Tragjedia në familjen Bonjaku, humb vajza, vdes në aksident babai
Artan CENA
DURRËS - Fatkeqësitë s'kanë të sosur për familjen Bonjaku nga Durrësi. Pasi ka humbur vajza e tyre 12-vjeçare, i ka vdekur edhe kryefamiljari, i cili kishte dalë të kërkonte të bijën. Nga të dhënat e para të policisë mbi këtë ngjarje mësojmë se Ambra është zhdukur më datë 5 qershor, ndërsa në orët e para të datës 6 qershor është aksidentuar babai i saj, 63-vjeçari Kujtim Bonjaku. Nga të dhënat e policisë, denoncimi ishte bërë në orët e pasdites së datës 5 qershor. Babai i 12-vjeçares kishte dalë të kërkonte atë dhe është aksidentuar për vdekje në autostradë nga qytetar nga Kosova, i cili po udhëtonte me një makinë të tipit “BMW”. Burime nga Policia e Durrësit thanë mbrëmjen e djeshme se nuk kanë ende asnjë gjurmë të vajzës së zhdukur në qytetin e Durrësit, pikërisht në Lagjen Nr. 15, Ambra Kujtim Bonjaku.
Denoncimi për zhdukjen
Një 12-vjeçare është larguar nga shtëpia pa adresë. Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë kur është bërë dhe denoncimi nga vëllai i vajzës. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se, rreth orës 16:00 të datës 5 qershor ka bërë kallëzim penal në polici 22-vjeçari H. Bonjaku, banues në Lagjen Nr. 15, Durrës, i cili ka deklaruar se është larguar nga banesa motra e tij, Ambra Bonjaku, e datëlindjes 23 mars 1998, banuese në Lagjen Nr. 15 Durrës. Pas marrjes së denoncimit policia ka bërë menjëherë shpalljen në kërkim të saj dhe është duke punuar për gjetjen e së miturës në fjalë. Janë bërë kërkime të shumta për gjetjen e saj, por policia ende nuk ka mundur që ta gjejë atë. Për zhdukjen e saj janë njoftuar dhe policitë e qarqeve fqinje, ndërkohë që është njoftuar dhe Policia e Shtetit.
Aksidenti i të atit
Po sipas policisë, më datën 6 qershor 2010, në orën 02:30, është regjistruar një aksident me vdekje në rrugën Tiranë-Durrës, ku viktimë është shtetasi Kujtim Bonjaku. Nga interesimi pranë familjes është mësuar se ai kishte dalë në kërkim të vajzës që nga momenti që ka mësuar humbjen e saj dhe s'është kthyer i gjallë në familje. Policia e Durrësit bëri të ditur se dy ditë më parë, në orën 02:30, është bërë arrestimi në flagrancë i Shemsi Zhdrellas, 35 vjeç, lindur e banues në fshatin Penu, komuna Podujevë, Kosovë, me arsim të mesëm, i martuar, i padënuar më parë, me kombësi shqiptare e shtetësi kosovare. Burimet zyrtare thanë se arrestimi i tij është bërë pasi në datën 5 qershor 2010, rreth orës 22:30, në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, pranë një karburanti, në kohën kur drejtonte automjetin e tij tip “BMW” me targa 555-KS-900, ka aksidentuar me pasojë vdekjen Kujtim Bonjakun, 63 vjeç, banues në Lagjen Nr. 15 Durrës, i cili po udhëtonte me biçikletë. Hetimet për të dy ngjarjet, zhdukjen e vajzës së mitur dhe aksidentin me vdekje të babait të saj, janë marrë në dorë nga Prokuroria e Durrësit, e cila është duke bërë veprimet e mëtejshme. Ndaj kosovarit Zhdrella policia ka ngritur akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Zhduket adoleshenti nga Peqini, nisin kërkimet për gjetjen e tij
DURRËS - Një adoleshent është larguar nga banesa dhe ende nuk dihet se ku ndodhet. Denoncimi është bërë në polici nga vëllai i të zhdukurit. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se tri ditë më parë është paraqitur në komisariat dhe 23-vjeçari J. Isufi, i cili ka denoncuar se më datën 4 qershor, në orën 07:00 të mëngjesit, ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më vëllai i tij, 16-vjeçari Katan Isufi. Familjarët e të zhdukurit kanë bërë kërkime për një ditë dhe pasi nuk kanë mundur ta gjejnë atë kanë vendosur të bëjnë dhe denoncimin në polici. Nga dëshmia e dhënë nga i vëllai është mësuar se ata kanë pyetur të gjithë të afërmit dhe shokët e 16-vjeçarit, por askush nuk kishte informacion për të. Sipas tyre, në momentin kur 16-vjeçari është larguar nga banesa, nuk ka treguar ndonjë shenjë se do të ikte dhe nuk do të kthehej në banesë në darkë. Me të marrë denoncimin, policia ka bërë shpalljen në kërkim të tij, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme Katan Isufi nuk është gjetur nga policia dhe as nga familjarët e tij. Ndërkaq, policia ka kërkuar ndihmën e kolegëve fqinjë për gjetjen e tij, ndërsa fotoja e 16-vjeçarit është dërguar në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasi ai mund të jetë nisur për të shkuar jashtë vendit.
Makina bie në humnerë, tre persona të plagosur
ELBASAN - Tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë në rajonin e Elbasanit, pasi një kamion ra në një greminë me lartësi rreth 300 metra. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit e djeshëm, në aksin rrugor Elbasan–Tiranë, në vendin e quajtur Petresh, kur një çift, së bashku me një person të tretë, kanë mbetur të plagosur. Kamioni i drejtuar nga Arben Bejtja është përplasur me një veturë me targa të huaja, e drejtuar nga I.G., 57 vjeç, nga Tirana. Kamioni ka rënë në greminë në një lartësi prej 300 metrash. Drejtuesi i kamionit dhe drejtuesi i veturës, bashkë me bashkëshorten e tij, janë plagosur rëndë dhe ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën.
Përplaset nga motori, 15-vjeçarja rëndë në spital
LIBRAZHD - Një aksident i rëndë ka ndodhur në një fshat në Librazhd. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se përballë shkollës 9-vjeçare në fshatin Katjel, Librazhd, është plagosur rëndë një 15-vjeçare si pasojë e përplasjes me një motor. B. B., 15 vjeçe, është dërguar me urgjencë në Spitalin e Elbasanit, ku është në gjendje të rëndë. Burime nga spitali thanë se ajo është nën terapi intensive dhe ende nuk mund të jepet një informacion i saktë për dëmet që ka pësuar. Autori i kësaj ngjarjeje është 38-vjeçari nga Pogradeci, Adrogn Hysenllari, i cili është ndaluar nga policia dhe është duke u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë.
8 Qershor 2010