Emocione të forta sonte në “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus
Një natë e mbushur me histori njerëzore, drama jete e ëndrra të lëna përgjysmë do të përbënte boshtin kryesor të natës së të shtunës së kaluar në programin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus. Dy gjyshër në kërkim të nipit të tyre. Kajo dhe Bajame Kaja, nga fshati Fitore e Vlorës, trokitën në redaksinë e programit për të rrëfyer historinë e tyre. Për ta gjithçka filloi me vdekjen e djalit të tyre, Valterit. Në moshën 15-vjeçare, Valteri emigron në Kretë ku kalon pjesën më të madhe të rinisë së tij. Gjatë kësaj kohe, ai njihet me një shtetase angleze të quajtur Anne Marie Roscoe dhe vendos të martohet me të në vitin 1997. Të dy filluan procedurat e celebrimit për të krijuar familjen e re pasi Valteri dhe Ana Marie prisnin fëmijën e tyre të parë. Në mars të vitit 1998, në muajin e tetë të shtatzënisë, Anne Marie niset drejt Anglisë për të lindur ndërsa Valteri priste në Kretë lajmin për t`u bërë baba. Një aksident i tmerrshëm do të ndryshonte çdo plan të tyrin për të ardhmen. Doktorët grekë nuk i dhanë asnjë mundësi jetese Valterit dhe ky i fundit u dërgua drejt vendlindjes. Pas disa muajsh në gjendje kome, më 5 dhjetor 1998 Valter Kaja ndahet nga jeta duke lënë pas djalin e tij 7 muajsh, Zakun. Të dy gjyshërit, Kajo dhe Bajame, nuk e panë kurrë nipin e tyre pasi ndarja e Valterit nga jeta shkëputi përfundimisht edhe lidhjet e tyre me Ana Marinë dhe nipin e tyre Zak. Kërkimet intensive të gazetarëve mundën të gjejnë brenda një kohe shumë të shpejtë adresën e Ana Marisë dhe të Zakut dhe të sigurojnë prej tyre një video posaçërisht për gjyshërit, të cilët ishin të ftuar në studio. Këta të fundit patën mundësi që për herë të parë të mund të shihnin nipin e tyre, tashmë të rritur, duke derdhur lot mallëngjimi e duke ngushëlluar shpirtrat e thërrmuar nga humbja e djalit të tyre. Një foto e Zakut në kornizë dhuruar nga Rudina i gëzoi gjyshërit pa masë, aq sa nuk e përmbajtën dot veten por e pushtuan me të puthuara sikur Zaku të ishte fizikisht aty. Historia e dytë i përkiste një familjeje nga Durrësi. Të katër pjesëtarët e saj as nuk flisnin dhe as nuk dëgjonin. Nënë Vaitja 84 vjeçe, djali i saj Kodheli 42 vjeç, nusja Antoneta 32 vjeçe dhe mbesa e vogël Elona 5 vjeçe. Problemi prej të cilit vuanin i kishte ndjekur që në lindje dhe gjeni i sëmundjes ishte trashëguar nga brezi në brez. Historia fatkeqe e kësaj familjeje nuk përfundonte këtu. Ata ishin endur përgjatë gjithë jetës sa në një shtëpi në tjetrën. Përveç barrës së vetvetes, u duhej të mbanin edhe një peshë të rëndë varfërie të tejskajshme. Për t`i mbushur paksa boshllëkun e kësaj fatkeqësie të rëndë, programi social në Vizion Plus ka mundur të lehtësojë sadopak dhimbjen e tyre. Elona 5-vjeçare sapo të mbushë moshën do të jetë pjesëtarja më e re e Institutit të Fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë në Tirane, duke i siguruar asaj të gjitha kushtet e nevojshme për t`u rritur në ambjentin e duhur. Për të përcaktuar shkallën e sëmundjes u ngrit një grup pune nga Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale për të parë më nga afër sëmundjen e familjes Elezaj e për të proceduar më tej me ndihmën sociale që u takon të sëmurëve të kësaj