E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen me sms, marrin peng tregtarin

Një tregtar nga Vlora është marrë peng në Tiranë për shkak të një mesazhi telefonik, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij. Dy personat pengmarrës janë arrestuar nga policia, ndërkohë që është shoqëruar edhe një femër, e cila mendohet se është "molla e sherrit". E gjithë ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, ku autorët i kishin ngritur kurth tregtarit nga Vlora, i cili kishte ardhur për të sqaruar konfliktin që ishte krijuar me mesazhe telefonike. Policia e Tiranës tha se ka vënë në pranga Fatmir Memlikajn dhe Julian Todhen.
Sipas të dhënave hetimore, pak kohë më parë, Anesti Avrami, tregtar, i cili ka një magazinë fruta-perimesh në Vlorë, kishte komunikuar rastësisht me një numër telefonik, duke shkëmbyer mesazhe. Më pas, shkëmbimi i sms-ve është ashpërsuar dhe dy palët kanë nisur të ofendojnë dhe kërcënojnë njëri-tjetrin për shqetësimin e krijuar. Kjo ka zgjatur edhe më shumë, duke kaluar në kërcënime serioze për jetën. Kur kanë mbërritur në këtë fazë, autorët e ngjarjes, Fatmir Memlikaj dhe Julian Todhe, përkatësisht 36 dhe 20 vjeç, kanë futur në lojë një femër. Ajo i ka telefonuar tregtarit nga Vlora dhe ka nisur të komunikojë edhe me sms. Gjatë këtij komunikimi kanë lënë takim për ditën e djeshme në Tiranë, ku do të sqaronin edhe debatin. 41-vjeçari Avrami ka marrë mjetin e tij "Opel", me targa VL1685C dhe ka udhëtuar drejt Tiranës. Takimi është lënë paradite në Laprakë. Kur ai ka mbërritur në vendin e takimit, ka dërguar sms për konfirmim, por në atë kohë i kanë ardhur dy personat, me të cilët kishte kaluar në kërcënime serioze për jetën. Ata i janë prezantuar dhe kanë filluar të debatojnë me zë të lartë. Për disa minuta ka zgjatur ky debat dhe në përfundim, Memlikaj dhe Todhe e kanë goditur tregtarin me grushte dhe shqelma. Me forcë e kanë futur tregtarin në makinën e tij, duke e kërcënuar se do e vrasin. Nga kjo skenë janë tmerruar kalimtarët dhe banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e policisë se çfarë po ndodhte në Laprakë. Por, nga ana tjetër, dy agresorët, duke nxituar kanë hipur në makinën e vet pengut, ku atë e kishin futur në bagazh, dhe janë larguar me shpejtësi.
Policia ka mbërritur vetëm pak çaste më vonë në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur t‘i gjejë aty protagonistët e ngjarjes. Menjëherë, targa e makinës së tregtarit nga Vlora u është dhënë gjithë shërbimeve të policisë, sidomos atyre të daljes në Tiranë, por edhe shërbimeve nëpër rrugë të kryeqytetit. Në Rrugën e Durrësit nuk është pikasur në asnjë vend makina e kërkuar, por pa kaluar shumë kohë, shërbimet e policisë kanë njoftuar se ajo ishte kthyer te Dogana e Tiranës dhe kishte marrë rrugën për në Unazë të Re. Menjëherë shërbimet kanë bllokuar rrugën për në Kombinat dhe rrugën "Irfan Tomini", e cila përdoret për të hyrë në Tiranë nga Unaza e Re. E pikërisht në rrugën "Irfan Tomini" është vënë re makina, për të cilën ka nisur ndjekja policore. Në këto momente, pengmarrësit, të cilët kanë vënë re ndjekjen policore, kanë tentuar të largohen drejt Selitës. Në këtë zonë është bllokuar e gjithë rruga nga policia dhe është mundësuar kapja e tyre. Pikërisht në Selitë, policia ka bërë të mundur lirimin e pengut, i cili ishte tromaksur nga e gjithë kjo ngjarje. Policia i ka shoqëruar dy agresorët dhe pengun në ambientet e Drejtorisë së Tiranës, ku janë marrë në pyetje në lidhje me pengmarrjen. I dëmtuari ka shpjeguar se thjesht donte të sqaronte konfliktin që ishte krijuar në sms-të, duke shpjeguar gjithë historinë siç kishte ndodhur. Më pas, policia ka mundur të identifikojë edhe vajzën e re, e cila është nga Fieri dhe që kishte futur në kurth tregtarin. Madje, policia dyshon se dy të arrestuarit mund t‘i vinin edhe gjobë tregtarit më vonë, pas kërcënimeve dhe marrjes peng të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›