Emigranti vetëdigjet në makinën e përfshirë nga flakët
Luan Kondi
Kavajë - Një shtetas i ka vënë flakën vetes në makinën e tij në një fshat të Kavajës paraditen e djeshme. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Tiranës, viktima është 27-vjeçari Veiz Xhani nga Kavaja, emigrant në Greqi, i cili kishte ardhur të mërkurën pasdite në Shqipëri.
Ngjarja
Në fshatin Kryeluzaj, komuna Lekaj Kavajë rreth orës 10:30 Veiz Xhani është futur në autoveturën e tij që po digjej nga flakët. Mjeti i tipit “Nisan” me targa greke AXH 9837 kishte marrë flakë në një tunel të ushtrisë. Distanca e vendit të ngjarjes është vetëm 2 km nga rruga nacionale Kavajë - Rrogozhine. Për atje kanë nxituar banorët e fshatit Kryeluzaj, të cilët kujtuan se kishte marrë flakë kodra. Ata kanë parë pranë makinës që digjej një person, i cili qëndronte në këmbë dhe duart i mbante pas kokës. Të befasuar nga ajo që po shihnin banorët i kanë bërë thirrje 27-vjeçarit të largohej, por ai nuk ka reaguar ndaj thirrjeve të tyre. Pak pas mbërritjes së banorëve atje Veiz Xhani është hedhur mbi makinën e përfshirë nga flakët dhe nuk ka dalë më prej aty. Dëshmitarët thanë se ai është djegur brenda pak sekondave. Banorët kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe e kanë pasur të pamundur të identifikojnë kufomën. Nga dëshmitë e banorëve personi nuk rezultonte të ishte nga fshati i tyre e madje as nga fshatrat përreth. Më pas ai u identifikua si ish-emigrant.
Dëshmitë
Identifikimi ishte pothuajse i pamundur. Ka qenë komunikimi me autoritetet e policisë kufitare, të cilët kanë shpjeguar për kolegët se targa e makinës i përkiste shtetasit shqiptar që kishte hyrë në Shqipëri vetëm pasditen e së mërkurës. Burimet thanë se 27 vjeçari kishte vetëm pak kohë që ishte martuar dhe kishte ardhur në Shqipëri për të kaluar pushimet e verës. Kanë qenë 8 dëshmitarë okularë, të cilët i kanë konfirmuar ekspertëve hetimorë se 27-vjeçari ka hyrë në ish-tunelin e repartit të xhenios në fshatin Kryeluzaj të Kavajës dhe i ka vënë flakën makinës së tij me targa greke AXH9837 e më pas ka hyrë edhe vetë brenda duke u djegur bashkë me automjetin. Strukturat e policisë së komisariatit të Kavajës, pas marrjes së informacionit mbi ngjarjen, kryen evakuimin e banorëve përreth. Ekspertët ndodhen në vendngjarje duke punuar për sqarimin e motiveve që e shtynë këtë person drejt një akti të tillë.
18 Korrik 2008