kategorie. Në pritje të këtij rezultati, Rudina Magjistari kishte menduar një ndihmë financiare falë tre donatorëve për t`i dhënë familjes një mundësi për t`u dalë mbanë problemeve të shumta ekonomike me të cilat përballej. Firma e njohur e prodhimit të produkteve të mishit, “Hako”, i dhuroi familjes Elezaj 1 milion lekë të vjetra, firma e prodhimeve farmaceutike, “Profarma”, 1 milion lekë të vjetra dhe dyqani i fëmijëve “Bimbus”, me qendër tek Galeria ETC, 1 milion lekë të vjetra dhe një komplet dimri për vajzën. Një rast urgjent ndërpreu rrjedhën normale të emisionit të së shtunës së kaluar. 65-vjeçarja nga qyteti i Elbasanit, Merita Pepellashi, kishte dalë nga shtëpia e saj në orën 07:00 të mëngjesit të së shtunës dhe nuk ishte kthyer më. Pas denoncimit në Policinë e Elbasanit, familjarët e Meritës kërkuan ndihmën e “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” për të marrë vesh një lajm të fundit për Meritën. Sapo rasti u bë publik, një pafundësi telefonatash nga Tirana pohonin se zonja ishte parë atë ditë, në orët e paradites, në zonën e Rrugës së Elbasanit, ndërsa gjatë kohës së transmetimit të emisionit ajo ishte parë nga qytetarë të ndryshëm rreth zonës së “Vasil Shantos” po në Tiranë. Menjëherë njëra nga gazetaret e programit, Genta Begeja, zbriti në terren për të konfirmuar informacionin, por “Nata e Bardhë” kishte bërë që rrugët të ishin plot e përplot me njerëz, gjë që vështirësonte kërkimin në kohë të shpejtë. Nata e shtatë vijoi me historinë e Fadil Albrahimit, i cili kishte humbur kontaktet me familjen e tij nga Greqia në prill të vitit 1998. Atje, Fadili njihej me emrin Mario Dhima. Në telefonatën e fundit, ai ka biseduar me të fejuarën e tij. Ai i ka thënë se kishte hequr mënjanë një shumë dhrahmish dhe se shumë shpejt do të kthehej në Shqipëri. Që prej vitit 1998, familja nuk ka patur më asnjë lajm për Fadilin. Në sajë të verifikimeve paraprake dhe ndihmesës së jashtëzakonshme të shqiptarëve që jetojnë në Greqi, stafi i gazetarëve ka mundur të marrë disa informacione që i referohen një personi që besohet të jetë Fadil Albrahimi. Ky person jeton në Athinë, punon prej shumë vitesh në ndërtim dhe ka shumë vite që nuk flet me familjen e tij. Në Greqi, ky person njihej me emrin Mario Dhima. Këtë informacion paraprak e pasuan një seri telefonatash nga Athina të cilat në periudha kohore të ndryshme pohonin vendndodhje të ndryshme të Marios, por që rrethi ngushtohej brenda territorit të kryeqytetit grek, Athinë. Tri javë më parë, Morena i bëri një surprizë dy prindërve të saj, Shaqir dhe Lumturie Bodllit. Vajza e kësaj familjeje, Morena, preferoi të zgjidhte programin e Rudina Magjistarit për t`i thënë faleminderit prindërve të saj dhe për këtë arsye ky program i dhuroi këtij çifti një ftesë për darkë në restorantin “Gjeli”. Një familje e bashkuar nga dashuria, respekti dhe mirënjohja që kishin për njëri-tjetrin, bëri që Morena të përfundonte falënderimin e saj duke zgjedhur programin e së shtunës në Vizion Plus. Nata e sotme pritet të sjellë për teleshikuesit histori edhe më të forta, nuanca të një realiteti sa të vështirë, aq edhe të gëzueshëm. Të gjitha këto do të vijnë përmes rastesh që këmbëngulin për vëmendjen e të gjithëve. Sonte, në orën 21:00, në ekranin e Vizion Plus.
6 Dhjetor 2008