Zjarr në kompaninë “Ardeno”, prag tragjedie me depozitat e gazit
Tiranë - Zjarri i rënë dje në firmën “Ardeno” për pak sa nuk shkaktoi një “Gërdec” të dytë, pasi vetëm pak metra më lart ndodheshin dy depozita gazi. Zjarri u shuajt rreth orës 11:00, në momentin e fundit (pas katër orësh) u arrit që të evitohej tërësisht rreziku i shpërthimit të dy depozitave të gazit, që ndodheshin ngjitur me këtë kompani. Reparti i mobilieve të firmës së përpunimit të drurit “Ardeno”, linjë e prodhimit të karrigeve dhe tavolinave, është djegur plotësisht, ndërsa flakët vazhduan përhapjen në magazinat e kësaj firme, në të cilat ndodheshin dhe lëndët e para të përpunimit të drurit. Forcat zjarrfikëse vazhduan gjithsesi të qëndronin në vendngjarje, pasi mund të riaktivizoheshin flakët në lëndën drusore që ishte djegur. Sipas të dhënave, vatra e zjarrit që shpërtheu në kompaninë e përpunimit të drurit “Ardeno” ka shpërthyer në lokalin që ndodhej në katin e tretë të godinës së kësaj kompanie. Lajmi është mësuar nga dëshmia e personelit që kanë parë se si flakët kanë përpirë menjëherë gjithë godinën e fabrikës. Dyshimet e para bien mbi një shkarkesë elektrike që mund të ketë ndodhur. Pas stabilizimit të situatës grupi hetimor hyri në vatër për të mbledhur provat dhe për të vërtetuar shkencërisht se cili ka qenë shkaku i flakëve, që rrezikuan banesat dhe godinat e kompanive të tjera private në atë zonë.
Rreziku
Flakët rrezikuan, nga njëra anë banesat, nga ana tjetër depozitat e gazit të kompanisë “Sofi Gaz”, që ndaheshin vetëm me një mur ndarës nga ambientet e kompanisë “Ardeno”. Pikërisht në zonën pranë depozitave të gazit ishte përqendruar edhe puna e forcave zjarrfikëse, pasi nëse depozitat e gazit do të përfshiheshin në flakë, do të ndodhte një katastrofë e vërtetë. Në ndihmë të zjarrfikësve ka qenë edhe drejtimi i erës, e cili frynte në krahun e kundërt të depozitave të gazit, si dhe masat e mbrojtjes kundër zjarrit, të cilat kishin në dispozicion firmat në raste të tilla rreziku dhe që janë vënë menjëherë në funksion. Banorët e banesave pranë kompanisë në flakë kanë qenë në gjumë në momentin kur flakët e fuqishme kanë përfshirë repartin e përpunimit të drurit. Në panik banorët kanë lajmëruar njëri-tjetrin për rrezikun, duke bërë të mundur dhe evakuimin e shpejtë të zonës. Mjaft banorë nuk janë larguar nga banesat e tyre, por kanë ndihmuar zjarrfikësit për të shuar flakët.
Reagimi
Perfekti i Tiranës e akuzoi dje kompaninë “Ardeno” për moszbatim të parametrave teknikë në ndërtimin e ambienteve që shfrytëzonte për biznesin e tij. “Jua them me siguri. Nuk janë godina të ndërtuara me leje ndërtimi. Janë pjesë të procesit të legalizimit. Duhet të shikohet seriozisht se çfarë nuk është respektuar nga parametrat teknikë të detyrueshëm për zbatim, siç është krijimi i rrugëve për mjetet zjarrfikëse në raste të tilla”, - tha në vendngjarje prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi. Zjarri shpërtheu rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm. Në fillim zjarri përfshiu repartin e përpunimit të mobilieve të firmës “Ardeno”, e cila është djegur totalisht dhe më pas ka përfshirë dhe magazinat, ku ndodhej dhe materialet e para drusore si dhe reparti i dërrasave. Vetëm 4 ditë më parë, një tjetër zjarr i fuqishëm përfshiu ambientet e fabrikës së prodhimit të plastikës dhe distributori i elektro-shtëpiakeve “Henry shpk”, në autostradën Tiranë-Durrës. Flakët shkaktuan dëme të mëdha materiale, ndërsa nuk pati të lënduar.
Vrau dy persona 10 vjet më parë, ekstradohet nga Italia i dënuari
Tiranë - Ekstradohet nga Italia, Bedri Sula, 35 vjeç, nga Shkozeti, Durrës, i dënuar me 10 vjet burg për vrasjen e dy personave në qytetin bregdetar dhjetë vjet më parë. Burime nga Policia e Shtetit thanë për gazetën “Albania” se ekstradimi i tij është bërë pasi Gjykata e Durrësit, me vendimin të datës 30 korrik 1999, e ka dënuar këtë qytetar me 10 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Sipas vendimit të gjykatës, shqiptari Bedri Sula, në datën 12 shkurt 1998, rreth orës 19:00, në bashkëpunim me vëllanë e tij Florenc Sula, kanë vrarë për motive të dobëta qytetarët Flamur Bermuça dhe Klodian Kozeli. Mes dy palëve ka pasur një debat për faktin se Saimir Sula, vëllai i vogël i Bedriut dhe Florencit, i kishte marrë viktimës, Klodian Kozeli, shumën prej 1000 lekësh. Pikërisht për shumën e mësipërme të parave ka ndodhur dhe vrasja e dyfishtë, që më pas nga gjykata u dënua me vetëm 10 vjet burg.
Nuk i dha rrogën punonjësit, kallëzohet në Prokurori biznesmeni 42-vjeçar
Tiranë – Një biznesmen në Tiranë është paditur në Prokurori nga punonjësi i tij. 42–vjeçari nuk e kishte menduar se mund të paditej për mënyrën e veçantë me të cilën ai ka dashur të drejtojë biznesin e tij. Sipas policisë, ai kishte marrë në punë persona të tjerë dhe nuk i paguante ata për punën që bënin. Punonjësit e mashtruar nuk kanë mundur të duronin më dhe ishte njëri prej tyre që guxoi duke e denoncuar. Vlera e pagave të padhëna, ishte 2.5 milionë lekë të rinj. Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar konfirmuan dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se dërguan materialet procedurale në Prokurori për veprën penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal për 42-vjeçarin Xheladin Muçkurtaj, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. “Ndaj 42-vjeçarit ka bërë kallëzim një 39-vjeçar se e ka mashtruar duke mos i dhënë pagesën prej 2 500 000 lekësh”, - sqaroi Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë.
6 Dhjetor 2008