Financat, ndryshime ligjore për të ndalur rritjen e borxhit
Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë përgatitur një propozim për një ndryshim ligjor që synon të shmangë rritjen e stokut të borxhit publik për vitet e ardhshme. Kjo gjë, mund ta ndihmojë vendin tonë të ruajë reputacionin e vet para donatorëve dhe investitorëve të huaj. Burime nga MF-ja thonë se me propozimin e ri synohet të shmanget deficiti i lartë buxhetor në vitet me rritje të pakët ekonomike. Në rast se miratohet dhe respektohet nga qeveria, një ligj i tillë mund të bllokojë ose së paku të pengojë spekulimet e qeverive me financat publike në vitet elektorale, gjë që ka ndodhur rëndom gjatë njëzet viteve të fundit. Qeveria parashikon zakonisht deficit buxhetor në terma absolutë, gjë që do të thotë se Parlamenti e autorizon qeverinë të shpenzojë një sasi parash më shumë se të ardhurat, pa marrë parasysh se si do të ecë ekonomia. Kështu, për vitin 2009, qeveria u autorizua të shpenzojë 50 miliardë lekë më shumë se sa të ardhurat e veta. Kjo shifër u rishikua në mes të vitit me të ashtuquajturin “buxhet suplementar”, në 82 miliardë lekë. Treguesi relativ, pra deficiti në raport me PBB-në, është konsideruar gjithmonë si një shifër e vlefshme për studime shkencore, jo si detyrim për t’u respektuar nga qeveria. Duke qenë se PBB-ja u rrit me vetëm 3 për qind gjatë vitit të kaluar, shuma prej 82 miliardë lekësh shkaktoi një rritje të stokut të borxhit publik në raport me PBB-në me 5 pikë përqindjeje. Pra borxhi publik u rrit nga 55 për qind në 2008, në afro 60 për qind në 2009. Kjo situatë mund të përkeqësohet edhe më shumë këtë vit. Qeveria është zyrtarisht e autorizuar të shpenzojë 50 miliardë lekë më shumë se sa të ardhurat e veta. Në një vit normal, kjo shifër nuk do të krijonte asnjë problem, për shkak se përbën vetëm 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe se rritja ekonomike e mbulon më së miri. Por në rast se ekonomia nuk pëson rritje këtë vit, gjë që parashikohet nga shumë institucione ndërkombëtare, atëherë shifra prej 50 miliardë lekësh do ta rrisë stokun e borxhit publik nga 60 për qind e PBB-së që është sot, në 63 apo 64 për qind. Ekspertët shpresojnë që qeveria t’ia imponojë vetes kufizimin e mosrritjes së mëtejshme të borxhit publik, jo më si një tregues shkencor, por si një detyrim ligjor. Propozimi synon ta detyrojë qeverinë të shkurtojë shpenzimet buxhetore në raport me të ardhurat e buxhetit. Vendosja e treguesve të borxhit dhe deficitit në raport me PBB-në si detyrime ligjore për qeverinë, mund të zgjidhë një akrobaci juridike me të cilën qeveria ka luajtur me bollëk në të shkuarën.
Emiratet e Bashkuara Arabe financime miliona dollarëshe në Shqipëri
Pas financimit për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, Emiratet e Bashkuara Arabe do të vijojnë edhe më tej investimet në ekonominë shqiptare. Këtë mbështetje e ka dhënë ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdelhadi Alkajah, në takimin që pati dje me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, për paraqitjen e letrave kredenciale. Gjatë takimit u vlerësuan niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh besimi për zhvillime të reja në të ardhmen në rrafshin ekonomik dhe kryesisht në fushën e investimeve. Tregues konkret është hapja së shpejti e Ambasadës së Shqipërisë në Abu Dhabi. Zëvendëskryeministri Meta, i shprehu falënderimet ambasadorit Alkajah, rezident në Athinë, për mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë me financimin e projekteve të rëndësishëm, si ndërtimi i Aeroportit të Kukësit, angazhimi për financimin e një pjese të autostradës së re Tiranë-Elbasan, përmes fondit të Abu Dhabit. Ambasadori Alkajah siguroi ministrin e Jashtëm Meta, për gatishmërinë e qeverisë arabe në të mirë të forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik, dy palësh e shumëpalësh, gjë që sipas përfaqësuesit të Emirateve të Bashkuara në Tiranë, tregon për miqësinë e konsoliduar mes dy popujve. Duke shprehur mirënjohjen e qeverisë shqiptare për kontributin që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, duke ndaluar posaçërisht në njohjen që i është bërë nga ky vend shtetit të Kosovës, zëvendëskryeministri Meta shprehu dëshirën për të pritur së shpejti në Tiranë, ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
8 Qershor 2010