Të ardhurat në tre muaj me minus, qeveria nuk shpall recensionin
Ekspertët e ekonomisë japin alarmin për “gropën” financiare që po krijohet në vend
Ervin KOÇI
Mungesa e të ardhurave në buxhetin e shtetit në tre muajt e parë të vitit, si dhe marrja e borxheve të vazhdueshme kanë krijuar një “gropë” të parikuperueshme në ekonominë e vendi. Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se qeveria shqiptare duhet të deklarojë sa më parë recensionin ekonomik dhe të kërkojë ndihma nga ndërkombëtarët, njësoj si vendet e tjera të rajonit. Qeveria shqiptare e mat ecurinë ekonomike me një sistem që quhet “metoda e prodhimit”. Kjo metodë nuk merr parasysh origjinën e parave që kanë krijuar vlerën e shtuar, por thjesht mat vlerën e shtuar. Kjo do të thonë se paratë që qeveria mori hua vitin e kaluar në tregun ndërkombëtar, me vlerë 200 milionë euro ose e barabartë me 3 për qind të PBB-së, u shënuan si vlerë e shtuar prej 3 për qind, pavarësisht se bëhet fjalë për borxhe që do të shlyhen më vonë. Edhe rritja e pagave buxhetore dhe pensioneve, pavarësisht se në kushtet e mungesës së rritjes ekonomike është thjesht borxh shtesë për ekonominë, llogaritet si rritje sipas modelit ekzistues. Në vitin 1997, megjithëse vendi hyri në kaos dhe ekonomia u reduktua me mbi 7 për qind, sërish asnjë zyrtar nuk foli për recesion apo krizë ekonomike. Qeveria dhe opozita kanë debatuar me bollëk gjatë dy viteve të fundit mbi gjendjen e ekonomisë. Debati u shtua gjatë ditëve të fundit, kur qeveria iu përgjigj deklaratave të vazhdueshme të opozitës që flisnin për krizë.
Recensioni
Qeveria shqiptare mund të detyrohet të shpallë zyrtarisht recesionin në ekonominë tonë, pasi të dhënat paraprake bëjnë të ditur se edhe për tremujorin e parë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto ka shënuar rënie. Ky është mendimi i ekonomistëve që punojnë në organizma ndërkombëtare si ish-guvernatori Shkëlqim Cani, i cili është i mendimit se qeveria është futur prej kohësh në recension. Vlerësimi paraprak për ecurinë e ekonomisë në periudhën janar-mars të këtij viti pritet të jepet nga Instituti i Statistikave në fund të qershorit ose në fillim të muajit korrik. Por analizimi i të dhënave të gjithanshme, nga treguesit e ecurisë së shitjeve te të ardhurat e qeverisë, i kryer nga ekonomistët në institucionet që monitorojnë ekonominë tonë, tregon se ekonomia mund të ketë pësuar rënie në krahasim me një vit më parë. Ekonomia pësoi rënie vjetore prej 1.4 për qind në periudhën tetor-dhjetor 2009, sipas INSTAT, duke shënuar ecurinë e parë negative të shënuar që kur filloi matja e ecurisë së PBB-së në bazë tremujore disa vite më parë. Formalisht në vendet e zhvilluara shpallet recesioni kur ekonomia bie për dy tremujorë radhazi. Megjithëse japin këtë opinion, ekspertët vendas e të huaj e kanë të qartë se shpallja e recesionit nuk është kryer asnjëherë në Shqipëri, nga asnjë politikan.
Të ardhurat
Të ardhurat e qeverisë nuk tregojnë për ndonjë ecuri shumë të mirë të ekonomisë. Të ardhurat tatimore janë rritur me më pak se 3 për qind në tremujorin e parë, pra kanë pasur një ritëm rritjeje më të ulët se inflacioni. Për ekspertët kjo do të thotë se vlera e shtuar në ekonominë shqiptare (rritja e PBB-së) ka qenë negative në krahasim me vitin e kaluar.
Ndonëse statistikat mund të tregojnë rënie ekonomike më 2010, një analizë e tërthortë tregon se kriza e vërtetë për xhepat e shqiptarëve ka qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, ndërsa tani kriza ekziston vetëm në nivelin e statistikave makroekonomike. “Vitin e kaluar, ekonomia u rrit zyrtarisht me rreth 3 për qind, por kjo rritje qe si pasojë e rrugës Rrëshen-Kalimash”,- komenton eksperti Zef Preçi. Rritja ekonomike e vitit 2009 qe thjesht një fenomen statistikor me pak ose aspak ndikim në xhepat e shqiptarëve, të cilët vuajtën gjatë vitit të kaluar të gjitha problemet e mundshme të krizës, nga rënia e remitancave, te rritja e papunësisë. “Duke qenë se nga rruga e kombit përfituan vetëm pak mijë vetë, që u punësuan atje dhe vetëm dy kompani të huaja, pjesa tjetër e shqiptarëve përjetoi një rritje ekonomike pothuajse zero vitin e kaluar”,- thonë ekspertët. Nëse efektet e rrugës së kombit do të përjashtoheshin nga bilanci kombëtar si “ngjarje e jashtëzakonshme”, një praktikë kjo e njohur për çdo analizë ekonomike, atëherë do të rezultonte se vendi ynë ka pësuar rënie ekonomike vitin e kaluar dhe se tani po përjeton rritje, sido që rritja është e paktë.
Kriza ekonomike, rreziqet mbeten
Rreziqet mbeten të mëdha edhe për këtë vit. Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 1.4 për qind për vitin 2010, gjë që pritet të ndodhë në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Nuk dihet ende se çfarë pasojash do të ketë kriza greke në ecurinë e ekonomisë shqiptare. Tregues të tjerë indirektë flasin për përmirësim të ekonomisë pas muajit prill. Importet e mallrave kanë shënuar rritje për herë të parë pas shumë muajsh. Eksportet e veshjeve dhe këpucëve kanë shënuar përmirësim, sido që përmirësimi ka qenë i përmbajtur. Vetë financat e qeverisë përbëjnë tashmë rrezikun më të madh për vendin. Në rast se qeveria refuzon të ulë shpenzimet, atëherë në treg do të mbeten më pak para për të financuar investimet private, të cilat për nga lloji kanë norma fitimi shumë më të larta se ato publike dhe krijojnë shumë më tepër vende pune.
8 Qershor 2010