Nisen kontingjentet me 174 paqeruajtëse në Çad dhe Afganistan
TIRANË- U nisën dje drejt Afganistanit dhe Çadit dy kontingjente me ushtarë shqiptarë. I pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në ish-regjimentin e Forcave Ajrore, kreu i qeverisë, Sali Berisha i cilësoi ata si “misionarë të paqes që do të çojnë më tej traditën e shkëlqyer të ushtarakëve shqiptarë”. Berisha kërkoi nga misionarët e paqes “që të mbrojnë me kurajë, guxim dhe profesionalizëm jetët e pafajshme të kërcënuara nga terrorizmi, ky armik i egër, i sotëm, i njerëzimit”. “Prej vitesh, ushtarët tanë janë përcjellë me një ceremoni të tillë, për të kontribuar me misione të mëdha paqeje si në Bosnje, Irak e Afganistan, por e veçanta e ditës së sotme është se ne nisim dy kontingjente me dy flamuj, me flamurin e NATO-s dhe atë të Bashkimit Europian, dy organizata në të cilat shqiptarët kanë përzgjedhur të ardhmen e tyre më të shkëlqyer”, tha Kryeministri në ceremoninë ku ishte i pranishëm dhe Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ushtarakë të lartë, familjarë të paqeruajtësve, etj. Drejt Heratit në Afganistan u nis misioni i tretë i paqeruajtësve me 112 ushtarë, ndërsa drejt Republikës së Çadit u nis një kontingjent prej 62 ushtarësh, të parët që do të kryejnë një mision të tillë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar katër ditë më parë në Paris mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana, në kuadër të operacionit EuforChad/RCA. Kontigjenti që u nis drejt Çadit do të instalohet në Jamena dhe do të ketë si detyrë shoqërimin e autokolonës të personaliteteve VIP si dhe ruajtjen e objekteve të veçanta dhe të sigurisë në bazë. Misioni do të zgjasë 6 muaj dhe ai zhvillohet në kuadër të BE-së, ndërkohë që trupat shqiptare janë nën komandën e trupave franceze. Ndërsa misioni drejt Heratit do të jenë nën komandën e trupave italiane dhe do të përmbushë detyrat e ngarkuar në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s. Duke u ndalur tek misioni në Çad, z. Berisha iu drejtua paqeruajtësve se “ju shkoni në Çad për të luftuar terrorizmin, i cili kërcënon liritë dhe ekzistencën e një kombi, i largët nga vendi ynë, por i afërt në aspiratat e tij liridashëse me shqiptarët dhe të të gjithë kombet e tjera të lira”. Marrëveshja për misionin paqeruajtës të trupave shqiptare në Çad u nënshkrua në 13 Korrik në ambientet e Ministrisë së Jashtme franceze, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouschner dhe Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Kjo marrëveshje shënon dhe pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në një operacion të BE-së dhe një kontribut i saj në politikën e përbashkët europiane të sigurisë e mbrojtjes.
18 Korrik 2008