E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishte në kërkim si i dënuar me burg, u kap duke vjedhur në Rrogozhinë



Kavajë – Një person i vetëm është bërë protagonist i vjedhjes dhe plaçkitjes në banesat e disa qytetarëve. Shërbimet e Policisë në Kavajë kryen arrestimin në flagrancë të 43-vjeçarit Pëllumb Zylali, lindur dhe banues në Fier, i dënuar më parë për vjedhje.
Vjedhësi i arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në ikje e sipër, së bashku me sendet që kishte vjedhur përgjatë ditës së djeshme, përkatësisht tre aparate telefoni celular dhe një sasi prej 3400 lekësh në fshatin Gosë të Kavajës, vjedhur disa shtetasve. Ndërkaq, në mjetin e tij u kap dhe një sasi sendesh floriri vjedhur në qytetin e Rrogozhinës, në banesën e një qytetari, një sobë gazi me aksesorët e saj dhe një lavapjatë vjedhur në punishten e një tjetër qytetari, po në qytetin e Rrogozhinës. Policia tha se sendet e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Kurse gjatë kontrollit, 43-vjeçarit që ra në pranga, iu gjetën 10 kartëmonedha me prerje 100 euro, që dyshohen të jenë të falsifikuara. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin e datës 16.01.2008, e ka dënuar me 6 vjet burg për veprën penale të “mashtrimit”, si dhe është autori i dyshuar për një vjedhje tjetër më datë 20.09.2008 në qytetin e Kavajës. Lidhur me ngjarjet e djeshme, policia tha se ndaj Zylalit, materialet i kaluan Prokurorisë për veprat penale “vjedhje më shumë se një herë” dhe “falsifikim të monedhave”.

Krimet e Rënda, 20 vite burg për dy trafikantët e femrave

Tiranë - Rigjykimi i dosjes sërish i ka cilësuar fajtorë dy të pandehurit, Bardhyl Hyskaj dhe Sulo Çelaj. Kolegji penal i Krimeve të Rënda u shpreh dje për herë të dytë ndaj dy të akuzuarve për trafik prostitucioni në bashkëpunim. Pas pretencës së prokurorisë, gjyqtarët gjykuan se secili prej të akuzuarve duhet të vuajë nga dhjetë vite burg për akuzën e kryer. Pas këtij vendimi pritet që avokatët ta apelojnë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Kjo dosje është gjykuar një herë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Mirëpo pasi dosja kaloi edhe fazën e dytë, atë të Apelit, Gjykata e Lartë vendosi që të rikthehej për rishqyrtim në Shkallën e Parë.

6 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›