Borxhet e papaguara të energjisë, rëndohen financat e OSSH-së
Gjendja financiare e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë ka arritur në një pikë kritike duke e detyruar shoqërinë të kërkojë financime nga bankat private. Drejtori i OSSH-së, Sahit Dollapi, tha dje se kjo situatë ka ardhur për shkak të mospagesës së energjisë nga ndërmarrjet shtetërore, e kryesisht ujësjellësit, të cilët, sipas tij, kanë një borxh të akumuluar prej 13 milionë eurosh. "Është e vështirë situata dhe ne jemi duke kryer operacione për marrjen e një kredie për të shlyer detyrimet që kemi", - u shpreh drejtori Dollapi. Financat e drobitura të OSSH-së janë përkeqësuar më tej pikërisht në momentin më delikat, kur shoqëria ndodhet në fazën finale të privatizimit. Qeveria shqiptare dhe çekët që u shpallën fitues në tender kanë hyrë në një fazë të nxehtë negociatash për kushtet e kontratës, të cilat do të përcaktojnë ecurinë e treguesve, por edhe tarifat e energjisë në vitet e ardhshme. Ndërsa situata e furnizimit me energji, sipas OSSH-së, paraqitet e mirë. Dollapi ka premtuar furnizim pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët që e paguajnë energjinë dhe deklaroi se OSSH-ja do të vazhdojë fushatat për të ndërprerë energjinë e debitorëve. Kreu i OSSH-së deklaroi se institucioni që ai drejton ka marrë të gjitha masat për parandalimin e defekteve që mund të ndodhin, si dhe premtoi një situatë normale, me gjithë ngarkesën që do të ketë në ditët e fundvitit. Sahit Dollapi tha se OSSH-ja ka marrë një kredi prej 10 milionë eurosh dhe se shpërndarja e energjisë do të jetë e sigurt, edhe në rastet që mund të ndodhin remonte në Operatorin e Transmetimit po përgatiten grupe të gatshme, të cilat do ta zgjidhin gjendjen në mënyrë emergjente.
7 Dhjetor 2008