BE, stoku i borxhit nuk duhet të jetë më shumë se 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Të dhëna statistikore për borxhin e jashtëm

Borxhi shumëpalësh, 1 miliard dollarë

Borxhi dypalësh, 413 milionë dollarë

Klubi i Parisit, 122 milionë euro

Totali i borxhit, 4.4 miliardë euro

Totali i borxhit për person, 1220 euro

Stoku i borxhit të jashtëm, 1 miliardë e 300 milionë euro

Borxhi i brendshëm, 3.1 miliardë euro

Borxhi i jashtëm, në rritje deri në vitin 2009

Deri në vitin 2006, borxhi i jashtëm në Shqipëri arriti në 1.8 miliardë dollarë, ndersa në fund të vitit 2008 ai pritet të arrijë në gati 2.7 miliardë dollarë, ose e thënë ndryshe çdo shqiptari do t’i duhet të paguajë gati 900 dollarë për shlyerjen e tij. Nëse e krahasojmë me eksportin e mallrave, borxhi i jashtëm afatgjatë i vendit është sa për tre vjet eksporte. Rritja e borxhit vjen për shkak se qeveria ka vendosur që të investojë më shumë nga sa janë mundësitë e vendit për të kursyer. Borxhi publik ka rikthyer sërish debatin mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shkak këtë radhë kanë qënë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të tregtuar borxhin e brendshëm në valutë. Kjo duket se nuk i ka pëlqyer Fondit Monetar, i cili ka vendosur kusht që nëse qeveria do të përpiqet të emetojë borxhin e brendshëm në valutë, ateherë ky borxh do të klasifikohet si i jashtëm. Ky i fundit, sipas planifikimeve të Ministrisë së Financave, do të vijë në rritje. Aktualisht, ky tregues është rreth 1.3 miliardë euro ose ndryshe 360 euro për person. Borxhi i jashtëm, gjithashtu, do të përfshihet në një proces negociatash rishikimi dhe parashikohet që të përfundohen marrëveshjet e riskedulimit me Rusinë, Jugosllavinë, Greqinë, kompanitë private angleze, ato austriake, holandeze etj për të cilat janë planifikuar të paguhen 1.383 milionë lekë për shlyerjen e principalit dhe 345 milionë lekë për interesat.

Sa është borxhi i vjetër me Kinën

Buxheti i shtetit ka të trashëguar një borxh ndaj Kinës që arrin në 37,2 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre huave janë marrë para vitit 1991, gjatë periudhës kur marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Pas kësaj periudhe, qeveria shqiptare nuk ka marrë më borxh nga Kina. Procedurat për pagimin e borxheve kanë nisur që në vitin 1993, megjithese edhe sot nuk dihet akoma shifra e saktë e tij. Kjo pasi, një pjesë e konsiderueshme e borxhit është marrë me pajisje, apo makineri, të cilat janë përdorur në ndërtimin e veprave publike. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Shqipërisë i intereson të ketë një partner tregtar si Kina, për shkak se gjiganti aziatik është shndërruar në ekonominë e dytë më të madhe të botës.

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›