Arrestohet edhe i pesti i kredisë mashtruese
Tiranë - Në vijimësi të operacionit policor të koduar “Kredia”, përgjatë orëve të vona të dy ditëve më parë, Seksioni Kundër Krimit Ekonomik – Financiar, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale arritën të finalizojnë kapjen dhe arrestimin e bashkëpunëtorit të fundit të arrestuarve të operacionit “Kredia”.
Agim Xhika, 45 - vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë.
Arrestimi
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për konsumim të veprave penale të “Mashtrimit me kredi”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, të kryera në bashkëpunim. Xhika dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit Agim Karamuça, Rexhep Xhegu, Brunilda Muho dhe Fatmir Kasalla, kryenin veprime të kundërligjshme nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit, me dokumentacion në emër të personave të tretë, duke poseduar në emër të tyre pasuri të paluajtshme, për të realizuar marrjen e disa kredive në bankën “Pro Credit”. Aktualisht nga ky seksion, vazhdon puna për thellimin e hetimeve dhe identifikimin e personave të tjerë në këtë aktivitet. Materialet i kaluan Njësisë së Përbashkët Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit.
Ngjarja
Katër persona mes të cilëve një analiste kredie, do të ndiqen penalisht, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet duke përfituar kredi bankare me vlerë 80 000 euro. Prej kohësh policia i kishte nën vëzhgim pasi kishte për ta dyshime se kryenin veprimtarinë e paligjshme. Burime zyrtare të policisë së Tiranës njoftuan dy ditë më parë se Seksioni Kundër Krimit Ekonomik- Financiar, në bashkëpunim me Task Force përfundoi në orët e vona të dy ditëve më parë operacionin e koduar “Kredia” duke ekzekutuar masën e arrestit në burg për Agim Karamuçën, 50 vjeç, nga Vora dhe Rexhep Xhegun, 58 vjeç, nga Tirana, i punësuar në sektorin privat. Ndërsa 29 vjeçarja Brunilda Muha, ish-punonjëse e Pro Kredit Bank, me detyrë analiste kredie dhe Fatmir Kasalla, 42 vjeç, nga Fushë-Kruja do të hetohen nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Masa e sigurisë ndaj katër personave ishte dhënë nga Gjykata e Tiranës disa orë para kryerjes së këtij operacioni. Ndaj tyre rëndojnë akuzat “mashtrimi me kredi”, “falsifikim i dokumenteve, nga persona që kanë për detyrë t’i lëshojnë dhe përdorimi i tyre”, ”korrupsion pasiv në sektorin privat” në bashkëpunim. Aktiviteti i tyre i paligjshëm u zbulua pas një hetimi disa mujor të realizuar nën drejtimin e Task Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit.
18 Korrik 2008