E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kundërshton, Qeveria tërhiqet për taksat vendore



Pas kundërshtimeve të ashpra të opozitës, qeveria e ka tërhequr projektligjin për taksat vendore. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar në seancë plenare se drafti do të rikthehet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për gjetjen e konsensusit. “Ligji për taksat vendore do të rikthehet në Komisionin e Ekonomisë. Tërhiqemi për të arritur në një konsensus të ri”,- tha dje në Parlament ministri i Financave, Ritvan Bode. Ai ka shtuar më tej se, deri në një projekt-ligj të ri, taksat vendore do të qëndrojë aq sa janë aktualisht. Tërheqja u bë pas akuzave të deputetëve të PS-së, ku kryetarja e grupit parlamentar të kësaj partie, deputetja Valentina Leskaj, deklaroi se taksat e parashikuara në ligjin e përgatitur rrisin informalitetin dhe varfërojnë akoma më shumë popullin shqiptar. Ndërkohë të gjitha bizneset e vogla të kryeqytetit kanë afat deri më 20 korrik për të paguar taksat vendore. Në të kundërt, zyra e taksave pranë Bashkisë së Tiranës, do të aplikojë masën e gjobave dhe deri në mbyllje të aktivitetit të tyre e bllokim të llogarive bankare. Pagesat për këtë detyrim financiar do të bëhen në bankat e nivelit të dytë si dhe në sportelet e Postës Shqiptare. Bëhet fjalë për këstin e dytë të taksave vendore që duhet të paguajnë bizneset e vogla. Për të gjithë ata që nuk respektojnë këtë afat kohor do të aplikohen edhe sanksionet. "Mospagimi i taksës vendosre brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë, të barazvlefshme me 5 për qind të detyrimit të papaguar për secilin muaj apo pjesë muaji vonesë, por jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se 25 për qind të vlerës së detyrimit të papaguar", - thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë që specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore sqarojnë se në rast të mosshlyerjes së detyrimeve, kjo zyrë përdor të gjitha procedurat e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të mbledhjes së tyre me forcë, procedura këto që parashikohen edhe në ligjin "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë". Taksat vendore, biznesi i vogël i paguan me 4 këste, çdo tre muaj.

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›