Shqiptarët duan detektivë privatë për tradhtinë bashkëshortore
Laureta Rryçi
Dhjetëra tradhti bashkëshortore të pafaktuara deri më sot duket se nuk do të jenë më të tilla dhe për shumë kohë. Por jo vetëm çështje të kësaj natyre, edhe për qindra dosje që institucionet e drejtësisë i kanë lënë pa autorë është ndezur një dritë jeshile. Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i ka rekomanduar pak ditë më parë, ministrit të Drejtësisë Enkeled Alibeaj që të hartohet ligji për hetuesin privat. Sipas Dobjanit kjo kërkesë vjen pas shumë ankesash të shqiptarëve duke mos qenë të kënaqur nga rezultatet e institucioneve të drejtësisë shqiptare.
Rekomandimi
Pas 18 viteve të shtetit të ri demokratik Shqipërisë i duhet një ligj ashtu si shumë shtete të huaja ku njihet vlera që ka detektivi privat. Sipas Dobjanit deri më sot janë parë zhvillime mjaft pozitive në fushën e njohjes dhe realizimit të lirive themelore dhe të të drejtave të njeriut. Kjo situatë pozitive me standarde të pranueshme është edhe si rrjedhojë e ekzistencës dhe zbatimit të Kushtetutës dhe legjislacionit të përparuar për të drejtat e njeriut si dhe të institucioneve përkatëse moderne që janë ngritur dhe vazhdojnë të ngrihen në këto fusha. “Përballë kësaj situate gjykojmë se është e nevojshme që të përgatitet edhe ligji “Për hetuesin (detektivin) privat’”, thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Një kopje e së cilës është dërguar për dijeni edhe Kryeministrit Berisha, Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Fatos Bejës dhe nënkryetarit, Fatmir Xhafaj. Dobjani e ka argumentuar rekomandimin e tij duke shpjeguar autoriteteve shtetërore se prej vitesh në zyrën e Avokatit të Popullit kanë ardhur ankesa dhe kërkesa që në themel argumentojnë nevojën e njohjes nga shteti dhe funksionimin e institucionit të detektivit privat.
Detektivi Privat
Sipas Avokatit të Popullit, Detektivi privat mund të veprojë në rastet kur policia kriminale dhe prokuroria kanë dështuar që të zbulojnë p.sh. autorët e një vrasje, një grabitjeje, vjedhjeje apo aksidenti dhe të dëmtuarit apo familjarët duan që të angazhojnë me mjetet e tyre financiare një hetues apo një studio me hetues private. Ky organizëm privat të jetë i njohur nga shteti, të ketë kompetenca të caktuara sipas Kodit të Procedurës Penale i cili (ky Kod) do të caktojë se çfarë dhe si do të trajtohen provat që do të mbledhë hetuesi privat. Ligji i posaçëm për këtë organizëm privat do të caktojë mënyrën e organizimit të këtij instituti (dhoma e hetuesve privatë), juridiksionin, të drejtat dhe detyrimet, kompetencat e këshillit kombëtar, të Ministrit të Drejtësisë, kushtet për të ushtruar profesionin e hetuesit privat, objektin e aktivitetit të tij, shpërblimin, procedurat për marrjen e masave disiplinore etj. “Ne gjykojmë se krijimi i një organizmi të tillë do ketë ndikim pozitiv në luftën kundër kriminalitetit, do të ulë shkallën e korrupsionit në organet e policisë kriminale dhe të prokurorisë si dhe do të krijojë konkurrencën edhe në fushën e zbulimit të krimeve”, thuhet në rekomandim. Për lehtësi, Dobjani bashkëngjitur i ka dërguar ministrit të Drejtësisë, Alibeaj edhe projektligjin Italian për këtë çështje si dhe bazën ligjore aktuale për ushtrimin e këtij profesioni në Itali.
18 Korrik 2008