E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia në krizë, rriten çmimet e prodhimit në vend me 0.2 për qind

IÇP-ja arriti 111.7 për qind në tremujorin e tretë të 2008-s. Indeksi u rrit edhe për produktet vendase me 0.3 për qind

Ervin Koçi

Në tremujorin e tretë të vitit 2008, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 111.7 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.2 për qind kundrejt tremujorit të dytë të po këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, industria nxjerrëse shënoi një rritje me 6.1 për qind. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve të produkteve në aktivitetet, “nxjerrja e produkteve energjetike” me 7 për qind dhe “nxjerrja e produkteve joenergjetike” me 2.2 për qind. Por referuar të dhënave, indeksi i çmimeve të prodhimit në degën “industri përpunuese” shënoi ulje me 0.2 për qind. Brenda kësaj industrie mund të përmendim uljen e çmimeve në aktivitetin “industria ushqimore” me 4.0 për qind dhe konkretisht ulja e çmimeve të prodhimit të artikujve ushqimorë dhe pije me 4 për qind.
Indeksi i çmimeve në aktivitetet, "industria tekstile", "Botimi, shtypshkronja" kanë shënuar rritje përkatësisht me 0.8 për qind dhe 1.9 për qind. IÇP-ja u rrit edhe për produktet vendase me rreth 0.3 për qind krahasuar me 3-mujorin e dytë 2008. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve në aktivitetet "industria nxjerrëse" prej 6.2 përqindësh, "industria tekstile dhe veshjeve" 0.8 për qind. Indeksi i Çmimeve të Eksportit arriti 114.3 për qind, duke shënuar një rritje prej 1.3 përqindësh krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve në aktivitetet: "industria ushqimore" me 0.2 për qind, "prodhimi i drurit dhe artikujve me dru" me 2.3 për qind si dhe "industria tekstile dhe e veshjeve" me 0.8 për qind.

Shkëmbimet tregtare

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me botën gjatë periudhës 10-mujore të vitit 2008 arritën vlerën totale prej 399 miliardë e 523 milionë lekësh. Sipas INSTAT-it, për periudhën janar-shtator 2008 vlera e mallrave të importuara arriti në 312 miliardë e 914 milionë lekë, ndërsa mallrat e eksportit arritën vlerën e 86 miliardë e 609 milionë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, importet u rritën me 42 miliardë lekë, ndërsa eksportet me 13 miliardë lekë. Shqipëria ka importuar nga shtetet e Bashkimit Europian gjatë periudhës 10-mujore, mallra me vlerë mbi 189 miliardë lekë. Sipas INSTAT-it, importet nga këto shtete karakterizohen nga makineri e pajisje teknologjike për sipërmarrjet e reja vendase, kryesisht të sektorëve të prodhimit agroindustrial, të ndërmarrjeve të veshjeve dhe të këpucëve, të impianteve të prodhimit të materialeve të ndërtimit etj. Sipas të dhënave të INSTAT-it, të publikuara dy ditë më parë, nga totali i përgjithshëm prej mbi 312 miliardë lekësh, vetëm nga shtetet e BE-së, janë importuar mbi 60 për qind e totalit të mallrave.

Partnerët tregtarë

Mallrat kineze vërshojnë në tregjet shqiptare, duke kapur një vlerë prej 19 miliardë e 933 milionë lekë, gjatë periudhës 10-mujore, janar-shtator 2008. Kjo ka bërë që Kina të kapë vendin e tretë si partnere tregtare në importe me vendin tonë, duke kaluar Turqinë, që del në vendin e katërt me një vlerë mallrash prej 19 miliardë e 617 milionë lekësh. Ndërsa partner i parë tregtar i Shqipërisë si në importe, ashtu dhe në eksporte, vazhdon të mbetet Italia, ku mallrat e importuara gjatë kësaj periudhe kapën një vlerë prej 81 miliardë e 850 milionë lekë, ndërsa në eksporte afro 54 miliardë lekësh. Partnere e dytë tregtare vazhdon të mbetet Greqia, me mbi 40 miliardë lekë mallra të importuara dhe 8 miliardë lekë eksporte nga Shqipëria. Rritja e importeve nga Kina ka ardhur si pasojë e kostos së ulët të produkteve kineze, zgjerimit të rrjetit të tregtarëve kinezë kryesisht në Tiranë, por dhe në disa prej qyteteve kryesore të vendit.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›